Reforma Zgjedhore, Astrit Patozi: Po “grinden” prapë për asgjënë
Nga Astrit Patozi
PO “GRINDEN” PRAPË PER ASGJËNË
Sa më shumë propozime për formulën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, aq më i lumtur do të jetë populli për të ardhmen e ndritur që e pret, pas këtij dakordësimi të ri.
Sepse vetëm aty ka ngelur puna me hallet, që kemi me zgjedhjet. Gjithçka tjetër është në rregull.
Është kaq e rëndësishme kjo çështje për procesin, saqë në vitin 2013, megjithëse nuk kishte asnjë anëtar në KQZ, Partia Socialiste arriti t’i fitojë zgjedhjet, madje edhe me rezultat të thellë.
Të njëtën gjë ka bërë Partia Demokratike në vitet e fundit, duke mos i plotësuar vendet e opozitës në atë institucion. Por kjo nuk ka shkaktuar asnjë pengesë, si për djegien “heroike” të mandateve dhe zëvendësimin e tyre ne parlament, ashtu edhe për zhvillimin e zgjedhjeve “moniste” të Edi Ramës, disa muaj më vonë.
Mjafton kaq për të kuptuar se po bëjnë sikur zihen dhe janë duke u prishur sërish për ASGJËNË, thjesht ngaqë nuk duan të shkojë gjuha atje ku dhemb dhëmbi, tek ndryshimi i sistemit dhe tek hapja e listave.
PS. Në këtë opinion nuk është marrë parasysh tema e nxehtë e tenderit të pajisjeve për identifikimin biometrik, sepse jemi të bindur se për atë nuk do të prishen kurrë palët ndërluftuese në Këshillin Politik.