Rikthimi tek projekti kriminal i kazinove, mbyllje e ciklit të oligarkisë
Nga Arben Braçe –
Rikthimi kazinove tregoi se kodi i pushtetit të oligarkëve të kazinove është shumë më i fortë se vetë shteti dhe përfaqësuesit e tij. Vetëm një vit më parë, Kryeministri u premtoi shqiptarëve që do t’i shpëtonte nga aventura e rrezikshme e lojërave të fatit, që shkaktonte drama familjare dhe plagë të rënda sociale. Para parlamentit dhe opinionit publik, ai deklaroi se, qëndrimi i qeverisë për lojërat e fatit, ishte i pakthyeshëm, por koha tregoi që të pakthyeshme ishin vetëm interesat e klientëve të qeverisë.
Pavarësisht se një vit më parë, nuk ishin të paktë shqiptarët që përshëndetën fundin e biznesit aventurë, ata nuk morën në konsideratë një arësye shumë të rëndësishme, se partitë klasike të klientelës, sikur “Rilindja” në asnjë rast nuk integrojnë interesa për të mirën e përgjithshme, përkundrazi ato luftojnë fuqishëm që, interesat e klientëve të tyre, të transformohen direkt në ligje dhe veprime qeveritare, pa u merakosur për të mirën e përgjithshme.
Eksperiencat negative botërore na tregojnë se “lobistët specialistë” rrallë e konsumojnë kohën kot me parlamentin. Ata parapëlqejnë t’i rregullojnë punët direkt në ministri ose tek Kryeministri, prandaj edhe në rastin tonë, vendimi u mor direkt nga përfaqësuesi që oligarkët shqiptarë kanë në qeveri. Fundi i mandatit qeverisës, padyshim që duhet të jetë edhe mbyllja e ciklit të interesave të oligarkëve të cilat përfaqësojnë. Biznesi i njëmijë kullave që po ngrihen në qëndër të Tiranës duhet të jetë komplementar, sepse të njëjtët oligarkë që ngrenë kulla, po të njëjtët do të ngrenë edhe biznese fitimprurëse për investimet e tyre.
Sikur t’i referohemi të dhënave të publikuar nga vetë “tigri” në fjalimin solemn para parlamentit në vitin 2019 kur po “varroseshin” lojrat e fatit, të ardhurat që vinin vetëm nga tatimi vjetor prej 20% i biznesit të kazinove, ishin rreth 54 milion dollarë, llogarit se sa do të jenë fitimet e këtij biznesi që do të përqëndrohen tashmë vetëm në disa duar tepër të ngushta dhe shumë pranë qeverisë, duke mbajtur në konsideratë që qeveria e “Rilindjes” gjeti 40 kompani të tilla të cilat i reduktoi në 20, duke u rritur edhe tatimin ndaj tyre nga 10% në 20%.
Biznesi i kazinove mbetej “ishulli” i vetëm i papushtuar për shkak të një “suicidi” të interesave të vetë qeverisë, që me VKM-në e nxjerrë para disa ditëve, rivendikon vullnetin e oligarkëve, duke shkatërruar çdo nocion moral dhe premtim të bërë para shqiptarëve dhe duke futur paturpësisht frymën e filozofisë së grabitjes dhe të korrupsionit galopant që qëndrojnë në krye të gjithçkaje.
Edhe për qeverinë më të prapambetur të botës, rikthimi i një ligji të tillë, nga vetë ai që e hoqi, duhet të shoqërohej me një dorëheqje të menjëherëshme dhe të padiskutueshme. Por çdo premtim që është bërë mbetet farsë, sepse në të gjitha rastet qeveritë e klientelës nuk kanë forcë të marrin dot vendime dhe nuk bëjnë dot politikë. Ato mbeten thjeshtë vegla të bindura të oligarkisë me të cilët ndajnë interesa dhe fitime.
Sikur një mendje naive, të “argumentonte” se nga të gjitha këto do të vijë një rritje e konsiderueshme ekonomike, natyrshëm lind pyetja, se çfarë përfitimi do të kenë shtetasit nga kjo rritje ekonomike? Sa nga këto të ardhura që vijnë nga rritja ekonomike e kazinove, por qoftë dhe e bizneseve të tjera, hyjnë në xhepat e shqiptarëve?
Eksperienca postmoderniste na mëson se rritja ekonomike nuk ka kurfarë rëndësie, por ajo që duhet të ketë përparësi duhet të jetë shpërndarja e këtyre të ardhurave. Në rastin e shtetit shqiptar, i cili ka nxjerrë gjithë pronat publike në treg, nga të cilat edhe ato që kanë shpëtuar pa iu dhënë ortakëve të qeverisë, u kanë kaluar pothuaj të gjitha me PPP partnerëve që ndajnë fitime, cili do të ishte ai që do të besonte se të ardhurat që vijnë nga rritja ekonomike do të shkojnë në xhepat e shpuara të shqiptarëve?
E ndodhur në fund të mandatit qeverisës, revanshi i qeverisë, shkon për të mbushur xhepat e vet dhe jo arkat publike, sepse shifrat janë shumë pedante dhe tregojnë më së miri se sa para kanë shkuar deri tani në rritjen e pagave dhe të pensioneve në gjithë këto vite dhe sa kanë shkuar për investime publike, të cilat gulçojnë nga korrupsioni dhe nuk bëjnë gjë tjetër përveçse veprojnë me cikël të mbyllur, duke kthyer paratë që dalin nga arkat publike në xhepat e ortakëve oligarkë të qeverisë.
Rritja e e paparë e papunësisë, është treguesi më i qartë, se “rritja ekonomike” nuk ka arritur të hapë asnjë vend pune. Në qoftë se në vendet me teknologji të modernizuar “jobless growth”, pra rritja e papunësisë, vjen si shkak që kapitali kërkon të prodhojë sa më shumë, me sa më pak punë njerëzore dhe rritja ekonomike aty ka qënë gjithmonë “jobless”, në rastin tonë, papunësia është tërësisht specifike dhe shqiptarët kanë marrë rrugët e botës, sepse ekonomia, si kurrë ndonjëherë, është përqëndruar në disa duar që kontrollojnë pushtetin politik dhe të gjithë financat e vendit duke i monopolizuar ato sikur në vendet më të pazhvilluara të Afrikës dhe duke mos lënë asnjë hapësirë për iniciativën e lirë, duke luftuar konkurencën e ndershme dhe zhvillimin e biznesit të vogël dhe atij familjar, duke i vendosur atij kushte asfiksuese dhe të padenja.
Në vigjilje të ardhjes së saj në pushtet “Rilindja” premtoi një shtet social të fortë, por ajo që u godit më fort nga të gjitha dhe që u vu në shenjestër, ishte vetë shteti social, i cili nxorri në shitje gjithçka që ishte publike, shtetërore, gjithçka që nuk ishte privatizuar duke dhënë të gjithë ekonominë me PPP dhe duke mos marrë fare në konsideratë që shitja e pasurisë së patundshme shtetërore, nga pikëpamja fiskale, ka të njëjtin efekt, si rritja e borxhit të brendshëm.
Tani në vitin e tetë të qeverisjes tregëzimi politik ka shpërbërë të gjithë hapësirat politike dhe i ka hequr themelin veprimit demokratik. Ata që janë pasuruar dhe që kanë përfituar janë vetëm përfaqësuesit e qeverisë dhe ortakët oligarkë, ndërsa për qytetarët, do të mbeten mbi 6 miliadë euro borxhe të jashtme për tu shlyer dhe faturat dhe kamatat e gjobave Beketit dhe Actor, prej 160 milion Euro, që janë vendosur ndaj qeverisë nga Gjykata e Arbitrazhit.
Një farë kohe, në ditët e vështira të opozitës pa e ditur mirë se çfarë përfaqësonte e majta dhe e djathta, përfaqësuesi i “Rilindjes” deklaronte se do të shkonte përtej të majtës dhe të djathtës… Në fakt ka shkuar shumë përtej, shumë larg, ndoshta aty ku nuk ka guxuar të shkelë askush, as vetë shërbëtori klasik i oligarkëve që po përpiqet të “edukojë” këto ditë nga zyrat e OSBE-së, Lukashenko, i cili padyshim, do t’i përulet denjësisht, për shtetin superoligark, që me shumë mund ka arritur të krijojë në mes të Europës.