Rasti “Roshi” si shembull për të tjerët!

“Sot, një gjë mund të thuhet pa asnjë dilemë. Ata janë ftuar në politikë sepse ishin të tillë, pra shkelës të ligjit, shpërfillës të tij. Ata janë ftuar për atë që kanë qenë dhe jo për atë që besohet se janë sot. Ata janë ftuar për të mbajtur nën presion dhe për të thyer bastione kundërshtare, pa harruar se me këtë mënyrë, çdo fitore është e ngjashme me fitoren e Pirros…”

Nga Blendi Fevziu

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, është bërë viktima e parë e ligjit të dekriminalizimit. Ai ka lënë dje zyrën e tij në Bashki për t’u akomoduar në një burg lokal pas vendimit të gjykatës. Kjo e fundit ka pranuar akuzën e prokurorisë, që e akuzon Roshin për dëshmi të rremë dhe fshehje të fakteve që e detyronin atë të linte detyrën publike. Veç fakteve që diheshin publikisht, Prokuroria ka faktuar që Roshi ka përdorur së paku 4 identitete të tjerë dhe është dënuar ose dëbuar nga tre vende europiane dhe ka pasur në Itali e Zvicër më shumë se një dënim.

Ngjarja nuk ishte as e papritur dhe as befasuese. Problemet e Roshit dhe të ngjashmëve të tij i kanë ditur në Kavajë, por edhe në gjithë vendet prej nga ata vinë; problemet e tyre me ligjin dhe drejtësinë i kanë ditur ata që i kanë propozuar, por edhe ata që i kanë futur në jetën politike dhe ju kanë dhënë atyre pushtetin që sjell politika. Nuk ka qenë pushtet i fituar, por i falur, ose i grabitur përmes metodave për hir të të cilave ata janë ftuar në politikë. Në këtë drejtim, prania e Roshit dhe Roshëve në politikë është përgjegjësi direkte e Edi Ramës dhe e stafit të tij. Siç ishte prania e Baliajt përgjegjësi e Metës apo ndonjë prani tjetër politike përgjegjësi e liderëve të tjerë politikë.

Sot, një gjë mund të thuhet pa asnjë dilemë. Ata janë ftuar në politikë sepse ishin të tillë, pra shkelës të ligjit, shpërfillës të tij. Ata janë ftuar për atë që kanë qenë dhe jo për atë që besohet se janë sot. Ata janë ftuar për të mbajtur nën presion dhe për të thyer bastione kundërshtare, pa harruar se me këtë mënyrë, çdo fitore është e ngjashme me fitoren e Pirros.

Së fundi, Roshi është bërë dje viktima e parë e dekriminalizimit, por padyshim që s’ka për të qenë i vetmi. Dënimi apo masa e tij ndaj Roshit ka pak rëndësi. Rasti i djeshëm, dëshmoi se ligji funksionoi; se ligji ndëshkon dhe se kapërcimi apo shmangia e tij të ndëshkon një moment. Rasti i djeshëm, shërben që të gjithë të ngjashmit e Roshit të kuptojnë një shprehje të famshme të revolucionit francez: “askush nuk është aq i pasur dhe i fuqishëm sa të blejë të shkuarën e tij”. Ndaj të gjithë ata që kanë thyer ligjin dikur; të gjithë ata që besojnë se me pirueta kanë arritur ta fshehin apo shmangin disi të shkuarën e tyre, duhet ta dinë se një ditë ajo do të kthehet me gjithë lakuriqësinë e saj. Së paku, për sa kohë ata do insistojnë të bëjnë një punë dhe të marrin një rol që s’ju takon: atë të angazhimit politik dhe administrativ. Ndaj, edhe kur dikush jua propozon për t’i përdorur për monentin; edhe kur një njeri i fuqishëm politik ju jep garanci, ta dinë që po i mashtron. Askush nuk ka më fuqi t’i mbrojë dhe asnjëri nuk i shpëton dot ligjit. Aq më shumë në një vend si Shqipëria, ku të gjithë, i njohin të gjithë…Opinion.al

SHKARKO APP