Refrenit “Fajin e ka Saliu” i ka mbaruar karburanti
Nga Eduard Zaloshnja.
Në dy vjetët e para të qeverisjes, qeveria Rama ka shpenzuar 1.2 miliardë dollarë për të shlyer detyrime të prapambetura të qeverisë së “Saliut”, si dhe interesa të borxhit të akumualuar ndër vite. Për këtë, ka marrë 900 milionë dollarë borxhe të reja dhe 300 milionë dollarë i ka marrë nga të ardhurat korrente të buxhetit (që mund t’i kishte përdorur për investime të së ardhmes, në vend që t’i shpenzonte për të mbuluar gropat e së shkuarës).
Në dy vjetët e para të qeverisjes, qeveria Rama e ktheu sektorin e energjisë elektrike nga një gropë thithse që i merrte buxhetit 150 milionë dollarë në vit, në një kontribues të rëndësishëm për buxhetin (nëpërmjet tatimit mbi fitimit që realizon).
Pra, gropat kryesore që la “Saliu” në ekonomi janë mbushur tashmë. Me fjalë të tjera, refrenit “Fajin e ka Saliu” i ka mbaruar karburanti në fushën e ekonomisë.
Projektet e mëdha infrastrukturore të nisura duhet të përfundojnë në dy vjetët e ardhshme. Autostrada Tiranë-Elbasan, Unaza e Madhe e Tiranës, e Fierit dhe e Vlorës, Rruga e Arbërit, Rruga Qukës-Qafë Plloçë duhen përfunduar deri në fund të 2017-ës.
Gjithashtu, ndërprerjes kronike të energjisë elektrike gjatë ditëve të ftohta i duhet dhënë fund deri në fund të 2017-ës. Sepse përndryshe, në sytë e qytetarëve të thjeshtë, do të rrëzohet fabula “Po tregohemi të ashpër me mbledhjen e faturave të energjisë elektrike, që të kemi para për të përmirësuar rrjetin”.