Rikthimi i Berishës!
“Nuk ka asnjë dyshim që as Vlahutin dhe as Lu; as Kukan dhe as të tjerë nuk e takojnë Berishën për nostalgji; E takojnë si një faktor me të cilin duan të zgjidhin problemet që ju dalin në rrugë. Ndaj mund të thuhet se Berisha është kthyer edhe aty ku mendohej se nuk do të kishte shumë hapësirë. Personalisht nuk besoj se ai do të kthehet ndonjëherë në krye të PD. As do ta ndërmarrë këtë nismë”…
Nga Blendi Fevziu
Sali Berisha është kthyer sërish. Jo në Parlament. Aty ka qenë gjithnjë më aktiv se sa gjithë deputetët e tjerë. Jo vetëm ata të PD, por gjithë deputetët që ajo sallë ka njohur këto 25 vjet.
Jo në Daljet publike. Aty rrallë dikush tjetër krahasohet me të. Me mënyrën se si përqaset dhe me aftësinë për të tërhequr vemendjen tek argumenti i tij. Edhe ku e di që nuk ka të drejtë.
Jo në partinë demokratike. Aty gjithnjë do të mbetet zëri kryesor dhe padyshim më me peshë. Pavarësisht debateve që do zgjasin sa kohë ai të jetë prezent se kush i merr vendimet dhe kush i influencon ato.
As në gazetari. Aty ka qenë prej vitesh. Që në artikujt e parë në gazetat Drita e Bashkimi, në artikujt në RD me emër e pa emër e deri tek postimet në Facebook që për nga intensiteti lënë pas edhe gazetarët profesionistë që paguhen për këtë gjë.
As në përplasjet dhe konflitet politike. Aty do jetë gjithnjë, siç ka qenë. Duke ndarë dhe duke rreshtuar; duke bërë aleatë dhe duke krijuar miq e armiq.
Jo, Sali Berisha është kthyer aty ku mendohej se nuk do të kthehej më! Aty ku mendohej se nuk do të kishin nevojë për të. Si një faktor për ndërkombëtarët. Në dy javët e fundit ai është shfaqur thuajse në të gjitha takimet që kanë lidhje me reformën në drejtësi. Dhe reforma në drejtësi është prioriteti më i rëndësishëm për ndërkombëtarët këtë moment. Rreth 2 muaj më parë, aktorët kryesorë të diplomacisë në Tiranë u bindën se reforma në drejtësi kishte nevojë për aprovimin e Berishës. Deri atë moment Berisha konsiderohej thjeshtë një ish Kryeministër dhe një figurë shumë e rëndësishme politike, por jo njeriu me të cilin duhej të negociohej direkt. Sot ata po e bëjnë këtë duke mos e fshehur asnjë moment. Berisha u vizitua në fillim nga Ambasadori Lu në zyrën e tij; pak kohë më pas ai u ftua për drekë së bashku me Lulzim Bashën në rezidencën e Ambasadorit Amerikan në prani edhe të Ambasadores Vlahutin; disa ditë më vonë Kukan dhe Flekenshtein e vizituan atë në zyrë. Kukan deklaroi se takimi ishte për një miqësi të vjetër, por ata që e njohin mirë diplomacinë e dinë që për ndërkombëtarët nostalgjia vlen fare pak. Respekti po, por nostalgjia jo. Ata konsiderojnë fuqinë dhe negociojnë me të.
Së fundmi dje, Lu dhe Vlahutin takuan sërish Lulzim Bashën në selinë e PD, gjithnjë në prani të Sali Berishës. Për të folur sërish dhe për të definuar qëndrimin e PD për ligjin e Byrosë së hetimit.
Nuk ka asnjë dyshim që as Vlahutin dhe as Lu; as Kukan dhe as të tjerë nuk e takojnë Berishën për nostalgji; E takojnë si një faktor me të cilin duan të zgjidhin problemet që ju dalin në rrugë. Ndaj mund të thuhet se Berisha është kthyer edhe aty ku mendohej se nuk do të kishte shumë hapësirë. Personalisht nuk besoj se ai do të kthehet ndonjëherë në krye të PD. As do ta ndërmarrë këtë nismë. Thjeshtë do qëndrojë aty, duke i bindur të gjithë se ai është në fushë dhe se prej saj, nuk do të dalë kollaj. Dhe që të tjerët do shkojnë ta gjejnë aty ku është. Për të zgjidhur problemin që kanë ata, jo ai… opinion.al