Restoja, sërish “diversion”!

Nga Mero Baze

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, e ka vënë në pozitë të vështirë para demokratëve Lulzim Bashën duke i kërkuar, që betejën politike si kandidat për kryeministër ai duhet ta ketë me Edi Ramën dhe jo me Ilir Metën. Akuza, e cila është politikisht korrekte, kur i drejtohet një rivali formal për kryeministër, mbart në vetëvete, përpjekjen për të forcuar dyshimet mes demokratëve, se ka një pakt mes Ramës dhe Bashës për të ruajtur njëri-tjetrin dhe për të goditur Berishën dhe Metën reciprokisht. Fabulën e këtij konspiracioni e bën më të besueshme beteja e fundit e ÇEZ, e cila ka dy të akuzuar, Berishën si privatizues dhe shpërdorues të këtij privatizmi dhe Metën, për dyshimet rreth një lidhje klienteliste me një prej shtatë kompanive seksere.

Në fakt këtu zë fill gjithë debati. Demokratët e nisën me kosto të lartë për vete këtë betejë, pasi pranuan të përfshihen si të akuzuar në një proces gjigand shpërdorimesh të pasurisë kombëtare në ÇEZ, vetëm që të ngjiste diversioni i tyre se Rama po shiste Metën.

Ky i fundit po përpiqet ta marrë të mirëqenë akuzën e tyre dhe po ia kthen Bashës mbrapsht, duke u thënë demokratëve se ky po përpiqet të shesë Berishën dhe të mbrojë Ramën, duke mos kërkuar dorëheqjen e tij.

Deri këtu palët janë barazim me diversionin ndaj njëra-tjetrës, por ajo që mbetet si shije e hidhur pas këtij debati është, përse vërtetë Basha nuk kërkon dorëheqje të Edi Ramës dhe nuk fokusohet në betejë ndaj tij.

Kjo pyetje e ka shpjegimin tek pafuqia politike e Bashës dhe e opozitës.

Është e trishtueshme, por njeriu më koshient se opozita ka rrugë të gjatë për të bërë është Lulzim Basha. Ai testoi veten më 21 Qershor dhe doli me një rezultat katastrofik, të cilin akoma nuk guxon ta analizojë. I qartë se dhe nëse Rama bën zgjedhje të parakohshme dhe nëse i bën në afat dhe nëse i bën përsëri pas 2017-ës ai i humbet, në mendjen e tij kanë mbetur dy skema. Ose çarja e LSI-së me PS-në dhe pastaj koalicion i tij me një prej të dyjave, ose të jetë më i sigurtë koalicion i madh me PS-në për të siguruar mbijetesën e tij politike.

Pas këtij skenari duket se janë dhe grupet e interesit dhe ish-klientela e biznesmenëve të ish-kryeministrit Berisha, të cilët nuk funksionojnë dot pa pasur pushtetin me vete. I gjithë presioni i tyre është pikërisht që Basha të miqësohet me idenë se mund të bëjë qeveri me Edi Ramën dhe kështu mund t’i shpëtojë daljes nga politika dhe Partia Demokratike ashtu siç ka hyrë.

Është kjo arsyeja që Basha nuk është i fokusuar tek një betejë me Edi Ramën. Ai jo vetëm e beson që mund të ketë një koalicion të madh, por e ushqen këtë dhe në shtypin e tij si rekomandim perëndimor dhe si një plan që duhet të spostojë nga politika si LSI-në ashtu edhe të “vjetërit” brenda PD-së, për të qenë i sigurtë se nuk e prek njeri brenda partisë.

Por derisa të shkoj deri aty ku ëndërron, ai ka disa sprova përpara që vështirë se i kalon dot.

Sprovën e parë ka gënjeshtrën që tha vet dje për hetim ndërkombëtar të ÇEZ-it, duke mbështetur Berishën e Metën. Ai tani duhet të marrë nismë ligjore për këtë dhe duhet të formojë shumicën e parë parlamentarë Meta-Basha-Berisha pas vitit 2013, duke e bërë qesharakë anti-metizmin e tij të kohëve të fundit.

Sfida e tij e dytë, do të jetë Reforma në Drejtësi. Të hënën dokumenti i reformës kalon në Komisionin e ligjeve dhe niset drejt Komisionit të Venecias dhe versioni që kthëhet prej andej me bekim të BE-së dhe SHBA-së duhet të miratohet sipas premtimit që Basha u ka dhënë vet diplomatëve perëndimorë. Mosvotimi mund të çojë Kushtetutën në referendum siç e ka kërkuar dhe Nishani dhe ai do të jetë një test i ri dëshpërues për të, pasi shqiptarëve do tu jepet sërish mundësia për një milionë shpulla për herë të tretë ndaj tij dhe Berishës.

E gjithë kjo vjen nga fakti që Basha nuk vepron dhe vendos si lider, por si marifetexhi, që mendon se mund t’ua hedh atyre në parti, mund t’ia hedh Berishës e Metës, mund t’ua hedh ndërkombëtare, mund të gënjejë Ramën etj. Është thjeshtë instikti i tij që e heq nga rruga e një lideri të drejtpërdrejt dhe e fut në kulisat e një mashtruesi, që do dalë qesharak nga kjo betejë e stisur, për të shpëtuar karrigen e tij duke e mbështetur pas karriges së Ramës.

TEMA

SHKARKO APP