“Rebelimi” i Lekut…
FEJTON
Nga Thoma Goga
Atëherë isha gazetar i ri, po m’u kujtua këshilla e një ustai të vjetër; ruaj çdo kronikë që hedh në letër…Dhe vërtetë pas kaq vitesh kronika e mëposhtme ka marrë vlerë tjetër…
…Konferenca e jashtëzakonshme e monedhave të Evropës u prit me interes të jashtëzakonshëm. Bota i ktheu sytë nga ajo sallë ku do të nënshkruhej një traktat i madh MIREKUPTIMI. Në këtë sallë ndodheshin të gjitha; STERLINA mendjendritur, MARK Gjermani, FRANKA mondane, LEVA e rrudhur, DINARI anemik, PESETA, DHRAHMIA e gjitonit të jugut, LIRETA lozanjare italiane, turkesha e bukur LIRE etj. etj. I ftuar për të drejtuar me paanshmëri këtë eveniment, kishte ardhur nga përtej oqeanit vetë Dr. Prof. DOLLARI. I gjithë jeshil, si çahir…Galerinë dhe lozhat i kishin zënë bodiguardët dhe ekonomistët. Korridoret u pushtuan nga gazetarët dhe telekronistët. Manjakët rrinin gati të gllabëronin ekskluzivitetet për intervista dhe intimitetet. Kur donte edhe pak minuta të mbaronte seanca e parë plenare, shefi i protokollit njoftoi sapombërritjen e LEK Albanezit. Pjesëmarrësit panë të hynte një monedhë tepër interesante dhe i veshur i tëri sportiv; vetëm në mbathje, të cilat i ngrinte shpesh se i binin…Llastiku ishte kthyer në ushkur. Nga sytë dukej i lodhur, i rraskapitur, i sfilitur…Në sytë e tij lexohej inat i madh. Ashtu, si i dehur nga lodhja, u nis të ulej në presidium ku ndodhej një kolltuk bosh pranë Dollarit. Të gjithë sa ishin, ia plasën gazit.
– Ju albanezët vdisni për një çikë presidium, – tha dirigjenti i nderuar i konferencës.- Vendi juaj, zoti Lek, ndodhet atje midis dy lirave, italiane dhe turke. Zini vendin tuaj…
Pasi u dha një të ngritur mbathjeve, baballëku Lek u ul dhe përshëndeti shqiptarçe. Nga një anë dëgjoi një CIAO dhe nga ana tjetër ALEKUM SELAM. Dirigjenti i nderuar Dollar njoftoi të pranishmit se pas një pushimi të shkurtër do të fillonte seanca tjetër. Eh, sa shumë u lodhën gazetarët dhe telekronistët të intervistonin në këtë pushim të shkurtër mysafirin e rrallë nga Albania. Por ai nuk doli si gjithë të tjerët të pinte xhin, Campari apo kafe. Fjalimi kishte më tepër rëndësi. Duhej parë mirë, se nuk kishte shkuar për estradë. Pas pushimit, sipas rendit të ditës, fjalën e mori fantastiku Lek.
– I nderuar shkëlqesi Dollar! Të nderuar kolegë! Së pari kërkoj ndjesë për vonesën. Po ndryshe nga ju, unë kam udhëtuar me këmbë, me gomar, me një karrocë të prishur dhe sot, ashtu zvarrë – zvarrë, mezi e zura trenin e fundit…Ma bëni hallall!
– Kabull mysafir! – u dëgjua vetëm turkesha e bukur.
– Kur hyra ju qeshët. U gajasët. Edhe 70 e ca vjet më parë keni qeshur me mua. Po, po, keni qeshur. Ju kujtohet, besoj. Atëherë vija nga lufta dhe rrugës gjeta një këpucë angleze. Ec e ec gjeta dhe një tjetër. U gëzova se u bëra me këpucë. Po ishte e njëjta këmbë… Të dhjefsha të tëmë, shava, ne s’jemi rob me një këmbë? O po me hile. Eca dhe gjeta një palë qillota gjermane, një xhaketë italiane dhe një kapotë pa identitet. Nuk kishte asnjë spaletë. I vesha se kisha ftohtë. Ju qeshët dhe u gajasët. Sa mbaroi ajo konferencë, partia e vetme atëherë më tha të mbledh mendjen. Mua më vinte turp dhe i hodha poshtë edhe pse kisha ftohtë. Mbeta kështu siç jam sot; vetëm me brekë. Tërë jetën në brekë. As llastikun s’u kam ndërruar, ndërsa ju ndërroni kostumet çdo stinë. Ju shkoni në qiell me avion e raketa, unë eca vetëm me vetminë. Se ishte dimër, se ishte verë përmbi dyzet vjetë m’u mbyll çdo derë… Dhe kalova mbi dyzet luftra. Askush nuk u kujtua për mua. Qeni s’ka ku më kap. Shikoni si jam bërë unë derëziu?! Ngordh lopa po më lëpiu…
– Allah,allah! – klithi turkesha.
– Pecato!- të këpuste shpirtin italiania.
Dhrahmia luajti shurdh – memecin…
– Po, ore po, – vazhdoi albanezi,- ngordh, se veç luftërave mbi shpatulla kam edhe ca sëmundje. Kohët e fundit, siç mund ta keni marrë vesh të nderuar kolegë, erdhën doktorët nga “spitali i madh” FMN. Më bënë analizat, radioskopinë, u konsultuan dhe mbushën kartelën. DIAGNOZA: Inflacion piramidal. Nuk e kuptova se si kisha përfunduar i ngujuar në ca banka interesante. Ato kishin formën e piramidave të Keopsit. Dhe aty më detyronin që unë të pillja. Po, si do thoni ju? Si miu, çdo muaj. Një herë në tre muaj të dyfishohesha, të trefishohesha. Më fusnin në thasë sikur të isha letër haleje. Kjo “kolerë” u shtua aq shumë sa njerëzit shisnin gjithçka dhe mbyllnin para. Ta themi hapur; ca nga ju ma injektuan këtë epidemi…Hë, pillni ju si miu, pse s’pillni? Ja që nuk pillni dot. “Kolera”, thanë doktorët, quhet FAJDEMANI…
Sapo dëgjoi këtë, lozanjarja italiane rrudhi buzkat dhe spostoi kolltukun si të ruhej nga ndonjë infeksion. Kurse turkesha e lezetshme tha prapë “Allah,allah ! “.
– Të nderuar kolegë, -vijoi fukarai Lek.- Në kartelë doktorët kanë shënuar edhe terapinë intensive. Kanë dhënë vetëm një ilaç. Kemi filluar ta kërkojmë, megjithëse është i rrallë e nuk gjendet. Na ndihmoni shumë po e gjetët. Quhet PUNË… Do ta gjejmë se edhe kështu me brekë nëpër këmbë nuk rrohet…Po hë, ku është “ilaçi”?! Për herë të parë Dollari buzëqeshi, Marka bëri shenjën OK. Për herë të parë Dhrahmisë i erdhi goja; “Kalla, kalla!” dhe dy-tre të tjerë duartrokitën, kurse turkesha klithi për herë të parë “Ishallah!”. Me emocion Leku tha:
-Sot u mblodhëm për MIRËKUPTIM. Nuk kam kundërshtim. Bëjeni gati dokumentin për firmim. Vetëm kam një merak,- shprehu dyshim fukarai Lek,- më duket se do mbetem edhe pa brekë…Se ç’është vllazërimi, po tregoj vetëm këtë mesele të shkurtër e do ta mbyll. Në kohën e diktaturës, në vendin tim edhe pulat janë tallur me mua. Po, po të nderuar kolegë, edhe pulat. Që thoni ju, u mblodhën pulat një ditë. Morën edhe ato një iniciativë; vezën do ta bënin jo 7 po 8 lekë. Fjala bëhej vepër. Kështu ishte parrulla atëherë. Po njëra nga pulat, që kakariste kur pillnin të tjerat, se ajo vetë ishte dembele, doli nga tufa. Mendje pule. Asaj ia kishin prishur edhe mendjen, edhe vezët gjelat që e “shkelnin”…E thirrën në kryesinë e pulave të jepte llogari. E dini si u përgjigj ajo gjithë tangërllek?!: “Nuk e çaj bythën për një lek…”. Ja, kështu! Edhe Europa ngjan me këtë pulë… Ajo ka hall sa të na fus në valle, pastaj nuk e çan fare…Po nga ana tjetër të gjithë e “shkelin”… Mirë – keq, kaq. FALEMINDERIT!…”. Kështu e mbaroi ligjërimin Leku. Dhe u ul pa ngritur as brekët.
Askush nuk foli. Vetëm mikesha e vjetër turkesh belbëzoi: “Oh, çok gjyzel!…”.
…Ja, këto shënime më futën në mendime tani, kur kemi nisur të tjera rrugëtime…