Referendumi i dytë i Edi Ramës?

Nga Astrit Patozi

Kush thotë se e ka ditur që Edi Rama do ta ftonte një ditë Lulzim Bashën në tryezë politike, ose është delirant, që mburret kot, ose gënjen ditën për diell. Sepse, pavarësisht që në politikë përjashtohet ndajfolja “kurrë”, nuk kishte asnjë shenjë që “mrekullia” të ndodhte. Palët ndërluftuese ngjanin se ishin më larg se asnjëherë me njëra-tjetrën, si në terminologjinë luftarake të kohëve të fundit, ashtu dhe në aksionin politik, ku nuk kanë munguar muskujt edhe armët. Ndaj edhe ftesa i ka kapur të papërgatitur të gjithë, të ftuarit dhe të paftuarit, të angazhuarit dhe neutralët. Por megjithatë nuk mendoj se karta e befasisë i jep ndonjë epërsi Edi Ramës. Pikërisht për faktin se ngjan shumë i panatyrshëm në këtë rol, për shkak të portretit prej “skifteri sypatrembur”, që dita-ditës ai vetë e ka skalitur në koshiencën e publikut.

Pyetja është se cfarë ka ndodhur në kampin e qeverisë, që kryeministri e ka flakur për një cast topuzin e bajlozit, me të cilin godiste deri dje pa mëshirë mbi shpinën e kërrusur të SHQUP-it? Ky është termi që ai përdor prej 3 vjetësh për opozitën e vendit. Natyrisht, kjo nuk na shqetëson shumë ne banorëve “joautoktonë” të asaj godine, por ky është një standart komunikimi i ulët, që vetë kryeministri e ka vendosur. Për të cilin sigurisht që e ka marrë dhe do ta marrë sic duhet përgjigjen.

Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë “revolucion”, as tek Partia Demokratike, dhe as në Shqipëri, që të përligjë kthesën e papritur të sjelljes së Edi Ramës, pavarësisht përplasjeve të forta tek liqeni. Opozita nuk është bërë, as më e mirë, dhe as më e fortë gjatë kësaj jave. Qeveria, gjithashtu nuk ka ndryshuar në asnjë cep të qënies së vet, dhe kjo, jo vetëm e parë me syrin tonë, si kundërshtarë politikë. Dhe kur themi qeveria, nënkuptojmë Edi Rama. Sic ishin dikur një partia dhe Lenini. Por kryeministri tani na paraqitet cuditërisht në versionin e qengjit të urtë, për të cilin thonë se pi dy nëna.

Unë nuk besoj shumë tek spazmat e personalitetit të Edi Ramës dhe të askujt tjetër që gjendet në ato pozita, ndonëse edhe ato nuk përjashtohen, ndaj përpiqem të gjej arsyet politike. Nuk dua të hyj në analizën e tekstit të ftesës, pasi ajo është një histori më vete. Jo se nuk ka rëndësi, as se ia përtoj, por se mendoj që nuk ia vlen të merresh me përdredhjet e fjalëve të një maniaku batutash, si ai, i cili me siguri është gati t’i vërë flakën, jo vetëm Shqipërisë, por edhe Ballkanit, po të mundtte, për një shaka apo gallatë live në TV apo TWITTER.

Eshtë fare e qartë për këdo se Edi Ramës i duhet kjo lëvizje politike, por vetëm konstatimi i lehtë i kësaj nevoje të kundërshtarit, nuk mund të jetë arsye e mjaftueshme për ta refuzuar atë automatikisht. Natyrisht, as detyrim për të vrapuar menjëherë tek tryeza e supozuar e “mirëkuptimit”. Për dreq, në politikë është shumë më e lehtë të ndeshesh, kur të godasin, sesa t’i ikësh dorës së shtrirë të dialogut, qoftë edhe kur kjo të shtrihet hipokrizisht.

Opozita është në të drejtën e saj të marrë cfarëdolloj vendimi për të shkuar ose jo në një tryezë politike me një kundërshtar prepotent dhe arbitrar, por një vështirësi e ka për ta argumentuar refuzimin me krizën politike, qoftë kjo edhe shumë e rëndë. Sepse takimet e këtij niveli bëhen zakonisht në kohë krizash, si përpjekje për t’i zgjidhur ato, sepse në situata normale politike liderët nuk kanë ndonjë arsye për t’u takuar.

Pa asnjë dyshim që në sfondin e kësaj ftese të papritur është reforma e drejtësisë, pavarësisht se vetë autori thotë se për këtë temë nuk ka pse diskutohet. Kjo e përforcon bindjen time se pikërisht ky është motivi kryesor. Për fat të keq, i gjithë debati për këtë cështje deri më sot, nuk po zhvillohet se si ajo të miratohet, por kujt do t’i mbetet fatura e sabotatorit, në rast dështimi. Dhe nëse do të ketë një përgjegjës për mosvotimin e reformës, ai nuk do të caktohet prej nesh, sepse ne jemi palë, por prej arbitrave ndërkombëtarë. Ndaj edhe nuk është rastësi që Edi Rama e llogariti ta vishte kostumin e qengjit tamam ditën, që kishte në krah komisionerin Han.

Natyrisht, që brenda kësaj ftese mund të dallohen edhe konturet e raporteve të brishta dhe të ndërlikuara brenda koalicionit qeverisës, që tek reforma për drejtësi bien më lehtë në sy. Dhe arsyet janë të njohura. Duhet të jesh naiv po të mendosh se Edi Rama e ka zgjidhur krizën me Ilir Metën, vetëm se kohët e fundit duket sikur ka rënë qetësia dhe nuk po dëgjohen më krisma. Ai është një hall që bashkëjeton me ta, njësoj si sëmundjet e pashërueshme, që do t’i vuash sa të kesh jetë.

Dhe si pa dashje më shkon mendja tek situata në Partinë Socialiste para kongresit të vazhdimësisë. Kur i ndodhur në vështirësi absolute nga oponenca e fortë e Blushit dhe e të tjerëve, Edi Rama shpiku referendumin, si zgjidhje për të shmangur zgjedhjet. Ishte natyrisht një lëvizje e dëshpëruar dhe pa asnjë bazament logjik dhe politik, por gjithësesi një përpjekje për të dhënë një përgjigje apo për t’i rrëshqitur debatit.

Si një kërcim nga belaja më duket edhe kjo ftesë e papritur, që mbërriti dje në mesditë në zyrat e Partisë Demokratike, ose SHQUP-it të deridjeshëm, sipas Ramës. Dhe mendoj se, ashtu si asnjë referendum nuk mund të zëvendësojë kurrë zgjedhjet, ashtu edhe asnjë tryezë apo takim nuk mund të shmangë kurrë përgjegjësinë që ky vend po vidhet, po plackitet dhe po keqqeveriset me superarrogancë nga qeveria e Edi Ramës.

SHKARKO APP