Replika/Napolon Zerva është shqiptar, sa është Aurel Plasari grek
“Teza që ai është shqiptar është më shumë se djallëzore. Në këtë mënyrë gjendet justifikimi më i arrirë se shqiptarët ia kanë bërë të keqen njëri-tjetrit dhe nuk ka përse t’i kërkosh Greqisë së sotme as ndjesën për atë krim monstruoz mbi një popullsi të pambrojtur dhe normalisht nuk ke përse të kërkosh vendosjen e të drejtës së pamohueshme të pronës për një krahinë të tërë“…
Nga Enkel Demi
Napolon Zerva është një nga figurat më të errëta në historinë moderne të Ballkanit. Pa dyshim që vepra e tij është krejt e krahasueshme me atë të Sllobodan Millosheviçit, ndërsa kohët e zhvillimit janë të ndryshme. Me foto, fakte, arkiva është e vërtetueshme që Napolon Zerva bashkëpunoi me nazistët në Luftën e Dytë Botërore, udhëhoqi pastrimin etnik ndaj popullsisë hebre dhe shqiptare të viseve të Çamërisë, është një nga drejtuesit e luftës civile greke dhe më pas gëzoi në qeveritë e pasluftës portofole ministri. Kaq shumë qe shfaqur në veprimtarinë e tij gjakatare sa karriera e tij politike, me të tjera ligjësi nuk gëzoi shumë sukses, pasi u shmang, derisa në vitin 1957 vdiq pothuaj fillikat në Athinë. Nuk është çnderuar asnjëherë nga autoritetet greke, është i përfshirë si hero në tekstet e historisë, ka disa shtatore, me një fjalë konsiderohet hero grek.
Profesor Aurel Plasari nuk është i vetmi që zbulon në rrënjët e tij suliotin e Shqipërisë, pra e konsideron Napolon Zervën shqiptar. Në fakt, nuk kemi asnjë gjurmë në jetën e tij që e dinte gjuhën shqipe, e shkruante apo këndonte “Tumankuqen”, kur ishte çakërqejf. Ka kryer një veprimtari mirëfilli spastrimi etnik ndaj shqiptarëve dhe nuk ka patur pikën e brejtjes së ndërgjegjes për këtë. Ka qenë më shumë se gjakatar, kur janë vrarë prejt tij në Parimithi gra, fëmijë, madje foshnje në barkun e nënës. Të gjithë këtë veprimtari e ka kryer në emër të helenizmit dhe pa dyshim ëndrrës së Vorio Epirit.
Teza që ai është shqiptar është më shumë se djallëzore. Në këtë mënyrë gjendet justifikimi më i arrirë se shqiptarët ia kanë bërë të keqen njëri-tjetrit dhe nuk ka përse t’i kërkosh Greqisë së sotme as ndjesën për atë krim monstruoz mbi një popullsi të pambrojtur dhe normalisht nuk ke përse të kërkosh vendosjen e të drejtës së pamohueshme të pronës për një krahinë të tërë.
Ballkani është i mbushur me plot me personazhe me rrënjë të çuditshme që kanë kryer koloni ndëshkimore ndaj popujve të origjinës së tyre, por askush nuk ka përse të mbroj tezën që shqiptarët e kanë parë të keqen nga vetja, grekët nga grekët, serbët nga serbët. Vetë në librin “Skënderbeu” të profesor Plasarit një pjesë e ushtarakëve të lartë osmanë janë me origjinë shqiptare. Këta duhet t’i konsiderojmë pushtes dora jonë? Dhe kjo histori kështu vazhdon deri në pavarësinë e Shqipërisë. Pyetja është: Çfarë është Kombi? Analizë e ADN-së?
Në këtë rast çfarë duhet t’i konsiderojmë patriotët e Rilindjes Kombëtare që kanë bërë të pamundurën për përhapjen e gjuhës shqipe? Një pjesë e tyre janë me origjinë vllehe. Ata kanë kryer një aktivitet patriotik, madje duke e paguar me jetë. Ata janë patriotët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, janë shqiptarë pa asnjë dyshim.
Ndaj Napolon Zerva është kolaboracionist, kriminel i Greqisë që ushtroi terror dhe spastrim etnik mbi popullsinë e Çamërisë. Një tezë tjetër thjesht të rreshton në anën e barrikadës së Zervës dhe të kthen në justifikues të masakrës, ku ka plot që u janë vrarë robt’ e shtëpisë. 27.al
Plasari, Idrizit: Çamët bashkëpunuan me nazistët, shih Napoleon Zervën