Republikë “kokëderrash”

“Sa për ne të tjerët, shqiptarët e thjeshtë, që jemi djegur, më shumë sesa ja kemi parë hajrin republikës së “kokëderrave”, mbetet të shpresojmë se kësaj rradhe si Pandeli Majko, si shefi i tij Rama, të jenë duke na çuar me kokën e tyre të fortë në drejtimin e duhur. Megjithëse e dimë gjithashtu  se “koka e fortë, e zeza e të zot”, siç thotë fjala e urtë”…

Nga Skënder Minxhozi

Ja ku e gjetëm edhe një epitet tjetër për ata që na kanë qeverisur në 24 vjetët e fundit. Sipas ish-kryeministrit Pandeli Majko (i cili nuk e fut veten në këtë kategori), Berisha, Rama dhe Meta bëjnë pjesë tek tipi i politikanëve “kokëderra”. Thënë ndryshe, liderë që kanë ndjekur pasionin dhe vizionin e tyre, qofshin këto racionale dhe pozitive, ose edhe negative e shkatërrimtare për ata vetë dhe të tjerët rrotull tyre.

Pandeli Majko shquhet për fantazi në komentet që bën rrallë e tek publikisht, për situata dhe persona të caktuar. Atij i përkasin shumë nga batutat e mençura ose edhe më pak të mençura, sipas rastit, por kurrë të zakonshme dhe të pa vëna re nga opinioni publik. Por kësaj here zoti Majko është ftuar nga Sokol Balla, që të bëjë një interpretim të ngjashëm me atë të ecjes së akrobati mbi një tel të tendosur, të lidhur në skajet e dy grataçielave. Debati aktual brenda PS mes Ramës dhe Blushit për çeshtjen e kandidimeve, është një sfidë delikate demokracie të brendshme.

Siç ndodh sa herë që PS grindet “mes vedit”, edhe ky sherr ka ngjallur pasion dhe hamendje e komente nga më të shumtat. Ben Blushi ka të drejtë për atë që thonë sot librat e rregullave në parti. E zeza në të bardhë! Vetë këto libra kanë lënë shumë hapësirë që aktualisht të komentosh nëse duhet një qasje laburiste apo një tjetër qasje franceze, gjermane apo skandinave, në lidhje me zgjedhjen ose konfirmimin e kryetarit të partisë, kur vetë partia është në pushtet. Statuti i PS, edhe i ndryshuar në kongresin e ardhshëm, siç pritet të ndodhë, nuk lejon që një normë e re të ketë fuqi prapavepruese në kohë. Rama, majko, Blushi dhe të tjerë në PS, duhet të kishin gjetur prej kohësh mënyrën për ta zgjidhur këtë ngërç absurd, që sot kthehet në një temë debati kombëtar, me pasoja politike për vetë socialistët.

Përballë kësaj logjike të ftohtë të gërmave dhe letrës së bardhë, socialistët po ndërtojnë një teori fluide, të fokusuar mbi nevojat për t’u orientuar drejt qeverisjes, më shumë sesa drejt detyrimeve formale të statutit. Një qëndrim që e mbulon vetëm pjesërisht diellin e parimeve me shoshën e arsyeve të tjera anësore.

Pandeli Majko ka bërë një dalje të guximshme mbrëmë, duke u rreshtuar hapur në këtë debat të brendshëm partiak. Ai ka përdorur gjithashtu një epitet që mund të quhet i gjetur, brenda kontureve dhe kontekstit të momentit. Sepse është i dukshëm fakti se dhe ai e ka të vështirë ta justifikojë ndryshe atë që po ndodh në PS, përveçse me motivin madhor të lënies dorë të lirë ndaj kreut të panelit, për të çuar para atë që ka nisur.

Sa për ne të tjerët, shqiptarët e thjeshtë, që jemi djegur, më shumë sesa ja kemi parë hajrin republikës së “kokëderrave”, mbetet të shpresojmë se kësaj rradhe si Pandeli Majko, si shefi i tij Rama, të jenë duke na çuar me kokën e tyre të fortë në drejtimin e duhur. Megjithëse e dimë gjithashtu  se “koka e fortë, e zeza e të zot”, siç thotë fjala e urtë.

SHKARKO APP