Reportazh i BIRN/ Varfëri dhe hashash në Shqipëri. Kultivuesit tregojnë mbrojtjen policore
Shqipëria po shkul një sasi të paprecedent kanabisi, por korrupsioni i gjithëpërhapur dhe dështimi për goditjen e bosëve të industrisë multimiliardëshe e hedh poshtë argumentin e “luftës kundër drogës” të këtij vendi anëtar të NATO-s.
Nga Elvis Nabolli-
Ndërsa muzgu po i lë vendin natës, shtegu i ngushtë në mal bëhet gjithnjë dhe më i vështirë. Gjergji na udhëheq për dhjetë minuta më këmbë anës rrugës kryesore, përmes një pylli ahu ku shumë lëndina janë mbjellë me kanabis, të cilat tashmë kanë nxjerrë sythat e parë nga toka.
Njëzet e një vjeç, Gjergji i la studimet në universitet në mënyrë që të kujdeset për plantacionin që gjendet pranë një shtëpie të vjetër që familja e tij ka në zonën e ashpër të Alpeve Shqiptare, pranë qytetit të Shkodrës në veri të vendit.
“Kjo bimë ka nevojë për shumë punë. Por nëse ia dalim deri në fund, fitimi do të jetë i konsiderueshëm,” thotë ai. “Me paratë që do të fitoj, do të rregulloj shtëpinë në Shkodër. Pastaj do të iki në Angli.”
Gjergji nxjerr bidonat pesëlitërshe të ujit të fshehura në shkurre dhe i mbush ato në gropa uji shiu në pyll për të vaditur bimët e kanabisit.
“Tani ka më shumë të rinj si unë këtu në mal duke u marrë me kanabis se sa ka atje në qytet,” thotë ai. Por suksesi varet nga një faktor i rëndësishëm.
“Kjo ia vlen vetëm nëse ke lidhje me një polic. Ai do të më lajmërojë mbi operacionet e policisë në këtë zonë, kështu që, nëse ia dal ta korr, nga të 2 mijë bimët që kam mbjellë, 200 janë të tijat.” Kjo do të thotë se dhjetëra-mijëra euro do të përfundojnë në xhepin e policit të korruptuar, në rast se bima rritet e fortë dhe e lartë.
Këto janë rrënjët e një industrie multimiliardëshe që përgjatë 25 viteve të fundit e ka kthyer Shqipërinë në një nga burimet kryesore të kanabisit në tregun ndërkombëtar, duke u ngjitur krahas vendeve të tilla si Kolumbia, Xhamajka, Holanda e Paraguai.
Në vitin 2013, pushteti ndryshoi duar dhe një qeveri e re socialiste nën drejtimin e artistit të kthyer në politikan Edi Rama i deklaroi luftë kultivimit të kanabisit në vitin që pasoi, me një sulm pesëditor mbi një qendër famëkeqe droge pranë kufirit jugor të vendit me Greqinë.
Atë vit, 2014, policia sekuestroi 101 tonë marijuanë, pak më shumë se sa në nëntë vitet e shkuara të marra së bashku. Mbi gjysmë milioni bimë kanabisi u shkatërruan, ndërsa vitin që pasoi, ky numër u rrit në 800 mijë rrënjë ndërsa në nëntë muajt e parë të vitit 2016, policia thotë se e ka dyfishuar sasinë e bimëve të shkatërruara sërish në 2.1 milionë rrënjë.
Shifra të tilla, argumenton qeveria Rama, janë prova se ajo po e fiton luftën kundër drogës pas shumë viteve pandëshkueshmërie gjatë qeverisjes së kundërshtarëve të tij demokratë.
Por gjithsesi, një investigim për ‘Bursën Ballkanike për Gazetari Ekselente’ prezanton një panoramë më komplekse: të papenguar, kultivuesit janë shpërndarë në zona të thella malore; trafikantët krenohen me mbrojtjen që gëzojnë nga policia; hetuesit italianë mahniten nga aftësia e grupeve kriminale shqiptare; dhe në Europë e në Shtetet e Bashkuara qeveritë ankohen për dështimin e qartë të aleatit të tyre në NATO për të arrestuar ndonjë trafikant më të lartë se sa ushtarët e thjeshtë.
Varfëria e gjithëpërhapur, nga ana tjetër, e dobëson përpjekjen për të bindur kultivuesit e marijuanës se ata kanë një alternativë.
“Organizatat kriminale janë të tilla që mësojnë dhe përshtaten me shpejtësi përballë masave ndëshkuese nga lart, poshtë,” thotë Jana Arsovska, një asistent profesore në Kolegjin John Gray për Drejtësi Penale në Nju Jork dhe eksperte për krimin e organizuar në Ballkan.
“Ke nevojë që njerëzit dhe shoqëria ta luftojnë këtë problem, jo thjesht agjencitë e shtetit.”
Drejtësi selektive
Lufta filloi në Lazarat, një fshat në Shqipërinë e jugut në të cilin, përgjatë 15 viteve të fundit qe ndërtuar një industri kanabisi unike në të gjithë Europën. I armatosur rëndë, fshati qe përgjegjës për gati gjysmën e prodhimit të kanabisit në Shqipëri me një prodhim prej rreth 900 tonësh në vit, sasi që me vlerën e rrugës në Europë arrin në 4.5 miliardë euro.
Banorët e saj, të cilët haptazi kultivuan kanabis në oborret e shtëpive dhe në fusha, votuan rregullisht për demokratët, të cilët qeverisën vendin nga viti 2005 deri më 2013.
Rama urdhëroi shkatërrimin e industrisë së kanabisit të këtij fshati një vit pasi mori postin e kryeminstrit dhe vetëm pak ditë para se Bashkimi Europian të vendoste nëse do t’i jepte Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim, çka do i sjellë vendit më shumë fonde të BE-së.
Rreth 800 oficerë policie, përfshirë forcat speciale me mjete të blinduara, e rrethuan fshatin në qershor për pesë ditë me rradhë, duke u përballur me të shtënat e atyre që qenë të vendosur të mbronin të mbjellat, para se të tërhiqeshin dhe të fshiheshin nëpër male. Rreth 130 mijë bimë kanabisi u dogjën, katër laboratorë droge u shkatërruan dhe 80 tonë marijuane u konfiskuan. Dhjetëra njerëz u arrestuan.
Rama tha se policia e pati thyer “tabunë 20 vjeçare të një zone krimi që e kishte shpallur veten republikë të pavarur dhe qe kthyer në një njollë turpi për Shqipërinë”. Ministri i tij i brendshëm, Sajmir Tahiri, tha se kjo demonstronte vendosmërinë e qeverisë për të “vendosur sundimin e ligjit në çdo cep të Shqipërisë”.
Por dy vjet më pas, vetëm 10 vetë janë burgosur, më së shumti nën akuzat se hapën zjarr ndaj policisë dhe për kultivim marijuane.
Të arrestuarit u panë gjerësisht si lojtarë të vegjël në një operacion të krimit të organizuar në shkallë industriale, ndërsa udhëheqësit e grupit duket se u larguan të paprekur ose ka gjasa që nuk gjendeshin fare aty.
Në Raportin e Progresit mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim, që u publikua në nëntor 2016, BE-ja lavdëroi “sekuestrimet mbresëlënëse të drogës dhe shkatërrimet e plantacioneve të kanabisit”, por tha se numri i dënimeve vijon të mbetet i ulët. Hetimet dhe përndjekjet, thuhet në raport, “nuk shkojnë mjaftueshëm lartë në zinxhirin e furnizimit me drogë”.
“Policia dhe prokuroria nuk ia dalin të identifikojnë grupimet kriminale pas kultivimit dhe trafikimit të drogës ndërsa ndjekja efikase juridike në proceset penale rrallë herë është e sigurt”, thuhet në raport.
Raporti i vitit të mëparshëm paralajmëronte se hetimet financiare, masat kundër pastrimit të parave dhe konfiskimi i aseteve qenë të “nënpërdorura”. Në të vërtetë, mes viteve 2010 dhe 2015, thuhet në raport, më pak se 35 vetë janë dënuar për pastrim parash.
Arsovska i tha BIRN: “Shoqëria shqiptare funksionon me sistemin e njerëzve të afërm dhe miqve dhe dikush mund të arrestohet vetëm kur ai nuk ka miq as në polici dhe as në administratën publike.”
“Megjithëse qeveria pretendon se është duke ‘luftuar’ problemin e drogës, në të njëjtën kohë ne kemi keqbërës të rëndësishëm trafikantë droge që lirohen dhe i shpëtojnë burgut.”
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu, e theksoi këtë problem në shtator, kur i tha një grupi studentësh të gazetarisë se si qeveria aktuale ashtu edhe ajo e shkuar “kanë një problem me trafikun e drogës dhe se ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikun e drogës”.
Ai i rikujtoi dëgjuesve: “Ne e dimë se ka shumë anëtarë të parlamentit, ka kryebashkiakë në Shqipëri dhe ka pasur kandidatë për kryebashkiakë që kanë dënime për trafik droge në vendet anëtare të BE-së.”
BIRN kërkoi një intervistë me Ministrinë e Brendshme dhe dërgoi pyetje me email mbi çështjet e korrupsionit mes policëve dhe akuzave se shteti ka dështuar të godasë krerët pas industrisë së kanabisit, por nuk mori përgjigje. BIRN kërkoi gjithashtu koment nga Policia e Shtetit dhe policia kufitare por nuk mori sërish përgjigje.
Duke u përshtatur për të mbijetuar
Ka shenja se shpartallimi në Lazarat i ka shpërndarë kultivuesit në zona të tjera në mënyrë që të plotësojnë kërkesën; ata gjithnjë e më shumë po mbjellin në toka publike dhe jo në toka private, brenda pyjeve apo në shpate malore në zona të thella, duke e bërë të vështirë për policinë që të dallojë plantacionet dhe të identifikojë përgjegjësit, thotë policia.
Në një analizë e brendshme nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, pjesë të të cilës u rrodhën në median shqiptare në qershor, shkruhet: “Gjatë muajve të fundit, kultivimi i kanabisit është përhapur në të gjithë vendin dhe në të gjitha qarqet.”
“Kultivuesit e kanabis sativa,” sipas një pjese të raportit të siguruar nga BIRN, “përdorin tokë nën pronësi publike, më së shumti në pyje dhe kullota, ose pranë burimeve të ujit që gjenden larg zonave të banuara.”
Një zëdhënës për Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili u emërua në këtë post nga parlamenti nën qeverinë e mëparshme të udhëhequr nga Demokratët në vitin 2012, nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për të konfirmuar ekzistencën e raportit dhe gjetjet e tij.
“Situata këtë vit është e pakrahasueshme me vitet e kaluara, për shkak të rritjes së stërmadhe të sipërfaqes së kultivuar,” tha Hivzi Bushati, ish-drejtues i Forcave Speciale të Policisë për Shqipërinë e veriut, i cili u pushua nga puna kur socialistët morën pushtetin dhe tashmë është anëtar i demokratëve në opozitë.
“Pa lidhje me policinë dhe politikën, askush nuk ka kurajën dhe trimërinë për një investim të tillë, që të kultivojë mijëra bimë kanabisi nëpër të gjithë vendin,” i tha ai BIRN në një kafene në Shkodër.
Qeveria e hedh poshtë argumentin se prodhimi i kanabisit është rritur apo se oficerë policie janë të përfshirë në të. Ajo hedh poshtë gjithashtu akuzat e ngritura nga demokratët në opozitë për bashkëpunim me trafikantët.
“Publiku po krijon përshtypjen e gabuar se ka një rritje të sipërfaqes së kultivuar me kanabis,” tha Altin Qato, zëvendës drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit në një konferencë për shtyp në gusht. “Në fakt nuk është kështu, policia është thjesht më e aftë për të identifikuar dhe për të vepruar.”
Ai tha se Ministria e Brendshme nuk ka të dhëna që të implikojnë punonjës të policisë. “Nëse do t’i kishim, do t’i arrestonim për shkak se bashkëpunëtorët janë njësoj si kultivuesit.” Më vonë, në shtator, Qato tha se tetë oficerë policie qenë pushuar nga puna ndërsa 21 të tjerë qenë nën hetim nën dyshimin se nuk kanë monitoruar zonat nën përgjegjësi të tyre.
E bekuar me 218 ditë diell në vit dhe me burime të bollshme uji që rrjedhin nga malet, Shqipëria është një tokë pjellore për kanabisin.
Enver Hoxha, diktatori komunist që mbylli kufijtë e Shqipërisë përgjatë sundimit të tij stalinist dhe paranojak pas Luftës së Dytë Botërore, ndaloi kultivimin e kanabisit në vitin 1946. Kjo drogë qe tregtuar lirshëm për dëfrim dhe përdorim si ilaç gjumi për fëmijët.
Nën regjimin e Hoxhës, shteti mori kontrollin, duke e rritur atë si një bimë industriale për eksport, në terrenin e asaj që është sot Universiteti Bujqësor në Kamëz, një bashki në qarkun Tiranë.
“Qe kanabis i cilësisë shumë të mirë,” tha për BIRN Ahmet Osja, ministri i fundit i bujqësisë për partinë në pushtet para se komunizmi të rrëzohej në vitet 1991-92. “Zviceranët e kërkonin sepse qe cilësi e mirë dhe për shkak se qe i lehtë. Përdoret në farmaceutikë, bimë mjekësore dhe për litar.”
Fundi i komunizmit solli një dekadë destabiliteti të dhunshëm me rebelim civil në Shqipëri dhe luftë në vendet fqinje të ish-Jugosllacisë. Armët u bënë të zakonshme, politika u bë tepër e polarizuar dhe grupet kriminale lulëzuan. Një vend anëtar i NATO-s që nga viti 2009, Shqipëria është ende duke u përballur me trashëgiminë e viteve 90 dhe me fuqinë e rrjeteve kriminale të organizuara dhe të ngulura thellë, të cilat janë përhapur në të gjithë Europën Perëndimore.
Arsovska tha se përpjekjet jetëshkurtra të qeverive të njëpasnjëshme të Shqipërisë që nga rënia e komunizmit për të ndaluar tregtinë e drogës u bënë “më shumë për famë dhe reklamë”, shpesh të motivuara nga politika e “shkopit dhe karrotës” të ndjekur nga BE ndaj vendeve të Ballkanit që ëndërrojnë të anëtarësohen një ditë në këtë bllok.
“Në përgjithësi, ka mungesë të organizimit institucional solid dhe afatgjatë në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri,” tha ajo. “Krimi i organizuar jeton në simbiozë me institucionet e shtetit.”
“Adaptimi fleksibël i mbështetur në analizimin e rrugëve për të anashkaluar politikat e qeverisë kundër drogës ndihmon për të shpjeguar arsyen se pse industria e jashtëligjshme vijon të ekzistojë në Kolumbi apo në Shqipëri, pavarësisht faktit që qeveritë kanë shkatërruar disa organizata kyçe, përfshirë grupimet Medelin dhe Kali apo grupin e Lazaratit.”
Libri i Fakteve të Botës të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, (CIA) përshkruan “prodhim të kufizuar opiumi dhe prodhim në zgjerim të kanabisit në Shqipëri” dhe thotë se organizatat shqiptare të narko-trafikut janë “aktive dhe në zgjerim në Europë”.
Transportuesi
Në Hot, një fshat i thellë malor në kufi mes Shqipërisë dhe Malin e Zi, një trafikant tregoi një shteg të ngushtë të fshehur mes shkurreve dhe pemëve.
“Nga kjo pikë e më tutje, ne përdorim kafshë për transport,” tha ai.
“Puna e policisë është e thjeshtë, sapo arrihet një marrëveshje. Ata thjesht e kthejnë radarin në anën tjetër, larg malit dhe në drejtim të Liqenit të Shkodrës, dhe na thonë se kur është rruga e lirë në mënyrë që të dërgojmë mallin të sigurt në destinacion.”
“Për të transportuar një kilogram kanabis sativa, ne paguajmë 50 euro dhe kjo mbulon transportuesit në Shqipëri dhe në Malin e Zi, ndërsa policia merr një hise tjetër për shkak se është e pamundur të transportosh gjë pa lejen e tyre,” tha ai për BIRN. Transportuesit përdorin gomerë, tha ai, të ngarkuar me 50 deri në 100 kilogramë.
“Zakonisht vetëm ata që përpiqen të kalojnë vetë apo nuk janë korrekt me pagesat me kontaktet e tyre brenda policisë kufitare arrestohen,” shpjegoi trafikanti.
Në Hot, një ‘trasportues’ i tillë zë një karrige në cepin e një kafeje në tarracë, me pamje nga rruga. Ai thotë se e ka emrin Gëzim. “Të gjithë këtu kanë veshë, megjithëse të gjithë e bëjnë këtë,” thotë ai.
Njësoj si transportuesit e tjerë, ai e njeh terrenin dhe ka lidhje me policinë.
“Në maksimum, ne menaxhojmë të transportojmë 100 kilogramë në ditë dhe pagesa është e njëjtë, 50 euro për kile. Zakonisht ne ecim gjatë natës ose pas mesditës”, kur njerëzit ose janë duke ngrënë, ose janë duke fjetur.
“Nëse do ta bësh këtë, duhet të flasësh me ata në pushtet. Përndryshe, përfundon në burg për një kohë shumë të gjatë.”
Sipas ligjit shqiptar, kultivimi dhe transportimi i kanabisit ndëshkohet me tre deri në shtatë vjet burg, ndërsa nëse bëhet si pjesë e një grupi të organizuar dënohet me pesë deri në dhjetë vjet burg. Udhëheqësit e grupeve kriminale mund të dënohen me shtatë deri në 15 vjet burg.
Nga Hoti në Malin e Zi, droga e gjen rrugën më tutje përmes kufijve porozë të ish republikave Jugosllave, përmes Serbisë, Bosnjës ose Kroacisë dhe në fund, në zonën pa kufij Shengen të Bashkimit Europian, e cila fillon në Hungari ose Slloveni.
Trafikantë të tjerë ndjekin një rrugë më të drejtpërdrejtë, nga deti ose ajri nga brigjet perëndimore të Shqipërisë në brigjet e Puljas në Italinë e Jugut. Më pak se 200 kilometra është distanca që ndan Durrësin në Shqipëri me portin e Barit në Itali.
“Marijuana shqiptare vjen shpesh me skafë të fuqishëm, përmes tokës nga Mali i Zi, Kroacia e Sllovenia, ose me avionë të vegjël të quajtur Piper,” tha një hetues në Guardia di Financa, agjencia italiane që ka detyrën të luftojë krimin financiar, trafikun dhe tregtimin e drogës.
“Sipas metodës më të fundit, trafikantët thjesht hedhin sasi të mëdha droge në Pulia, ku bashkëpunëtorët e tyre në tokë po presin,” tha hetuesi, i cili foli në kushtet e anonimatit për shkak se nuk qe i autorizuar të fliste me gazetarët, në një intervistë për BIRN në Bari.
Avionët Piper të parapëlqyer nga trafikantët janë të lehtë, me një motor dhe me dy vende dhe mund të mbajnë deri në 500 kilogramë. Ata fluturojnë deri në 1,600 kilometra me një mbushje me karburant.
Një raport i vitit 2015 nga Drejtoria Qendrore e Shërbimeve Anti-Drogë të Italisë, raporton përdorimin nga trafikantët të “pistave klandestine të ndërtuara përtej Adriatikut”. Drejtoria Kombëtare Anti-Mafia e Italisë gjithashtu në një raport të vitit 2015, tha se një nga taktikat e parapëlqyera të trafikantëve qe që të fshihnin drogën mes mallrave të tjerë në “maune, furgonë apo makina të modifikuara” që kalojnë përmes portit të Barit.
Sipas shifrave të Guardia di Finanza, në vitin 2014, 3 tonë kanabis u kap në këtë port. Kjo shifër ra në 1.8 tonë më 2015, por vetëm brenda një dite të vetme në korrik 2016, një skaf 10 metra i gjatë u ndalua dhe u zbulua se po transportonte 1.2 tonë kanabis, me vlerë të përafërt finale prej 12 milionë eurosh.
Më 2006, nën drejtimin e kryeministrit demokrat Sali Berisha, Shqipëria vendosi një moratorium mbi skafet private për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore dhe drogës, ndërsa qeveria u përpoq të bindte Bashkimin Europian të liberalizonte vizat për shqiptarët. Moratoriumi skadoi më 2013, pak para zgjedhjeve që Berisha i humbi përballë Ramës dhe nuk është rinovuar më.
Për shkak se nuk ka kapacitete mbikëqyrjeje, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje me Italinë në gusht 2012 me qëllim që policia italiane të monitoronte nga ajri zonat e kultivuara me kanabis. Fotografitë i dërgohen Universitetit të Napolit, ku ekspertët llogarisin numrin e bimëve të kanabisit.
Më 2014, fluturimet vrojtuese identifikuan 815 plantacione që mbartnin rreth 165 mijë rrënjë. Patrullimi mbuloi një territor prej rreth 15 për qind të territorit të Shqipërisë, sipas shifrave të Guardia di Finanza. Më 2015, ajo identifikoi 1,200 plantacione me rreth 243 mijë rrënjë, pasi mbuloi sërish 15 për qind të territorit.
“Kemi nevojë për para”
“Kur policia shkatërron më shumë bimë, ata (kultivuesit) thjesht e rrisin sipërfaqen e mbjellë,” tha Artan Hoxha, gazetar i kronikës së zezë.
Hoxha ka shumë vite që raporton mbi drogën dhe krimin në Shqipëri dhe më 2015 mori kërcënime me vdekje përmes SMS nga një numër telefoni i regjistruar në Hollandë.
“Këtë vit… për ta bërë më të vështirë për policinë që t’i sulmojë, ata (trafikantët) kanë rritur numrin e plantacioneve dhe e kanë shpërndarë bimën në të gjithë territorin e vendit,” tha ai për BIRN, “duke e bërë të pamundur për policinë që t’i shkatërrojë të gjitha.”
“Policia shqiptare nuk ka njerëz apo pajisje të mjaftueshme për të vepruar në të gjithë territorin e vendit. Ata që kapen janë më së shumti individë të paorganizuar apo fshatarë të varfër, ndërsa shumica e plantacioneve mbijeton.”
Raporti i Progresit të BE-së për vitin 2015 tha se niveli i pajisjeve dhe logjistikës së policisë qe shqetësues. Raporti thotë se policia përdor “shumë pak” mjetet e inteligjencës strategjike në dispozicion të saj sipas një marrëveshjeje operacionale me Europol, agjencinë ligjzbatuese të Bashkimit Europian.
“Kapacitetet e ulëta të policisë gjyqësore dhe prokurorisë për të identifikuar dhe hetuar rastet komplekse kriminale nënkupton se ato janë të kufizuar te hetimet e thjeshta që përfundojnë me arrestime në flagrancë, pra nuk ka një përqasje tërësore për hetuesit dhe prokurorët.”
Policia e Shtetit në Shqipëri ka rreth 10 mijë oficerë për një popullsi prej rreth 2.7 milionë banorësh, me paga mesatare prej rreth 350 euro në muaj. Paga mesatare në Shqipëri është vetëm pak më e lartë, rreth 370 euro në muaj. Pothuajse një në çdo pesë njerëz në moshë pune është i papunë dhe bujqësia është sektori me numrin më të madh të të punësuarve.
Trafikantët kanë pak telashe për të gjetur bashkëpunëtorë të gatshëm për të rritur kanabis apo oficerë policie të gatshëm për të mbyllur njërin sy.
Arsovska i tha BIRN: “Afërsia kriminale-politike e ushqyer nga korrupsioni i mundëson krimit të organizuar të lulëzojë.”
Rryshfeti, tha ajo, ka një “traditë të gjatë” dhe në përgjithësi është i pranueshëm.
“Nëse shohim situatën në Afganistan,” tha Arsovska, “është e vështirë t’i thuash fermerëve të ndalojnë të mbjellin opium nëse nuk ke një alternativë më të mirë për t’i ofruar. Alternativa duhet të jetë po aq fitimprurëse dhe më pak e rrezikshme në mënyrë që oferta të pakësohet. Është e vështirë t’i thuash njerëzve të ndalojnë bashkëpunimin me shkelësit e ligjit nëse ata nuk kanë mënyra më të mira për të fituar para, apo nëse ata thjeshtë nuk kanë frikë nga ndëshkimi.”
Gjergji, në malet sipër Shkodrës, e përmblodhi me pak fjalë:
“[Blerësit] kanë para, ne kemi mall. Kjo është e thjeshtë,” tha ai. “Një kile kanabisi mund të shitet për 800 apo 1 mijë euro. Pra e kupton se sa e rëndësishme është.”
“Ne duam të jetojmë dhe kemi nevojë për para. Jo të gjithë do të shpëtojnë, por unë shpresoj për vete se do të shpëtoj.”
/Rrjeti i gazetareve investigativ-BIRN