Reforma në drejtësi: Po shqiptarët ku e gjejnë veten!
Nga Andi Bejtja/Fatmirësisht për politikanët dhe fatkeqësisht për shqiptarët, reforma në drejtësi, nga detyrë shtëpie, u kthye në një film thriller e tani në një komedi, në fakt jo vetëm shqiptare, por dhe ndërkombëtare. Në të, edhe dy aktorët e huaj kryesorë, ambasadori Lu dhe ambasadorja Vllahutin, edhe pse me synim të mirë e me mantelin e misionarit mbi sup, drejt fundit të filmit, siç e keni parë dhe vetë, bëhen si të gjithë, personazhe komike. Më komiku dhe njeriu që i vuri vulën e plotë të komedisë kësaj që po ndodh, vazhdon të mbetet Kryeministri ynë, i cili parmbrëmë, pas një kohe jo të shkurtër negociatash dhe ecejakesh për reformën në drejtësi, tha se “dhe ndërkombëtarët nuk janë të pagabueshëm”. Sa për të mbyllur këtë parantezë, unë pres ta thonë vetë ndërkombëtarët me gojën e tyre që gabuam, përndryshe kjo fjali është një mesazh tjetër i keq për shqiptarët, që vjen nga mentaliteti i këtij Kryeministri.
Gjithsesi, ky nuk është thelbi i asaj që po ndodh me të ashtuquajturën reformë në drejtësi. Reforma në drejtësi po bëhet me sforco nga kjo klasë politike, për të bërë detyrat në letër ndaj Europës: çdo kush nga aktorët politikë kërkon të marrë një parzmore për t’u mbrojtur, në njërën dorë, dhe një kupë me helm për kundërshtarin, në dorën tjetër. Ndërkombëtarët, ndërkohë, duan të bëjnë detyrat në letër dhe, ashtu siç thonë nën zë, reforma quhet e mbyllur kur të jenë dy ose tre politikanë pas hekurave dhe kaq. Dhe, siç po e shikojmë të gjithë për ditë, debatet për reformën në drejtësi po bëhen nga politika për politikën, se kush do ketë më shumë parzmore e kush më shumë helm.
Në gjithë këtë situatë, unë kam një pyetje: po shqiptarët ku janë te kjo reforma në drejtësi? U futën dy apo tre politikanë të korruptuar brenda, morën fletë lavdërimi edhe ambasadorët Lu e Vllahutin, ndërkohë që, mbetën jashtë me dhjetëra të korruptuar të tjerë, dhe u zgjidhën problemet e shqiptarëve me drejtësinë? Ja po e zëmë se reforma në drejtësi, sipas disa zërave, viktimë të vetën të parë do të ketë Kryeministrin në detyrë, prapë a u zgjidhën problemet e shumta të përditshme që kanë shqiptarët me drejtësinë? Të gjithë e kemi të qartë se problemet tona do të mbeten të njëjtat, në mos më keq. Kjo më shumë është reformë shou, e programuar për duartrokitjet e Europës dhe të Shteteve të Bashkuara, sesa për t’u zgjidhur problemet shqiptarëve. Se po të ishte ndryshe, do të kishim parë të paktën një debat të këtyre ekspertëve ose të këtyre aktorëve politikë për kohëzgjatjen e gjykimit të çështjeve, e shumë e shumë debate të tilla, që lidhen vërtet me pafundësinë e problemeve të shqiptarëve me drejtësinë.
Ne shohim se si po ngrihet një gjykatë, të themi speciale, për politikën, me dorën e vetë politikës, fundja fundit, edhe pse të shtyrë nga ndërkombëtarët dhe nuk shohim gjykatë speciale për çështjen e pronave, për shembull, për çështjen më të madhe shqiptare, për batërdinë më të madhe, për krimin më të madh dhe në fakt për nga vetë specifikat e Shqipërisë, për çështjen më të ndërlikuar e rrjedhimisht dhe më të deformuar. Por, ne nuk na jepen këto alternativa, ne dëgjojmë të flasë vetëm politika për politikën mbi politikën, bazuar në një reformë modeli i së cilës ka dështuar dhe aty ku është mbjellë. Ne kemi për ta fërkuar barkun po u futën dy apo tre politikanë të lartë në burg, por njësoj do të ulërijmë nëpër emisionet e mëngjesit për problemet tona të pazgjidhura, për falsifikimet në hipoteka, për pronat e vjedhura. Prapë përgjigjen e lotarisë amerikane do ta kemi festë kombëtare. Për ne kjo është një reformë për të fërkuar barkun, por jo për të qetësuar shpirtin. Syri.net