Rendimenti fiskal, Rama përballë Berishës
Nga Eduard Zaloshnja/Gjatë prezantimit të një projekti të ri të Bankës Botërore për qarqet e jugut, Edi Rama deklaroi se “refoma kundër informalitetit ka dhënë disa rezultate, por ende mbetemi të pakënaqur”. Dhe në fakt, ka vërtet arsye të jetë i pakënaqur.
Një nga treguesit kryesorë të pakësimit të informalitetit në ekonomi është rritja e rendimentit fiskal të qeverisë – thënë ndryshe, e aftësisë së saj për të vjelë taksat e tatimet. Po të krahasojmë vitin e tretë të qeverisjes së Ramës me vitin e tretë të qeverisjes së Berishës, shohim se rendimenti fiskal në dy periudhat ka qenë i njëjtë.
Që krahasimi të ketë kuptim, duhen krahsuar taksa që nuk u janë ndryshuar përqindjet e aplikimit, dhe që të ardhurat prej tyre të llogariten si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (për të shmangur ndikimin në to të rritjes ekonomike dhe të inflacionit).
Dy taksa të tilla janë TVSH-ja dhe sigurimet shoqërore/shëndetsore, të cilat sigurojnë mbi gjysmën e të ardhurave shtetërore. Një nivel i lartë i të ardhurave nga taksa e parë tregon se shumica e mallrave qarkullojnë me fatura reale, ndërsa niveli i lartë i së dytës tregon se shumica e punonjësve janë të regjistruar dhe se pagat e tyre raportohen afër realitetit.
Në 6-mujorin e parë të 2016-ës, të ardhurat nga TVSH-ja ishin sa 8.7% e PBB-së, ndërsa në 6-mujorin e parë të 2008-ës ishin sa 9.6% e PBB-së. Ndryshe mund të themi se të ardhurat nga TVSH-ja do të kishin qenë rreth 60 milionë dollrarë më shumë në 6-mujorin e parë, nëse rendimenti fiskal i kësaj takse do të kishte qenë në nivelin e 2008-ës.
Të ardhurat nga sigurimet shoqërore/shëndetsore ishin sa 5.3% e PBB-së në 6-mujorin e parë të 2016-ës, krahasur me 4.4% të PBBsë që ishin në të njëjtin 6-mujor të 2008-ës. Ndryshe mund të themi se të ardhurat nga sigurimet shoqërore/shëndetsore do të kishin qenë rreth 60 milionë dollrarë më pak në 6-mujorin e parë, nëse rendimenti fiskal i kësaj takse do të kishte qenë në nivelin e 2008-ës.
Nëse i kombinojmë të ardhurat nga të dyja burimet, shohim se rendimenti fiskal i tyre është i njëjtë – 14% e PBB-së. Po ndërkohë që rendimenti fiskal i qeverisë Rama ishte njësoj me atë të qeverisë Berisha (në vitin e tretë të qeverisjes), ato ndryshojnë për sa u përket shpenzimeve.
Qeveria Rama e mbylli 6 mujorin e parë të këtij viti me suficit buxhetor. Të ardhurat ishin sa 27.5% e PBB-së, ndërsa shenzimet ishin më të ulta – sa 25.3% e PBB-së.
Nga ana tjetër qeveria Berisha e mbylli 6 mujorin e parë të 2008-ës me deficit buxhetor. Të ardhurat sa 26.4% e PBB-së, ndërsa shenzimet ishin më të lartë – sa 26.9% e PBB-së. Dhe problemi me qeverinë Berisha ishte se, nga viti në vit, e uli rendimentin në vjeljen e të ardhurave (24.1% e PBB-së kur mbaroi mandatin), ndërkohë që i rriti shpenzimet (të deklaruara e të padeklaruara). Gjë që ndikoi për ndërhyrjen e FMN-së më 2013, me një kredi të butë 400 milionë dollarëshe…Respublica.al