Roland Qafoku: Dhunimi i kryeredaktorit të “Koha Jonë”, ngjarje që bën me turp gjithë Policinë e Shtetit

Nga Roland Qafoku –
Dënoj me ashpërsinë më të madhe, dhunën, marrjen me forcë dhe shoqërimin në polici të kryeredaktorit të gazetës “Koha Jonë”, Qamil Xhani, aq më tepër në hyrjen e redaksisë së gazetës. Si një nga bashkëpunëtorët e mi nga më të mirët dhe më profesionistë në vite, kam detyrimin moral dhe profesional të mbështes kolegun Xhani duke e njohur si një gazetar serioz, profesionist dhe që nuk ngatërron punën e gazetarit me militantin.
Në të gjithë këtë histori, para së gjithash, shpreh ngushëllim dhe dhimbje të thellë për humbjen e jetës së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një akt kriminal i një polici të papërgjegjshëm dhe jam i bindur që drejtësia do e thotë fjalën e saj.
Ndërkohë, unë bëj pjesë te ata që e dënoj me të njëjtën ashpërsi dhunën ndaj institucioneve dhe aq më tepër dhunën ndaj punonjësve të policisë. E kam bërë këtë edhe kur në pushtet ka qenë PD dhe e bëj edhe kur është PS. Bëj pjesë te ata që i respektoj dhe vlerësoj në maksimum punën e punonjësve të policisë dhe sakrificat e tyre deri dhënien e jetës. Këtë e dinë shumë mirë kolegët e mi por edhe shumë punonjës të policisë.
Por, ngjarja në fjalë është nga ato raste që e bën me turp të gjithë trupën e policisë dhe këtu nuk ka vend fare politika.
Unë nuk besoj që një politikan ka urdhëruar arrestimin e Qamil Xhanit. Por unë besoj se dy policët në fjalë në rastin më të thjeshtë janë aprofesionalë. Ndërkohë që pamjet që shikoni ua kalojnë edhe atyre që kanë ndodhur në historikun e kësaj gazete që siç duket i përsëritet historia çdo 10 vjet. Prandaj, i bëj thirrje drejtorit të SHÇBA, zotit Muhamet Rrumbullaku, që të nisë urgjent hetimet ndaj këtyre dy punonjësve të policisë që kanë kryer një veprim ekstremisht arbitrar, duke arrestuar një gazetar dhe për më tepër duke e marrë me forcë në derën e redaksisë. Si kanë thënë? “Nuk e dinim që aty është redaksia e gazetës “Koha Jonë”? Epo, nëse një polic që shërben në Tiranë, nuk e di që prej 1 prillit 1998 në atë vend ndodhet redaksia e gazetës legjendare të tranzicionit “Koha Jonë”, ai nuk duhet të jetë më pjesë e policisë. Zoti Rrumbullaku, bëni një veprim që veprimi i atyre dy policëve të mos njollosë të gjithë policinë! Qamil, të gjithë gazetarët janë me ty!

SHKARKO APP