Roland Qafoku: Të gjithë fajin nuk e ka Tirja
Nga Roland Qafoku –
E kam urryer gjithë jetën modelin Tire, por tani ndjej keqardhje. Prej një jave, sanitarja e spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë Tire Alldervishi që paraqitej si infermiere është kthyer në shenjën e të gjithë shoqërisë shqiptare. Një shenjë që u bë e njohur me të drejtë nga e bija e viktimës paciente në atë spital që publikoi me guxim faktin se në mënyrë makabre jo vetëm nuk i jepej ndihma mjekësore dhe ushqimi, por i zhvati 8 milionë lekë nëpërmjet një mashtrimi ordiner. Një mashtrim që në fakt po na serviret sikur Tirja paska qenë ujkonja e Wall Street-it dhe jo një grua e thjeshtë, e fundit në zinxhirin e një korrupsioni dhe mashtrimi ordiner, të cilin kurrën e kurrës nuk mund ta bënte e vetme dhe për më tepër pa e kuptuar kush nga shefat dhe drejtuesit.
E kam urryer modelin Tire që kur unë dhe shokët e mi shikonim zyshat në shkollën e mesme mbante me atër një nxënës që falë babit që punonte atje lart, i vinte në të gjitha lëndët nota 10-ta, a thua se ai ishte njëkohësisht edhe Albert Einstein-i në Fizikë, por edhe Arnold Schvarzenegger në fizkulturë.
E kam urryer modelin Tire që adoleshent që kur pamë me sytë tanë ne bashkëmoshatarët se si të drejtat e studimit u bënë në atë mënyrë që miku, shoku allishverishet dërguan në degë të mira ata që nuk e meritonin.
E kam urryer modelin Tire kur në emërimet në punë ne të sapodiplomuarëve u favorizua ai që nuk e meritonte, por vetëm se dha aq sa të linte pas të gjithë të tjerët.
E kam urryer modelin Tire sepse të gjithë kemi parë me sytë tanë që karrierë kanë bërë disa që kanë shitur trupin, nderin, shpirtin, karakterin dhe asgjë profesionale nuk kishte lidhje me ta.
E kam urryer modelin Tire kur kemi parë më sytë tanë kur një mjek mori miliona për operacionin e një të afërmi edhe pse e dinte se ai do vdiste nga kanceri që i kishte pushtuar trupin.
E kam urryer modelin Tire sepse zbulova se një prind lutej duke qarë një prokurori t’i lironte të birin 20-vjeçar të cilin e kishte futur vetë në burg për ta larguar nga droga. Por që tani që burgu vërtetë e kishte larguar nga droga prokurori nuk e lironte të riun pa marrë 5 milionë lekë.
E kam urryer modelin Tire sepse pamë me sytë tanë që një koleg gazetar merrte para në këmbim të lajmeve dhe vinte gjoba duke u pasuruar në një mënyrë të tillë që nuk e ndalte asgjë e pacipë, por që vlerësohej në komunitetin e gazetarëve si model profesionisti.
E kam urryer modelin Tire se nga rreth 6500 vrasje të ndodhura në këto 30 vjet nuk kemi në burg po aq autorë, sepse u kanë dhënë para prokurorëve dhe gjykatësve dhe liria e tyre është rrezik potencial i përheërshëm për shoqërinë.
E kam urryer modelin Tire se falë parave korruptive kanë shpëtuar nga ndëshkimi dhjetra biznesmenë që tregojnë mallra të skaduara në dyqane, markete dhe supermarkete ndërkohë që jeta e konsumatorëve ka qenë dhe vijon të jetë në rrezik.
E kam urryer modelin Tire kur vërtetuam se një ministër vetëm me një tender publik mori aq para saqë ka siguruar jetën jo vetëm të fëmijëve, por edhe të nipërve dhe mbesave dhe tani bërtet o popull ngrihuni në këmbë se po u vjedhin pasurinë.
E kam urryer modelin Tire kur para syve tanë u bë deputet edhe një mashtrues ordiner dhe trafikant po aq ordiner falë kapërcimeve politike dhe lëpirjeve ndaj kryetarit të partisë.
E kam urryer modelin Tire se falë abuzimeve u arrit që në parlament të kemi deputetë edhe personazhe që nuk dinë të lexojnë as Abetaren dhe fjala korporatë tani në fjalor është futur në versionin “këpërata” si tallje për analfabetët funskionalë.
E pra, tani të gjithë i janë sulur si çakej Tires, pastrueses së spitalit “Shefqet Ndroqi”. Po çfarë është Tirja përballë këtyre peshkaqenëve që rriten bashkë me korrupsionin që e kanë kthyer këtë sëmundje në sistem të çimentuar në shoqëri. Jemi shoqëri e sëmurë nga veset, cenet dhe befas sapo bëhet publikë një vjedhje si kjo e Tires e njëjta shoqëri bëhet kaq puritane saqë duket sikur Tirja na ra nga qielli. Të gjithë i janë hedhur në fyt sikur ajo dhe vetëm ajo është fajtorja. Duket qartë që në këtë sulm, më të zellshmit janë ata që kanë më shumë vese si ky i Tires. Që kanë bërë vetë korrupsion dhe habia është se ata tani duket sikur thonë: Unë kurrë nuk do ta bëja këtë. Edhe me arrestimin e Tires, ndodhi si ajo historia që kur një burrë vrau dikë në fshat, pas vrasjes i gjithë fshati bën një krim në përpjestime të mëdha kur njëzëri thotë përballë kamerave: Vrasësi të varet nga gjuha sepse na turpëroi fshatin!
Tirja nuk e ka turpëruar as fshatin e saj e as të gjithë Shqipërinë. Tirja ka bërë një skandal që ka qenë mëse normal në punën e saj, por edhe në jetën e saj të thjeshtë. Ajo është një grimcë e vogël e këtij korrupsioni dhe ndershmërie jo vetëm atje ku punon por në të gjithë Shqipërinë.
Ta themi troç: Është e gjithë shoqëria jonë kështu. Është e sëmurë nga veset dhe pandershmëria. Tirja është vetë sistemi ynë. Një shoqëri që ka lënguar dhe vazhdon të lëngojë nga korrupsioni. Një plagë që e ka bërë këtë vend të adhurojë atë që bën korrupsiopn dhe atë që fiton para pa djersë. Një plagë që mbi të gjithë ka bërë të pashpresë të rinjtë. Një shoqëri që ka dhuruar më shumë se çdo shoqëri tjetër fjalorin e vet të korrupsionit. Ja ti përmendim: Duhet lyer rrota; po një kafe nuk e do ai; paraja hedh ujin përpjetë; më mirë një mik se sa një çiflig, etj.
Dikush mund të kundërshtoj dhe të thotë se nuk janë të gjithë kështu. Po. Jam i lumtur që kjo është e vërtetë. Por ama trishtohem kur mendoj i bindur se Tiret janë shumica, janë ato dhe ata që mbysin të ndershmin dhe atë që gjithçka e ka me djersë. Në çdo grup punonjësish, në rastin më të mire, e ka një Tire. Në rastin ekstrem Tirja është në përpjetime të mëdha. Dhe tani që doli me zë e figurë i turremi Tires sikur ajo të jetë problemi. Jo. Tirja është një pikë ujë në oqeanin e pandershmërisë në Shqipëri. Tirja nuk mund të marrë dhe mbajë mbi shpinë të gjitha sëmundjen e shoqërisë. Ajo ka vetëm fajin e vet. Por, për gjithë shoqërinë shqiptare, i gjithë faji nuk është i Tires. Prandaj, tani ndjej keqardhje. Fjala.al