Ramën nuk e shpëtojnë nga humbja as blerja e votës dhe as korrupsioni

Nga Dr.Vili Minarolli –
Kryeministri ka filluar fushatën elektorale duke hapur thesin e premtimeve të bëra në 2013-ën. Sinjalet e Ramës që nxitën hashashizimin e vendit, blerja e votave, krimi dhe manipulimi me Gjendjen Civile. Pse Presidenti Meta është politikani më largpamës i së majtës dhe diskretitimi i Shqipërisë nga Rama në krye të OSBE-së. Populli që zgjedh politikanin e korruptuar nuk është viktimë, por bashkëpunëtor

Ndonëse ligjërisht fushata elektorale për zgjedhjet e ardhshme politike duhet të fillojë një muaj para datës të zgjedhjeve, ajo tashmë ka filluar. Mazhoranca, në synimin për të fituar një mandat të tretë, gjë jo e zakonshme në politikën shqiptare në këto tridhjet vjet pluralizëm edhe këtë rradhë, ashtu si në zgjedhjet e kaluara, duket se do të jetë e vetme përballë një opozite të bashkuar. Por mazhoranca mendon se këtë rradhë ka avantazhe që nuk i kishte në zgjedhjet e kaluara: ka në anën e saj të gjitha institucionet, parlamentin që voton symbyllurazi çdo ligj, qoftë edhe dukshën antikushtetues, sistemin e drejtësisë të ashtuquajtur të re, ku gjetën strehë garda e prokurorëve dhe gjyqtarëve të regjimit të vjetër dhe e bashkëpuntorëve të Sigurimit famëkeq, median elektronike dhe të shkruar dhe një armatë të tërë gazetarësh, shumicën e paguar nga taksapaguesit, policinë e shtetit, ku përsëri u rikthyen ish- sigurimsat dhe çdo institucion tjetër kushtetues, me përjashtim të Presidentit të Republikës. Dhe ka bërë kujdes për të bërë të paqënë Gjykatën Kushtetuese, gjë që i ka mundësuar të miratojë ligje me përmbajtje politike, duke dëmtuar demokracinë, apo ligje korruptive në favor të një pakice oligarkësh që grabisin pasurinë kombëtare dhe varfërojnë popullin. Po ashtu, ajo ka sajuar edhe disa të ashtuquajtura parti opozitare që i kundërvihen opozitës aktuale dhe ka mundur të joshë me privilegje disa zëra që mendon se janë me influencë në opinionin publik. Duke e patur gjithnjë si armë kryesore propagandën dhe një administratë qendrore dhe lokale tërësisht me militantë të aftë për çdo lloj joshjeje dhe shantazhi, duke patur një përvojë të sukseshme për të mikluar me çdo formë, çdo grup vëzhguesish dhe monitoruesish ndërkombëtarë, ajo mendon se do të jetë e efektshme edhe këtë rradhë, ashtu si katër vite më parë.

Opozita e Bashkuar, duke patur në përbërjen e saj forca politike të të gjithë spektrit politik të shoqërisë shqiptare duket më e qartë në synimin e saj, për ta kthyer këtë votim në një votë kundër keqqeverisjes të kryeministrit Rama, që ka si mbështetje një grup zyrtarësh mashtrues dhe të korruptuar të quajtur “Rilindje” dhe kundër oligarkisë, që si gjithnjë ndjek parimin se në politikë nuk ka miqësi të përherëshme, por interesa të përherëshme.

Për herë të parë Shqipëria mori kryesinë e OSBE-së, por veprimtaria e saj në këtë rol jo vetëm që ishte nul, por edhe diskredituese. Sepse ne si vend, nuk plotësonim ato vlera mbi të cilat është ndërtuar kjo organizatë ndërkombëtare

Ndryshe nga fushata e fundit, kur kryeministri në detyrë kërkoi nga shqiptarët që t’i jepnin vetëm atij timonin e drejtimit të vendit, pa premtuar asgjë, këtë fillim fushate ai ka hapur thesin e premtimeve të 2013, duke patur si zëdhënës një pakicë njerëzish, të njohur në publik si nga më të korruptuarit, më mashtruesit dhe për fatin e tij jo të mirë, jo përfaqësues të partisë socialiste. Kjo padyshim është pasojë e ngjizjes të politikanit Rama në fillimet e tij, atëhere kur e konsideronte Partinë Socialiste, trashëgimtare të Partisë të Punës, një bandë terroristësh, që më pas kërkoi të krijonte një të ashtuquajturën Aleancë, as të majtë, as të djathtë dhe së fundmi përfundoi thjesht në një sekt, që politikën e konsiderojnë si një mjet për pasuri, pa u penguar nga asnjë skrupull moral. Por edhe pse me një dëm të madh për vendin dhe shoqërinë shqiptare, kjo politikë antikombëtare dhe anti demokratike, ka mundësuar formimin e një të majte progresiste, që tashmë është bërë pjesë e opozitës të bashkuar për t’i dalë zot fateve të vendit. Me këtë formim të dobët dhe naiv politik, piktori dhe sportisti Rama, dështoi në politikën e brendshme dhe të jashtme dhe tashmë për secilin është e qartë se këtë faturë duhet ta paguajë ai dhe enturazhi i tij i pavlerë.

Ambicja, egoizmi , narcizmi dhe pavetëdija e Ramës e shtynë në veprime antikombëtare, siç është ideja e coptimit të territorit të Republikës të Kosovës, që u gatua në Beograd me mikun e tij serb, deri në sponzorizimin e politikanëve euroatlantikë dhe grupeve lobiste për mbështetjen e kësaj ideje, që do të sillte pamundësinë e ekzistencës të këtij shteti për të mbijetuar si shtet i pavarur. Me të drejtë ai sot nuk është i mirëpritur në këtë vend, por edhe në treva të tjera ku banojnë shqiptarët.

Para disa ditësh për një dokument që më duhej në zyrën e Gjendjes Civile të Minibashkisë 5 ku banoj prej më shumë se pesëdhjetë viteve, me një ndërprerje disa vjeçare, me bëhet e ditur se vendbanimi im ishte zhvendosur pa dijeninë time, në Komunën e Farkës

Për herë të parë Shqipëria mori kryesinë e OSBE-së, por veprimtaria e saj në këtë rol jo vetëm që ishte nul, por edhe diskredituese. Sepse ne si vend, nuk plotësonim ato vlera mbi të cilat është ndërtuar kjo organizatë ndërkombëtare: opozita kishte braktisur parlamentin, funksioni i parlamentit nuk ishte kushtetues, qeveria tashmë drejtuese e OSBE-së disa muaj më parë kishte realizuar zgjedhje monopartiake, në mediat prestigjoze europiane dhe më tej ishte bërë e njohur shitblerja e votës me angazhimin e strukturave më të larta të shtetit në manipulimin e zgjedhjeve, qeveria kishte nxjerrë ligje kundër lirisë të fjalës dhe të shprehjes, ndalonte dhe shpërndante me dhunë protestat paqësore dhe përfaqësohej si ministër i jashtëm nga një çunak qesharak. Me këto rekorde anti demokratike kuptohej se cili mund të ishte roli kryesues i përfaqësimit tonë në këtë organizatë. Kryeministri Rama, ndoshta i detyruar nga fije okulte, shkon në SHBA dhe angazhohet publikisht në mediat kryesore të këtij vendi në fushatën e zgjedhjes të Presidentit, pa harruar që disa vite më parë kishte paguar në mënyrë të jashtëligjshme një shumë të konsiderueshme dollarësh për të sponsorizuar një nga kandidatët për President në këmbim të një fotoje me të, si mjet të propagandës së tij për popullin e tij. Shqipëria disa herë ka dështuar në hapjen e negociatave të antarësimit në BE, edhe pse nga taksapaguesit shqiptarë janë dhënë shpërblime të majme për komisionerë ,siç ishte rasti i Stefan Fyles, apo antarëve të delegacioneve monitorues të Parlamentit europian, ku më tipiku është europarlamentari që së fundi, pasi zgjedhësi gjerman e nxorri në pension, u punësua tek ne dhe po merr edhe një rrogë jo të vogël si këshilltar i kryetarit të Kuvendit.

Politika në interesin e çështjes kombëtare është reduktuar në ndonjë mbledhje të qeverisë të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, thjesht për shoë propagande se asnjë nga marrëveshjet që nënshkruhet nuk zbatohet, në të kundërt merren vendime duke e spostuar Republikën e Kosovës, siç ishte rasti i të ashtuquajturit Minishengenit ballkanik, që u ngjiz në Beograd duke patur edhe mbështetjen e ndonjë zyrtari të lartë amerikan në Shtëpinë e Bardhë, apo të ndonjë dhëndrri të Serbisë në Departamentin e Shtetit.

Sot faktori shqiptar në Ballkan është më i përçarë se asnjëherë tjetër në këta tridhjetë vjet dhe tipike është thirrja e kryeministrit të Shqipërisë për shqiptarët në Mal të Zi që të votonin për një parti malazeze, në vend që shqiptarët të bashkuar të votonin në interes të komunitetit të tyre.

Duke mos patur ç’të thotë për politikën e jashtme dhe për kushtet e vëna për hapjen e negociatave me BE, duke mos gjetur asnjë justifikim për situatën katastrofike ekonomike të vendit për shkak të korrupsioni dhe bashkëpunimit me një grup oligarkësh dhe krimin e organizuar, Rama dhe zëdhënësit e pavlerë dhe të korruptuar të tij, me të cilët ai ia arriti ta shndërrojë PS në një sekt politik me emër tjetër, ka hapur thesin e premtimeve të vjetra, që asnjëherë nuk e vuri ujin në zjarr për t’i përmbushur, por edhe të reja me mendimin se ç’gatuhet në furrën e tij të propagandës mashtruese do jetë ushqim për mendjen e shqiptarëve, që ai me format e njohura dhe të panjohura, të krijojë idenë e marrjes të një mandati të tretë.

Ja tre format, ku Rama duket se e mbështet ëndrrën e tij

Asnjëri nuk mund ta mendojë se “Rilindja” nuk do të përdorë çdo mjet korruptiv dhe çdo mjet shantazhi për të marrë votën e shqiptarëve. Administrata e militantizuar, shitblerja e votës dhe djemtë problematikë, përsëri mendon se do jenë arma kryesore e fitores së tij. Në zgjedhjet e fundit ai përdori kanabizimin e vendit për të siguruar financa të pashterëshme për blerjen e votës së njerëzve pa mundësi tjetër jetese, por edhe të punësimit në parcelat e drogës që zotëroheshin nga bandat e kriminelëve me mbështetjen e policisë dhe strukturave të tjera ligj zbatuese. Prokuroria dhe gjykatat e korruptuara ishin mburoja e atyre që tjetërsuan votat në Shkodër, Durrës, Dibër, Vlorë e kudo në Shqipëri dhe edhe sot e kësaj dite, të ashtuquajturat struktura të reja të drejtësisë, heshtin. Pa asnjë dyshim, “Rilindja” dhe drejtuesi i saj nuk do të heqin dorë nga kjo mënyrë e suksesshme. Drejtuesit e saj që vazhdojnë të jenë në krye të shtetit dhe të pushtetit local, tashmë kanë përvojën e nevojshme që të tregohen më të kujdesshëm ndaj ndonjë syri vëzhgues apo përgjimi. Zoti Rama e dha sinjalin kur tha se qeveria ka përgatitur ligjin për legalizimin e kanabisit. Ky ishte një sinjal i koduar trashë për trafikantët dhe prodhuesit e drogës, por edhe të papunët që presin të punësohen në plantacionet (tashmë e legalizuar), ku droga do të mbillet në fushë të hapur dhe mund të zëvendësojë çdo kulturë bujqësore. Qeveria sigurisht ka planifiluar që ligjin ta miratojë pikërisht në çeljen e sezonit të mbjelljes të kanabisit që i bie te jetë afërsisht një muaj para ditës të votimit.
Ndryshimin pa dijeni i vendbanimit të votuesve, marifet që Ramës i ka shërbyer edhe më parë, në zgjedhjet si kryetar bashkie i Tiranës në vitet 2000 dhe 2003. Duke patur të evidentuar zgjedhësit opozitarë nga listat e votimi për referendumin e Kushtetutës në vitin 1998, ekipe të veçanta militantësh partiakë u angazhuan nga Pushteti lokal i asaj kohe, duke zhvendosur vend banimin apo vendvotimin e votuesve opozitarë, duke sjellë praktikisht moskonsumimin e votës së tyre. Para disa ditësh për një dokument që më duhej në zyrën e Gjendjes Civile të Minibashkisë 5 ku banoj prej më shumë se pesëdhjetë viteve, me një ndërprerje disa vjeçare, me bëhet e ditur se vendbanimi im ishte zhvendosur pa dijeninë time në Komunën e Farkës. Rrjedhimisht edhe qendra e votimit në datën 25 prill duhej të ishte atje. Sipas informacionit ky veprim duhej të ishte bërë muajin e fundit dhe pa asnjë dyshim është një operacion i ndërmarrë nga Ministria e Brendshme sidomos nga Bashkia, ku duket se Kryetari i saj ka marrë rolin drejtues të fushatës, duke i siguruar vetes rolin e pasardhësit të kreut të “Rilindjes”. Nga përvoja e kaluar edhe si drejtues i PD-së për Tiranën, kam sigurinë se ky veprim i zhvendosjes pa dijeni të vendbanimit të zgjedhësve të opozitës, nuk do të bëhet brenda për brenda Tiranës për edhe nga Tirana në rrethin nga banorët kanë ardhur disa vite më parë.
Vendimi i mazhorancës për të ndryshuar Kushtetutën në mënyrë të njëanshme për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore është një veprim i një autokrati që e largon vendin më shumë nga ëndrra europiane Nuk e di kush ia çoi në mendje zotit Rama këtë ndryshim të Kushtetutës, por nuk është çudi që të jetë edhe një mënyrë për ta eleminuar atë nga politika ashtu siç bëri vetë ai me paraardhësin e tij, duke patur mbështetjen djemve dhe vajzave “të shkathta” të Mjaftit.
Këtë fillim fushate elektorale Rama ka hapur thesin e premtimeve të 2013, duke patur si zëdhënës një pakicë njerëzish, të njohur si nga më të korruptuarit, më mashtruesit dhe për fatin e tij jo të mirë, jo përfaqësues të Partisë Socialiste

Është i njohur fakti se Rama ka fituar si kryetar i Bashkisë në Tiranë vetëm atëhere kur kryeministër ka qenë Ilir Meta në vitin 2000 dhe 2003, ose kur bëri aleancë me LSI-në e Ilir Metës në vitin 2007. Ai ka humbur në vitin 2011, kur nuk e kishte këtë aleancë. Po ashtu, kur mori drejtimin e PS-së, Rama u bind se pa aleancë me LSI-në e zotit Meta, partia e tij asnjëherë nuk mund të merrte më shumë se 65 mandate edhe në ditën më të mirë për të dhe më të keqija për kundërshtarin, siç ishin zgjedhjet e vitit 2009. Kjo e detyroi zotin Rama të shkonte me kokën ulur Ilir Metës në atë që u quajt “darka e ngjalave”, duke kapërdirë lumin e pafund të shpifjeve në adresë të tij dhe duke pranuar indirekt se 21 janari ishte thjesht një skenar për të marrë me forcë pushtetin. Ai i gatshëm pranoi çdo kusht të “armikut” të tij, edhe ato që u bënë të dukshme, si ndarja e pushtetit, votimi i tre ligjeve si kushte të hapjes të negociatave me BE-në dhe që Rama i bllokonte prej një viti dhe premtimin e zgjedhjes të Metës President të Republikës, pas mbarimit të mandatit të Presidentit paraardhës.

Ilir Meta është një nga politikanët më të qëndrueshëm dhe më largpamës në vitet e pluralizmit tonë. Një socialist i përkushtuar, që i ngjiti shkallët e karrierës të tij politike në mënyrë graduale, me largëpamësi, me dinjitet, me vizion të qartë dhe pa bërë kompromis me parimet e tij morale dhe politike. Edhe ndoshta, në periudhën më të vështirë të tij, atëhere kur u organizua KPD-ja e famshme e PS-së, ai nuk u lëkund, sepse e dinte se kritikat e F.Nanos nuk i drejtoheshin I.Metës si Kryeministër, po pikërisht miqve të tij, që më pas do i bënte pjesë të kabinetit deri sa humbi zgjedhjet në vitin 2005, pikërisht për shkak të ndarjes më I.Metën. I.Meta themeloi LSI-në, një parti krejt e majtë me një emër shumë simbolik, duke sfiduar të gjithë spektrin politik shqiptar dhe duke patur si bashkëpuntorë figura me edukim solid profesional dhe politik dhe duke arritur shumë shpejt të bëhet faktor imponues i politikës dhe qeverisjes në Shqipëri. Duke bërë në fillim aleancë me PD-në e qendrës të djathtë dhe më pas me “Rilindjen”, si një grupim amorf dhe pa asnjë qartësi politike, ai mbeti gjithmonë një përfaqësues i pakompromis i socialistëve shqiptarë dhe e vetmja alternativë e të majtës shqiptare. Për Ramën ekzistenca e LSI-së paraqiste rrezik në ambicjen dhe endrrën e tij të ardhjes në pushtet. Kjo ishte edhe arsyeja që Rama i imponoi Berishës (kjo ishte edhe në interesin e tij), ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Por LSI-ja nuk u eleminua, siç ndodhi me partinë e majtë të Gjinushit, apo partinë po të majtë të P.Milos, sepse kjo parti u bë dhe vazhdon të bëhet çerdhja e preferuar e socialistëve të ndershëm që e duan të ardhmen e mirë të vendit të tyre.

Shqipëria disa herë ka dështuar në hapjen e negociatave të antarësimit në BE, edhe pse nga taksapaguesit shqiptarë janë dhënë shpërblime të majme për komisionerë, siç ishte rasti i Stefan Fyles

Sot, kur socialistët e ndjejnë se ku ka arritur partia e tyre që ata i kushtuan jetën, kur figura të shquara të saj po ua bëjnë të qartë se partia e tyre socialiste nuk ka të bëjë me sektin me emrin Rilindje, LSI mbetet e vetmja shtëpi ku duhet të gjejnë strehë socialistët shqiptarë. Tashmë për shumicën e tyre është bërë e qartë se emri dhe vlerat kombëtare të partisë janë uzurpuar nga një grup mashtruesish ordinerë dhe thellësisht të korruptuar, që organizojnë tendera dhe PPP-ra për të grabitur pasurinë që u takon të gjithëve, gjithnjë në aleancë me krimin e organizuar dhe me oligarkinë e pangopur.

Me ndryshim e kushtetutës që ndalon koalicionet parazgjedhore, zoti Rama ka bërë një autogol në portën e tij, tashmë pothuaj të zbrazët. Duke qenë i bindur se pavarësisht nga makinacionet që mund të përdorë zoti Rama, është e sigurtë fitorja e opozitës siç është e sigurtë që socialistët do e braktisin “Rilindjen”, që nuk e quajnë partinë e tyre dhe do i bashkangjiten LSI-së. Në këto kushte PD dhe LSI duhet të konkurojnë veçan dhe sipas votave të fituara të formojnë një koalicion (sigurisht së bashku edhe me partitë e tjera të opozitës) të ngjashëm me qeveritë afat gjata dhe të suksesshme në Gjermani, Austri dhe vende te tjera demokratike dhe të prosperituara.

Le të jetë kjo nga rastet e rralla në këta tridhjetë vjet, pas kësaj eksperience mjaft të hidhur, kur votuesi shqiptar të ndjejnë përgjegjësinë për votën e tij dhe kur qeveria që do të krijohet të jetë e përgjegjshme për rolin e saj si administruese dhe jo pronare e jetës të shqiptarëve.

SHKARKO APP