Reagimi i Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta pas akuzave të bëra nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka

 

Nga Ilir Meta.

Meqenëse u ngrit një shqetësim ose u përsërit një kërkesë këtu nga deputeti z. Berisha, por dhe nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, z. Paloka lidhur me një kërkesë të bërë më parë nga Kryetari i Partisë Demokratike, z. Basha, për një shkrim të bërë në një agjenci lajmesh, e cila i referohej një kompanie të kontraktuar nga qeveria aktuale, e cila është edhe baza kryesore e të besuarit të pretendimeve, e manipulimeve dhe e spekulimeve në atë shkrim. Kam vetëm një detyrim të thjeshtë.

Së pari t’i bëj të qartë opozitës se do të vazhdoj ta respektoj kërkesën e tyre për dorëheqjen time dhe do të kenë kohë edhe dy vjet për ta kërkuar këtë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Kuvendit. Së dyti, lidhur me faktin që kjo kompani është e kontraktuar nga qeveria aktuale, për këtë arsye pretendimet e bazuara mbi raportin e saj janë të besueshme, kisha një pyetje në rast se z. Sait Dollapi është anëtar i Asamblesë së Partisë Socialiste apo i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike?! Sepse këtu përpara kam një “Engagement Letter” dhe “Fee Agreement” midis “Clifford Chance”, që është kontraktuar nga CEZ-i dhe CEZ Shpërndarja e firmosur më 1 korrik 2013. Pra, kohë kur Kryeministër ishte i nderuari, deputeti z. Sali Berisha, pra është firmosur në Mynih më 1 korrik nga Tim Schreiber për “Clifford Chance” dhe nga z. Sait Dollapi për CEZ-in. Në rast se nuk e kujtojnë këtë kompani, mund të pyesin ish-Ministrin e Financave, sepse kjo kompani ka qenë kliente e kësaj qeverie edhe për shumë kontrata të tjera me Ministrinë e Financave dhe kjo është një çështje e tyre.

Njëkohësisht dua t’ju informoj se kompania në fjalë ka bërë një sqarim në dijeninë time, që nuk përmendet emri i z. Ilir Meta. Njëkohësisht mund t’ju bëj të ditur se Shqipëria ka pasur shumë ish-Kryeministra, të cilët unë nuk dëshiroj që t’i marr nëpër gojë, sikurse një pjesë e juaja më merr nëpër gojë mua dhe më paragjykon. Dhe kjo është e drejta juaj. Përsëri e respektoj këtë gjë dhe nuk e përjashtoj që dikush apo dhe ndonjë i afërt i tij dhe të ketë përfituar nga çështje të tilla. Por e përjashtoj në mënyrë kategorike që një person i implikuar të jetë ish-Kryeministri, Ilir Meta, dhe këtë ua them me bindje të plotë.

Njëkohësisht dua t’ju them se të gjithë e dinë se kush e ka emëruar ERE-n, kush e kontrollonte ERE-n dhe nëse ka dokumente të cilat provojnë se ministra të asaj kohe apo dhe më pas kanë kërkuar që të favorizohet CEZ-i në dëm të KESH-it. Ju siguroj se përsëri nuk mund të ishte dhe nuk mund të jetë Ilir Meta. Megjithatë ju keni të drejtën tuaj. Por ua përmenda këtë çështjen e kompanisë “Clifford Chance” vetëm për një arsye, meqë i besoni kaq shumë raportit të saj. Nuk është e panjohur për ju dhe për funksionarët tuaj. Është kompani e njohur, ju mund t’i drejtoheni. Në rast se ju besoni vërtetë se ajo ka paraqitur fakte të cilat implikojnë ish-Kryeministrin Ilir Meta nuk ka asnjë arsye pse ju të mos i çoni në Prokurori dhe Prokuroria të nisë një proces shembullor për Ilir Metën për çdo ish-Kryeministër apo ish-ministër, kushdo qoftë ai apo politikan që ka qenë i përfshirë.

SHKARKO APP