Replika të forta mes Macron dhe Le Pen

Të dy kandidatët për president në Francë, Emmanuel Macron e Marine Le Pen zhvilluan një duel të ashpër televiziv të mërkurën. Macron akuzoi rivalen për përçarje të shoqërisë, ndërsa Le Pen, Macron për brutalitet social.

Që në fillim të duelit (04.05.) e sulmoi kandidatja e Front National, ish-ministrin e Ekonomisë dhe socialliberalin, Emmanuel Macron. Ai qëndron për “brutalitetin social” dhe “për luftën e të gjithëve kundër të gjithëve”, tha Le Pen. Veten ajo e stilizoi si “kandidate e popullit”.

Macron: Le Pen fyen njerëzit për shkak të prejardhjes

Ndër sa Macron akuzoi rivalen e tij, se nuk bën propozime konkrete për të luftuar papunësinë. Sipas tij, ajo nuk mban vetëm emrin e të atit, por ndjek edhe trashëgiminë e tij. Le Pen përhap “gënjeshtra” dhe “budallallëqe”, sulmoi Macron. Sipas tij ajo simbolizon “shpirtin e dështimit” dhe jep një imazh negativ të Francës. Macron e kundërshtoi këtë strategji, duke thënë se ai dëshiron të bazohet në sukseset dhe fuqinë e Francës.

Politikani pa parti, Macron i tha Le Pen se nuk bën propozime konkrete për problemet ekonomike të Francës, por vetëm e përçan shoqërinë dhe fyen njerëzit për shkak të origjinës. Ndërsa Le Pen i hodhi poshtë këto duke theksuar se “kjo është kënga e vjetër”. Ajo theksoi planin e saj për t’u kthyer tek valuta e vjetër franceze. Euro është “valuta e bankave dhe jo e popullit”, tha ajo.

Le Pen: Franca qeveriset ose nga unë ose zonja Merkel

Me sa duket Le Pen shikon konkurrencë jo vetëm tek Macron, por edhe Angela Merkel. Nga e diela Franca do të qeveriset patjetër nga një grua, tha ajo, por nëse nga unë, apo nga Angela Merkel, kjo mbetet të shihet. Macron, nuk do të bëjë asgjë, pa miratimin e Merkelit, deklaroi Le Pen. “Ka disbalanca mes Francës dhe Gjermanisë, që në të vërtetë janë embrionet e një lufte”, tha ajo. Në debatin e mëparshëm, Le Pen kishte thënë nuk dua të jem zëvendëskancelarja e Merkelit.

Pas duelit, spektatorët vlerësuan më mirë deklaratat e Macron. 63% vlerësuan Macron, dhe vetëm 34% Le Pen, raportoi televizioni BFMTV. Instituti Elabe kishte pyetur shikuesit në debatin që zgjati dy orë e gjysmë.(DW)

SHKARKO APP