Reforma në Drejtësi, ambasadorët dhe skandalet që po mbulohen
Nga Fatos Lubonja
(Opinion i shkruar për gazetën “Panorama”)
Tri kanë qenë, sipas radhës, skandalet më të bujshme të dy javëve të fundit. I pari ishte zbulimi se kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis apo Ervin Roshi, ka qenë i dënuar për përdhunim në Itali, dorëheqja që shoqëroi këtë zbulim dhe pastaj dorëheqja nga dorëheqja e tij nën heshtjen apo miratimin e Kryeministrit. Lajmi i dytë është ai i publikuar në shtypin italian se, sipas të dhënave të Guardia di Finanza, nga viti 2013 në vitin 2015, rezulton se plantacionet e mbjella me kanabis në Shqipëri janë trefishuar, duke u shtrirë në të gjithë vendin.
Lajmi i tretë ishte pezullimi me vendim gjykate nga detyra i drejtorit të Policisë, si dhe arrestimi i dy kuadrove të tjerë për shkak se Prokuroria ka prova serioze se pajisja e shumëpërfolur e përgjimit është futur paligjshmërisht në Shqipëri, se është përdorur paligjshmërisht për përgjime dhe se Policia ka kryer veprime të paligjshme për të zhdukur provat. Si anë tjetër e medaljes së këtij skandali kemi kryeskandalin: sulmin që u bëri Kryeministri dhe ministri i Brendshëm gjykatave dhe prokurorëve për këtë veprim.
* * *
Ka një paradoks të madh që kërkon shpjegim, kur ballafaqon tri lajmet që përmenda (që janë vetëm tri pikat e fundit në kupën e skandaleve të kësaj qeverie) me qëndrimin e qeverisë mbi Reformën në Drejtësi. Nga tri lajmet e para, del se ne kemi një qeveri që ka futur në pushtetet lokale njerëz të inkriminuar, ndër të cilët edhe të akuzuar për trafiqe droge: një qeveri që me keqqeverisjen e saj dhe, pa dyshim, edhe si rezultat i promovimit dhe bashkëpunimit me trafikantët, ka rritur tri herë plantacionet e kanabisit, d.m.th. kriminalitetin; një qeveri që kryen veprime të paligjshme deri në futjen paligjshmërisht të aparateve të përgjimit dhe përgjimin e paligjshëm të qytetarëve. Si ka mundësi që kjo qeveri bërtet kaq fort për Reformën në Drejtësi në emër të një Drejtësie të pavarur nga politika, kur vetëm bazuar në tri rastet që përmenda, një Drejtësi e tillë do ta kryqëzonte Qeverinë? Si ta shpjegojmë se pse nuk ka frikë Edi Rama nga Reforma në Drejtësi?
Një pjesë mbrojtësish të Reformës, që e shohin këtë kontradiktë dhe e pranojnë se Rama, ashtu si Berisha dhe Basha apo Meta, nuk e do një reformë të barabartë me Drejtësi të pavarur prej tyre, argumentojnë se këtë reformë ua kanë imponuar ndërkombëtarët. Dhe kështu, për të mos u prishur me ta, Rama, që ka më shumë karta në dorë, po blofon sikur e do reformën, për të rritur mbështetjen e ndërkombëtarëve. Në njëfarë kuptimi pra, këta mbrojnë idenë se shqiptarët duhet të kenë besim te reforma, pasi prapa saj janë ndërkombëtarët që janë bërë garantë se kjo reformë nesër mund të rrëzojë edhe Ramën vetë; se reforma ka ardhur si rezultat i një procesi që është i pashmangshëm, do apo nuk e do Rama, Meta, Berisha apo Basha. Sipas këtij varianti, guximi i Ramës qëndron te blofi ndaj një pokeristi si Basha, që është në pozita shumë më të dobëta. Po a mund të shpjegohet kështu guximi i kësaj qeverie që s’ka ditë që nuk bën shkelje skandaloze të ligjit dhe që prandaj duhet t’i trembet si shejtani nga thimjami Drejtësisë? Sipas mendimit tim, shpjegimi i guximit të Ramës & Co me blofin, nën hundën e ndërkombëtarëve naivë dhe syleshë, nuk qëndron. Ky guxim duhet kërkuar gjetkë si kur marrim në analizë Ramën, edhe kur marrim në analizë qëndrimin e disa ndërkombëtarëve të angazhuar në këtë proces. Ai duket kërkuar te metoda e qeverisjes së Ramës që ka qenë dhe mbetet mbulimi i asaj çka në realitet bën keq me gjethen e fikut të një imazhi që me ngulm punon ta ndërtojë nëpërmjet propagandës, ku përpiqet të përfshijë veçanërisht ndërkombëtarët. Janë disa ambasadorët që në biseda gjysmëkonfidenciale thonë se Rama u ka thënë atyre se për të rrëzuar frontin e së keqes Berishën & Co, i është dashur të bëjë kompromise me të fortë dhe kriminelë, për këtë arsye, p.sh., u bashkua me Tom Doshin etj., etj. si ky. Por, ama, këta do t’i pastrojë. Dhe për këtë i duhet Reforma në Drejtësi, pasi Drejtësia është në duart e frontit të së keqes, Berisha & Meta. Sigurisht e kaluara e këtyre e ndihmon shumë për të ruajtur këtë imazh. Në këtë lojë imazhi ai ka përfshirë edhe ndërkombëtarët, edhe ambasadorët Lu dhe Vlahutin mes të tjerash. Si rezultat i kësaj politike imazhi, ndërkohë që drejtësia e vërtetë që duhet të kërkojnë edhe ndërkombëtarët, është transparencë mbi rastet e përmendura dhe kalimin në bankën e drejtësisë së përgjegjësve, Reforma në Drejtësi e promovuar prej tyre po ndihmon që këto skandale të mbulohen.
Kryeministri dhe ministri i Brendshëm dalin e thonë se këto skandale janë provë se pse na duhet Reforma në Drejtësi, me demek se prokurorët dhe gjykatësit që kanë urdhëruar pezullimin e drejtorit të Policisë qenkan të Bashës apo Metës. Ajo që kupton edhe shqiptari më i thjeshtë që i ka ndjekur këto reagime është se Reforma në Drejtësi për këta përkthehet në mundësinë që Rama ta përforcojë edhe më shumë pushtetin me kriminelë; të rrisë plantacionet e drogës, që nëpërmjet parasë së krimit të krijojë edhe më shumë mundësi kontrolli dhe propagande; të fusë buldozerët e të shembë e ndërtojë ku të dojë e si të dojë pa ligj, në emër të këtij krimi; të ketë mundësi të përgjojë gjithnjë e më shumë kundërshtarët, pa i hyrë gjemb në këmbë sepse nesër askush nuk do të guxojë as të ngrejë zërin e jo më të bëjë ndonjë akti, siç bënë prokurorët e sotëm që kërkuan të hetohet skandali i përgjimit. Ka ardhur koha që ambasadori Lu dhe ambasadorja Vlahutin t’u japin përgjigje shumë shqiptarëve që, të ballafaquar përditë me skandale të tilla, pyesin: A nuk e shohin këta këtë rrezik apo bëjnë gjethen e fikut të qeverisë për interesa që s’kanë të bëjnë me kërkesat e shqiptarëve për më shumë drejtësi, liri dhe demokraci?
* “Panorama”