Rasti Shullazi dhe reforma në drejtësi
“Ka ardhur dhe ka ikur tashmë koha, që politika shqiptare ta mbajë larg CV-së së vet këtë personazh, që vetëm sa e ndot reputacionin dhe imazhin e emrave të shquar të këtij vendi”…
Nga Skënder Minxhozi/
Po të mos ishte për atë që thotë dhe bën përditë në krye të opozitës, për ta penguar reformën në drejtësi, kreu i PD Lulzim Basha do të ishte për t’u përgëzuar për atë që ka deklaruar orët e fundit. Ai u shpreh për mediat se rasti “Shullazi” duhet të shërbejë si një test i parë i madh për reformën në drejtësi, për të provuar klimën e re që ajo po sjell në jetën institucionale dhe politike të vendit.
Fjalë të arta! Nuk ka precedent më të përshtatshëm sesa një si ky i kapjes së Emiljano Shullazit, për të vënë në provë disa segmente njëherësh të shtetit të së drejtës. Më së pari të politikës, e cila ka debatuar prej vitesh me emrin dhe reputacionin e Shullazit. Përkrahës “me qera” i njërit ose tjetrit panel politik, ai ka qenë sipas momentit, herë aleati e herë armiku i partive të mëdha. I arrestuar disa herë në dekadën e fundit, ai ka mundur të shpëtojë falë këtyre rrethanave që e shihnin të lidhur me një mijë fije me politikën, por edhe falë zbehtësisë dhe kapjes së organeve të ligjit në Shqipëri, të cilat kanë mbyllur sytë edhe në javët e fundit (shih prokurorinë), kur ka qenë fjala për ta hetuar dhe dënuar njeriun e fortë të Rrugës së Kavajës. Ka ardhur dhe ka ikur tashmë koha, që politika shqiptare ta mbajë larg CV-së së vet këtë personazh, që vetëm sa e ndot reputacionin dhe imazhin e emrave të shquar të këtij vendi.
Së dyti, rasti “Shullazi” është një provë e fortë edhe për sistemin e drejtësisë. Arrestimet e kaluara të këtij personazhi kanë dështuar të gjitha, edhe falë korruptimit dhe bashkëpnumit herë të hapur e herë pasiv të organeve të drejtësisë. Hetimi i këtij personi dhe bashkëpunëtorëve të tij, mbledhja e provave, mënyra sesi ato janë paraqitur në proceset gjyqësore, kapja e gjyqtarëve me hir dhe me pahir, që të gjitha këto kanë bërë që tentativat për ta shtënë pas hekurave Shullazin, të dështojnë për turpin e prokurorëve e gjykatësve.
Këtë herë duket se diçka është më e ndryshme se herët e shkuara. Aktualisht prokuroria përgatitet të përpilojë një listë impresionuese akuzash të rënda për Emiljano Shullazin, ndërkohë që ai duket se shkelur një dërrasë të kalbur, duke kërcënuar një shtetas amerikan. Më tej akoma, në sfond qëndron, siç thamë, hija e reformës në drejtësi që afrohet dhe që mund të prodhojë vetëm ashpërsim ndaj rasteve si ky i Shullazit. E ka thënë shumë drejt Lulzim Basha: dosja Shullazi është një provë e parë e madhe për reformën në drejtësi. Të shohim a do e kalojë klasën shteti shqiptar në këtë provim të parë. (Javanews.al)