Rinia shqiptare dhe sfida e punësimit

Nga Anisa Çela

Rinia shqiptare e konceptuar si fryti i një shoqërie në “tranzicion”, i një shoqërie që ende nuk ka fituar pozicionin e denjë të një shteti bazuar në standarde të vërteta europiane, të bazuara në parime e meritokraci, shihet me syrin kritik sikurse uljet dhe ngritjet e prirjes se ekonomisë.

Çdo ditë, çdo moment i vërejmë këto luhatje ose më saktësisht paraqesin prognozën e trendeve se ku, drejt kujt hapi po orientohet kjo turme e rinisë…!

Të abstragosh se çdo të ndodhë bazuar në luhatjet e “rrahjeve të zemrës” së rinisë, forcës së parë të lokomotivës së këtij vendi është njëlloj si të përcaktosh trendet e papunësisë, trendet e asaj rinie, të ardhurat e se cilës nuk përfshihen fare në GDP-në e zhvillimit makroekonomik të këtij vendi.

Turmën e madhe të asaj fryme idealiste të rinisë që herë venitet, herë ndihet e freskët, energjike medoemos… por herë-here ajri është shumë i ndotur për të marrë fryme lirisht për këtë rini që duket se në këto 25 vite është çliruar nga qorrsokaku i dikurshëm komunist. Por për fatin e keq do doja t’ju prezantoja mostrën e demokracisë nën kthetrat e komunizmit moderno-liberal sikurse rinia e papunësisë, rinia e drogës, rinia e varfërisë dhe rinia e kastës aristokrate të suksesit…!

Korrupsioni dhe hipokrizia e kastës nuk lejon më punë të bazuar në meritokraci, konkurse transparente të studimeve etj. Qorrsokaku i rinise së dalë nga komunizmi vihet re në çdo institucion, në çdo lajm, në çdo diskutim mes analistësh të arsimit, pse jo edhe të fushave të tjera. Ndoshta duket pak e lashtë, vulgare kur themi përpiqen të mbajnë në djepin e pushtetit nën kthetrat e komunizmit, elitën e tyre partiake, por fatalisht është e vërtetë!

Atë se çfarë realisht po ndodh me turmën e studentëve që vrapojnë çdo ditë në universitete, por pa njohur realitetin e ardhshëm të konkurrencës në strukturat e tregut është në të mirë të të gjithë të rinjve të ulemi, ta analizojmë, por pa qenë nën urdhrat e udhëheqësve po aq të suksesshëm për postin e tyre, po aq edhe të jashtëligjshëm në punët e tyre.

Shteti ynë synon të shmangë “paditurinë” apo analfabetizmin duke i pranuar thuajse 90% të të rinjve çdo vit në universitet, madje edhe në ato degë për të cilat tregu i punës është “fantazëm”, ndoshta ekziston në vetëm 5 % të tyre. Qartazi me shumë fanatizëm mbrojnë aftësitë e tyre krerët e shtetit se turma e studenteve vërtetë e meritojnë, madje edhe të shtojnë ndoshta kuotat në universitete. Me keqardhje vlen të theksojë dhe kundërshtojë fjalët e zonjës ministre se konkursi nuk ka qenë deri më sot asnjëherë aq transparent dhe nuk ka patur kopje apo blerje të testeve, gjithmonë duke u bazuar në modelet e shteteve të europës perendimore. Ndoshta kjo meritë i takon bijve të kastës aristokrate që duke filluar nga shkolla e mesme ndjekin studimet në SHBA apo në shtetet e Europës.

Diskutimi dhe analiza vazhdon me tej duke vijuar me jetën e luksit të të rinjve që ndjekin studimet në universitete dhe paralelisht vërehen rezultate shumë të larta të notave. Kjo ndodh rishtazi me studentët e degëve të inxhinierive, fakultetit të ekonomisë dhe universitetit të mjekësisë që presupozohet se niveli i studentëve të pranuar ka rezultuar vërtetë i lartë.

Paralelisht me korrupsionin e dukshëm vijon dhe punësimi sërish i studenteve pas studimeve universitare. Punësimi, një tematikë shumë e prekshme, kritike për stabilitetin e ekonomisë shqiptare, e cila më së shumti bazohet vetëm tek të ardhurat për frymë nga të arsimuarit. Punësimi shpjegohet si një hendek midis dy zjarreve që janë të aftët dhe të paaftët. Për sa i përket çështjes së punësimit nuk po përpiqem të jem gjeniu që do të shpëtoj krizën ekonomike…!

Fatalisht në Shqipëri operohet me parimin se më “të fortët” që rezultojnë shumë mirë nga universiteti dhe ofrojnë shumën më lartë të parave cash përkundrejt marrëdhënieve konfidenciale shoqërore apo miqësore, qofshin këta pjesë e shtresës aristokrate apo thjeshtë rezultojnë të punësuar në postet më mira në administratën shtetërore ose organizatat e biznesit. Vlen të theksohet se janë shumë të paktë, ata që kane studiuar sistematikisht, me ritme të qëndrueshme në universitet dhe kundrejt mirënjohjeve apo miqësive me krerët, eprorët gjenden sot në pozicionet më të mira të punës në profilin e tyre.

Ndërkohë në të gjithë atë turmën e studentëve, të rinjtë që me aftësitë e tyre duke studiuar intensivisht ose pa meritën e tyre kanë përfunduar studimet, apo i kanë lënë në mes për arsye ekonomike mbeten gjithashtu të papunë sepse nuk plotësojnë kriteret për të sfiduar konkurrencën e ashpër si edhe hipokrizinë e parisë qeveritare. Kjo pjesë është ajo e cila ndoshta nuk i përket as simpatizantëve të partive dhe që shpesh herë preferojnë të punojnë në të ashtuquajturat “call center”, sa për të mos qenë me statusin të papunë.

Simpatizantët e thjeshtë të partive “përdoren” për t’iu përgjigjur urdhrave të shefave të mëdhenj. Ata nuk punësohen dhe as vlerësohen për aftësitë e tyre. Ndërsa ata që ngjitin shkallët përmes servilizmit, cinizmit të thekur të epokës ku jetojmë, pavarësisht aftësive, punësohen dhe përfillen nga udhëheqësit e parisë.

Për sa i përket populizmit të studentëve në universitete, kjo përdoret si viktimizim për të bindur “te paditurit”. Të paditurit janë ata, që vetëm mjegull synojnë të krijojnë për t’u ngjitur në degët e holla të pemës! Paria e qeverisë për të humbur gjurmët e korrupsionit , vjedhjeve masive dhe deficitit apo borxhit shumë të lartë qeveritar krijon “flluskën e populizmit”, të martirëve të së ardhmes duke rritur tarifat dhe mbushur arkat e bankës së shtetit. Fatkeqësisht kjo është një nga arsyet e mbajtjes së pushtetit duke shtuar frymën e të rinjve në radhët e tyre dhe duke i manipuluar se në të ardhmen e sigurt dhe të artë, ata do të jenë të parët. Por fatalisht ky kërcell i eurokratëve të parisë së kastës aristokrate synon të bindë, për të shtuar numrin e të diplomuarve

në mënyra të ndryshme, por që vetëm punësim nuk siguron ose ofron oportunitetet për t’u përballur me transparencë, si në intervistat apo testimet e aplikimeve për punë.

Duhet theksuar se rritja e numrit të kuotave, bursave të studimit ngjan me atë teorinë e elektronit të lirë që vërtet rrezaton energji, në çdo “shtresë” që ngjit, por në të kundërt qëndron dhe teza e dytë, ajo alternative e rënies së lirë të Galileo Galileos për analogji. Pra çdo të ndodhë një ditë, ose më sakte ajo ditë ka ardhur, por ende nuk ka, ose nuk zbatohen ligje të prera me thikë që të demonstrojnë rritjen e kuotave kundrejt nevojave reale të përmbushjes së kërkesave të të punësuarve në administratën shtetërore dhe kompanive private. Gjithashtu, tendencat e nivelit real të aftësive të të diplomuarve se sa duhet apo janë pritshmëritë në të ardhmen përkundrejt standardeve të europës. Kjo është një arsye se përse deri më sot nuk ekzistojnë aplikimet reale të punësimit, por ato “fantazëm” të intervistave dhe testimeve, konkurrimeve false pasi asnjëherë nuk jepen meritat në varësi të aftësive.

Një tjetër problem që do të parashtroja janë studentët pas stadit universitar dhe kriteret që duhet të plotësojnë, të parashtruara sipas organizatave të biznesit. Sërish ekziston një hendek midis studentit dhe punësimit. Normalisht, kompanitë ndonëse private përpiqen të ecin me hapin e kohës, të pavarura nga institucionet shtetërore, bazuar në infrastrukturën dhe teknologjinë mbi bazën e cilave janë zhvilluar dhe operojnë. Kryesisht bazuar në teknologjinë e tyre kërkojnë studentë të cilët duhet të jenë të njohur me praktikat e tyre të punësimit dhe madje me eksperiencë të punësimit në ato fusha. Ndërkohë administrata shtetërore dhe ministria e arsimit iu mundësojnë studentëve gjatë viteve të ciklit universitar të mësojnë bazat logjike dhe thelbësore të njohurive, mbi bazën e të cilave veprojnë teknologjitë dhe praktikat e punësimit, por jo të përgatitur komform kërkesave të cituara nga kompanitë.

Një ngërç tjetër, siç mund ta quaj, është sërish punësimi dhe papunësia, pasi në Shqipëri nuk ekziston meritokracia, që domethënë përzgjedhjet për rekrutime pranë kompanive dhe organizatave nuk bëhen përkundrejt niveleve të aftësive, por bazuar në relacionet miqësore dhe ryshfetit, përndryshe nuk aprovohet aplikimi për punësim. Me fjalë të tjera, çdo gjë blihet edhe diploma, edhe trajnimet pranë kompanisë edhe pozicioni i punës.

Si një studente që ka studiuar në mënyrë të volitshme, si në ciklin bachelor dhe në atë master dhe e njohur shumë mirë me programin mësimor dhe praktiken që mundëson fakulteti, kryesisht ai i ekonomisë, dega Informatike Ekonomike dhe bazuar në eksperiencat e mia përball sfidës së punësimit, hallakatjeve nëpër institucione qeveritare dhe politikat plebishtare që ndjekin qeveritarët tanë ju sugjeroj ta lexoni këtë shkrim. Ndoshta dikush do nënqeshë me hipokrizi, dikush do zgjohet, dikush tjetër do dëshpërohet për realitetin që na përshkon…! Sugjerimi im do të ishte të mos rendni pas radhëve të populizmit të servilave në radhët e partisë, pasi të gjithë luftojnë për interesat e tyre vetjake dhe jo për gjakun dhe lodhjen e derdhur për të përfunduar misionin me sukses.

SHKARKO APP