Rilindja nuk taton atë që fiton më shumë, por atë që punon më shumë
Nga Dritan Shano –
Qysh kur erdhi në pushtet Rilindja riktheu luftën e klasave përmes taksimit. Rilindja sulmoi klasën e mesme, klasën menaxheriale shqiptare, duke u rritur taksën mbi të ardhurat personale nga 10% në 23%. Epshi ideologjik marksist-leninist shpërtheu mbi 12.000 individë, ose më pak se 2% të të punësuarve. Kjo politikë fiskale, pretendimi i së cilës ishte ri-shpërndarja e pasurisë, por në fakt vetëm varfëroi këta 12.000 shqiptarë pa pasuruar gjithë të tjerët, nuk pati asnjë efekt domethënës në të ardhurat publike. Ishte dhe mbetet një show politik. Kontributi i tatimit nga të ardhurat personale, sot e kësaj dite, edhe pas shumë “guerriljesh rilindase” kundër informalitetit, mbetet në rendin e 2.1% të PBB-së.
Nga ana tjetër, kjo politikë ideologjike, në mënyrë kirurgjikale ka nxitur “largimin e trurit” nga Shqipëria. Në vitet e fundit dëgjohen gjithnjë e më shumë individë dhe familje me të ardhura të larta, njerëz të shkolluar dhe të pregatitur, të cilët largohen, apo planifikojnë të largohen nga Shqipëria në vendet perëndimore.
Për të mbajtur të paprekur të ardhurat buxhetore nga tatimi mbi të ardhurat personale, që prej Janarit 2020, Rilindja takson rëndshëm të gjithë të dypunësuarit që krijojnë të ardhura mbi 150.000 lek. Duket sikur në 2020 numri i atyre që krijojnë të ardhura mi 150.000 Lek është rritur, por përsëri mbetet më pak se 2% e të punësuarve. Pra çdo shqiptar që çahet më katërsh e i rrjedh djersa çurk për të krijuar mirëqënie për familjet e tyre do takohet se s’bën me peshën e rëndë të 23% tatim. Pas kësaj këta njerëz nuk do vrapojnë dot më përpara, por do heqin këmbët zvarrë.
Qartazi, Rilindja nuk taton atë që fiton më shumë, por atë që punon më shumë. Tatimi mbi fitimin është 15%, ndërsa kushdo që guxon të krijojë të ardhura më shumë se 150.000 Lek tatohet me 23%. Rilindja nuk toleron askënd që është i zoti, qe ka më shumë dëshirë për punë, energji dhe inisiativë ekonomike sesa i pëlqen asaj, apo që thjesht tregon se mund të qëndrojë në këmbë me djersën e vet.
Për shkak të kësaj politike të Rilindjes, Shqipëria sot është “mendjezbrazur”, është më e varfër, më pak e zonja të ecë përpara, dhe është një vend ku nuk ka debat dhe rezistencë intelektuale dhe menaxheriale, por vetëm nënshtrim ekonomik, politik dhe social. Ndaj ne jemi gjithnjë e më mbrapa siç verifikohet në Doing Business Report, Competitiveness Index etj.
Është e qartë se trenin e ekonomisë, politikës, shoqërisë e çon përpara lokomotiva dhe jo vagonat. Që nga 2013 e këtej, politika e Rilindjes e detyruar lokomotivën të largohet, dhe në vend kanë mbetur vetëm vagonat, të cilëve edhe po t’i gjuash me shkelma nuk janë të aftë të lëvizin nga vendi. Këtë duhet ta ndryshojmë!
Ekonomia shqiptare duhet të çlirohet nga Rilindja dhe çeta e oligarkëve të saj. Rilindja ka taksuar rëndë gjithçka, suksesin ekonomik, punën por dhe kursimet e çdo shqiptari. Ne, shqiptarëve na duhet një ekonomi ku lehtësohet ngarkesa fiskale mbi sipërmarrjen dhe punën, që biznesi të ketë më shumë mundësi financiare, që përkthehet në më shumë mundësi punësimi, më shumë siguri, më shumë komfort dhe dinjitet për shqiptarët. Ne, shqiptarët kemi nevojë për një ekonomi të bazuar tek rinovimi i thellë teknologjik, dija dhe inovacioni, që të rrisim produktivitetin e punës dhe të kapitalit, të rindërtojmë besimin e humbur të familjes shqiptare tek e ardhmja. Këto janë synimet dhe propozimi politik e ekonomik i opozitës. Këto gjëra nuk do na i dhurojnë alienët. Dihet që i zoti e nxjerr gomarin nga balta.