Reagimi i turpshëm i Dvoranit/ Një ikje pa lavdi që tregon shumë

Kreu i KED Ardian Dvorani para komisionit hetimor

Ardian Dvorani, gjykatësi që me siguri mund të futet në rekordet e librit Gines, për qëndrimin më të gjatë në detyrë përtej mandatit, plot 6 vite, është larguar sot nga posti, pas një vendimi të KLGJ.

U deshën 6 vjet që të kuptohej se ai ishte në tejkalim të afatit si anëtar i Gjykatës së Lartë. Dhe po ashtu, u deshën 4 vite pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që të kujtohej dikush se ai ishte në kapërcim të mandatit.

Por çfarë bie më shumë në sy, është komenti, reagimi i tij idhnak, nervoz, aspak prej dinjitari të lartë të shtetit, të cilit i është dhënë kaq shumë privilegj në gjithë jetën e tij si drejtues, si anëtar i Gjykatës së Lartë për gati 15 vite, madje edhe si kreu i KED, një prej organeve të reja më të rëndësishme që erdhi si produkt i reformës në drejtësi.

Dvorani jo vetëm nuk e njeh KLGJ-në, jo vetëm nuk e pranon vendimin e saj, por edhe e përçmon dhe e tall. Ai thotë, fjalë për fjalë, “të shohim, çfarë kanë katranosur në arsyetim”.

Po ku e di ai, se cili është arsyetimi i KLGJ?

Si mundet një gjyqtar që u tolerua aq shumë nga vetingu, dhe iu dha kaq shumë pushtet i pamerituar, të paragjykojë vendimin e një organi, të një gjykate në fakt, siç është KLGJ. Mund të jetë një vendim problematik, i kontestueshëm, por ai duhet pritur dhe shqyrtuar, sipas rrugës dhe etikës, veçanërisht nga një njeri që ka marrë vetë shumë verdikte të ngjashme.

Sakaq, ai shpall se ata e kanë katranosur, dhe ky përfundim, pa e lexuar akoma se çfarë kanë shkruar, thjesht pas daljes së lajmit me titra.

Ky lloj reagimi publik, thjesht tregon se kemi pasur të bëjmë me një njeri emotiv, me agjendë dhe të sponsorizuar politikisht nga mazhoranca.

Pra, sipas Dvoranit, vetëm një vendim që vazhdonte t’i jepte atij çelësat e sistemit të drejtësisë në vend, 6 vite pasi ligjërisht dhe me Kushtetutë i ka mbaruar mandati, do të ishte i drejtë dhe i arsyetuar mirë.

Vetëm nëse KLGJ, do të vijonte ta mbante atë në krye të privilegjeve, atëherë do të kishim të bënim me argumente.

Në të kundërt, ata që e heqin, thjesht e kanë katranosur.

Ky sulm i Ardian Dvoranit ndaj KLGJ, mund të cilësohet pa frikë si një prej goditjeve më të forta që ka marrë drejtësia e re, pasi vjen pikërisht prej atij që konsiderohej si simbol i saj.

Drejtësia e re për Dvoranin vlen vetëm nëse e kontrollon ai.

Nëse nuk e kontrollon ai, atëherë është për t’u përbuzur.

E papranueshme, skandaloze dhe revoltuese kjo sjellje. Dhe të mendosh që këtij personi do t’i jepet sërish mundësia të jetë funksionar i lartë i drejtësisë, si anëtar i Gjykatës së Apelit./Mapo.al

SHKARKO APP