Raport i dëmtuar midis Turqisë dhe Rusisë?

Një avion ushtarak rus u rrëzua nga dy avionë luftarakë turq F-16, sepse shkeli hapësirën ajrore të Turqisë pavarësisht paralajmërimeve. Dr. Can Kasapoglu, bashkëpunëtor shkencor i EDAM në Stamboll nuk është i habitur.

 

DW: Sa mund të thuhet se pritej që Turqia ta rrëzonte avionin?

Can Kasapoglu: Turqia e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend t'i ndryshojë rregullat e angazhimit e se nuk do të orientohet në kombësinë e atij që shkel hapësirën e saj ajrore. Para rreth një muaji, Turqia rrëzoi një dronë, një avion pa pilot rus. Autoritetet turke e kanë paralajmëruar Rusinë që të mos e shkelë hapësirën ajrore të Turqisë. Turqia ka treguar se rregullat e saj të angazhimit janë të forta dhe se nuk duhen testuar – as nga pala siriane dhe as nga ajo ruse.

Pse besoni që avioni ushtarak rus fluturoi mbi atë zonë?

Avionët rusë Shukoi 24 janë bombardues taktikë që fluturojnë ulët. Ato përdoren kryesisht në bombardime të rënda të terrenit. Kush bombardoi? Luftëtarët turkmenë të Ushtrisë Siriane, të cilët si turq etnikë veprojnë kundër regjimit sirian, me mbështetjen e Turqisë. Ne flasim për 5000 deri 9000 luftëtarë turqishtfolës. Ata u ndodhën nën goditje të rëndë të forcave të armatosura siriane, të cilët mbështeten prej kohësh nga rusët dhe iranianët. Turqinë kjo e mërziti. Në takimin e nivelit të lartë të G-20-ës në Antalya, Ankaraja dhe Uashingtoni diskutuan shanset e operacioneve të përbashkëta ajrore mbi Siri. Këto operacione nga ajri qenë menduar si mbështetje për njësitë anti-Assad në tokën siriane. Pra për Ushtrinë e Lirë Siriane dhe për forcat turkmene. Si kundërpërgjigje, sirianët, rusët dhe iranianët u sulën kundër turkmenevë, si "ndëshkim në vend të Turqisë". Në parim, avioni luftarak rus e ka shkelur hapësirën ajrore turke. Një incident serioz. Ne nuk duam të shpresojmë, se do të krijohet edhe në hapësirën ajrore turke, në krahun jugor të NATO-s, një situatë si në rastin e shteteve baltike.

Për se e keni fjalën?

Shkelja e hapësirës ajrore të shteteve baltike nga Rusia ndërkohë është diçka e përditshme – ne nuk e duam një zhvillim të tillë në krahun jugor të NATO-s, që përfshin edhe hapësirën ajrore turke.

Rusët deklaruan se avioni i tyre ushtarak qe ndodhur mbi territorin sirian, kur e goditën. A u godit ai sipas dijenisë suaj mbi Turqi apo mbi Siri?

Turqit veprojnë në këtë mënyrë: kushdo që futet në hapësirën e 12 miljeve (20 km) para hapësirës ajrore turke paralajmërohet. Kur një avion i afrohet me pesë milje hapësirës ajrore turke, Turqia i bën gati për t'i ngritur avionët gjuajtës F-16 dhe jep paralajmërime të tjera. Goditet dhe rrëzohet çdo avion, që duke ardhur nga Siria shkel hapësirën ajrore turke. Në bazë të kësaj, po të kemi parasysh edhe mënyrën e mëparshme të veprimit të Rusisë, mund të themi se Sukhoi-24 e shkeli hapësirën ajrore turke.

Cilat do të jenë pasojat për marrëdhëniet midis Rusisë dhe Turqisë?

Nëse Rusia dëshiron ta përshkallëzojë situatën e sigurisë, do të kemi edhe shkelje të tjera të hapësirës ajrore. Atëherë do të kemi një përshkallëzim të qartë të situatës, jo vetëm midis Rusisë dhe Turqisë, por edhe midis Nato-s dhe Rusisë.

Pas atentateve terroriste në Paris, Rusia ngul këmbë për arritjen e një koalicioni ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik. Çfarë do të thotë ky incident për këto plane?

Nëse Rusia dëshiron të jetë me të vërtetë pjesë e këtij koalicioni anti- IS, atëherë duhet të gjejë objektiva të tjera në tokën siriane. Që në fillim të operacioneve ruse, objektivi ishte më pak Shteti Islamik se sa opozita e moderuar siriane. Së dyti, në vend që të shkelë hapësirën ajrore të NATO-s, Rusia do të bënte mirë që të koordinohej më mirë me aktorët e tjerë të koalicionit anti-terror.

Dr. Can Kasapoglu është bashkëpunëtor shkencor në EDAM Center për Ekonominë dhe Studimet Politik në Stamboll.

SHKARKO APP