Roli i LSI në krizën politike në Shqipëri

Në kulmin e acarimit mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri, kryetari i LSI-së kërkon të nxisë dialogun. Çfarë do të thotë “qeveria e besimit”? Ilir Meta bëri një zhvendosje. Nga e majta ku ka bashkëqeverisur për rreth katër vite me socialistët, duket se ka kaluar më në qendër, në një përpjekje të nxisë Edi Ramën dhe Lulzim Bashën për t’u marrë vesh në këtë situatë kritike për vendin.

“Retorika politike, agresive, provokative dhe konfliktuale po dominon zhvillimet dhe sjelljen politike. Në këto kushte, është imperative dialogu urgjent dhe zgjidhja politike. Çdo vonesë e çon vendin në drejtime të panjohura, të pa kontrolluara dhe me pasoja të paparashikueshme. Vlerësojmë se kryeministri Rama dhe kryetari i opozitës Basha, duhet të heqin dorë nga qëndrimet përjashtuese dhe konfliktuale”, deklaroi Meta në fillim të javës, në forumet drejtuese të partisë së tij.
Meta: Vijimi i krizës delegjitimon institucionet

Albanien Anti-Regierungsproteste in Tirana (Reuters/F. Goga)

Meta shprehet i gatshëm për një rinovim të koalicionit me socialistët për katër vitet e ardhshme. Por duke e kushtëzuar këtë. “Nëse lideri i PS-së nuk do të tregojë përgjegjshmëri maksimale për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe dhënien e të gjitha garancive të mundshme për opozitën, që të jetë e procesit zgjedhor, LSI jo vetëm nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë por as edhe e një farse elektorale”. Aleati i socialistëve bëri edhe një parashtrim ideologjiko-filozofik, kur përmendi se LSI “është e qartë dhe ka qenë e qartë që midis të majtës dhe të djathtës, zgjedh të majtën. Mes zgjedhjeve demokratike dhe farsës, zgjedh demokratiken. Mes demokracisë dhe diktaturës, zgjedh demokracinë. Midis kaosit dhe stabilitetit, zgjedh stabilitetin e vendit. Çdo vazhdim i këtij konflikti, jo vetëm që bllokon reformën në drejtësi dhe krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, por krijon edhe boshllëqe institucionale, pasi shumë prej institucioneve të drejtësisë, po u vjen mbarimi i mandatit të tyre. Kjo krijon edhe rrezikun e delegjitimit të të gjithë institucioneve në vend”.

Rama: I hapur për cdo kërkesë që nuk cënon Kushtetutën

Pas qëndrimeve të bashkëkryetarit të koalicionit qeverisës ka reaguar dhe kryeministri. Rama ka vlerësuar përpjekjen e LSI-së, siç e cilësoi ai “për të gjetur një zgjidhje që kënaq PD-në”, por duke shtuar se gjithçka duhet bërë në rrugë kushtetuese. Sipas tij, teksti i Kushtetutës është i qartë. “Kushtetuta jonë është shumë e qartë – zgjedhjet duhet të mbahen në 18 qershor. Kushtetuta është shumë e qartë – qeveria është vullnet i shumicës. Nëse biem të gjithë dakord me Kushtetutën, unë jam i bindur se mund të biem dakord për gjithcka tjetër”. Në një koment që shkruajti në llogarinë e tij në rrjetet sociale, Edi Rama edhe gatishmërinë për dialog e lidhi me respektin ndaj Kushtetutës, duke pohuar se mund të bisedojë me shefin e opozitës edhe në çadrën që PD. “Dialogu ka qenë dhe mbetet gjithnjë zgjedhja ime e parë. Unë kam qenë dhe jam i hapur për çdo kërkesë apo zgjidhje, që nuk cënon Kushtetutën e nuk i bie ndesh standarteve demokratike”, komentoi Rama.

Edi Rama (Getty Images/AFP/D. Dilkoff)

Opozita: Nisje sa më shpejt e dialogut për qeverinë teknike

Shefi i opozitës i lëvdoi qëndrimet e Ilir Metës. Për ta zyrtarizuar më shumë qëndrimin, ai mblodhi dhe aleatët e PD-së, ku u cilësuan deklaratat e Metës si një hap për t’u bërë pjesë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike në vend. Në një deklaratë që u shpërnda pas takimit thuhej se koalicioni opozitar “rikonfirmon gatishmërinë për nisjen e dialogut politik për qeverinë teknike dhe fton Edi Ramën të heqë dorë nga kushtet dhe të vendosë interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë para interesave personale të pushtetit të tij”.

Sipas PD-së dhe aleatëve të saj detyrat më kryesore të një qeverie teknike janë: “mandat të fortë për zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit; luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës; përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, si dhe zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut. Kjo është e vetmja garanci për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të votojnë lirisht, të zgjedhin lirisht dhe vota e tyre të mos tjetërsohet”.

Mesazhe për kryeministrin që t’i hapë rrugë qeverisë teknike

Për kryeredaktorin e lajmeve në Televizionin kombëtar KLAN, Fatos Hakorja, me propozimin për një “qeveri besimi”, Ilir Meta është brenda kredos së tij politike “të sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet”, të shprehur në momente të tjera krizash të ngjashme, si ajo e krijuar nga reforma në drejtësi. Sipas tij, edhe njëherë Ilir Meta po kërkon të shfaqet si balanca mes dy palëve me qëndrime përjashtuese dhe konfliktuale, për të shmangur ato që ai i paralajmëron si pasoja të paparashikueshme për vendin. Por edhe këtë herë sakrificën kryesore, LSI ia kërkon aleates së saj të madhe, PS-së, thotë Hakorja për Deutsche Welle-n. “Gatishmëria për të lënë të gjitha mandatet e LSI, nëse kjo i shërben zgjidhjes së krizës, është më shumë një mesazh për kryeministrin që t’i hapë rrugë qeverisë teknike, sesa një formë presioni si ajo e përdorur në kulmin e krizës që prodhoi reforma në drejtësi, ku Meta kërcënoi me largimin nga qeveria. Sot LSI nuk duket e gatshme të rrëzojë qeverinë, por nga ana tjetër ajo e ka vënë kryeministrin Rama para një sfide të madhe me vendimin për të mos shkuar në zgjedhje pa opozitën. Gjithësesi me këtë qëndrim LSI i ka vënë palët në lëvizje, në kërkim të gjetjes së një zgjidhjeje, ndonëse e ka përjashtuar veten si pjesë të krizës apo të zgjidhjes së saj”.

Ndërkohë kryeredaktori i të përditshmes TEMA, Bledar Lumani, mendon se Ilir Meta dhe LSI-ja duhet të kishin folur shumë më parë dhe nëse do e kishin bërë këtë, sot kriza mund të ishte zgjidhur. “Në kuptimin që jo se Rama do pranonte qeverinë teknike, por që do të kishim një ridizenjim të palëve dhe koalicioneve dhe PD mund të dilte nga çadra, për t’iu bashkuar LSI-së. Duket se LSI dhe Meta e kanë zvarritur qëllimisht këtë gjë, për të degraduar situatën dhe për të mos votuar komisionet e Vetting-ut”, thotë ai për Deutsche Welle-n.

Fatos Hakorja thekson se Ilir Meta me qëndrimet e tij i kërkon kryeministrit dhënien e të gjitha garancive të mundshme opozitës që ajo të jetë pjesë e procesit zgjedhor. “Por opozita sheh garanci vetëm tek qeveria teknike, ndërsa zoti Rama e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e plotësimit të kësaj kërkese. Propozimet e zotit Meta shihen si zgjidhje vetëm nga opozita që i përshëndeti ato. Ndërsa kryeministri i refuzoi, duke i treguar Kushtetutën dhe standardet demokratike. Në këtë kontekst propozimi i vetëm i zbatueshëm i Metës mbetet nisja e dialogut mes palëve, nëse me thellimin e krizës ato do të heqin dorë nga kushti i panegocueshëm i qeverisë teknike”.

Berlin, Bundestag Lulzim Basha (DW/Auron Dodi)

Cili është fati i koalicionit PS – LSI?

Për Bledar Lumanin marrëdhënia PS-LSI është krisur prej kohësh dhe deklarimet e fundit të Metës praktikisht e kanë nxjerrë LSI-në nga koalicioni. “Mendoj se qëndrimet e Metës ishin pothuajse të njëjta me ato të opozitës. Ndërsa e dëgjoje, të dukej sikur fliste Lulzim Basha dhe jo Ilir Meta. Mendoj se tashmë nuk ka më kthim prapa dhe rruga e tyre ndahet këtu. Tani nuk ka më kuptim që PS dhe LSI të jenë më bashkë. Ndaj ose Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të shkojmë në zgjedhje, ose LSI dhe PD duhet të kërkojë një mocion mosbesimi ndaj tij”.

Fatos Hakorja ka një këndvështrim tjetër kur shprehet për Deutsche Wellen se tashmë dy partnerët e koalicionit qeverisës janë përballë një krize, të cilës do të duhet t’i japin zgjidhje së bashku, dhe ku secila prej tyre kërkon të dalë sa më pak e dëmtuar prej saj.

“Meta u shpreh pa dilema pro vazhdimit të koalicionit. Deklarata e tij se midis zgjedhjeve demokratike dhe farsës elektorale pa asnjë diskutim zgjedh vetëm zgjedhjet demokratike dhe se midis demokracisë dhe diktaturës, zgjedh vetëm demokracinë, janë paralajmërime të forta për kryeministrin për atë çfarë e pret vendin nëse shkohet në zgjedhje pa opozitën dhe distancim i LSI nga përgjegjësia për këtë situatë. Në thelb, si Rama ashtu dhe Meta duket se nuk kanë divergjenca të tjera që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet mes PS e LSI”.

Rikonfigurim i skenës politike?

Kryeredaktori i TEMA-s e përshkruan situatën aktuale me palë të ripozicionuara – PS e vetme, dhe LSI me PD-në. Në situatën kur Rama nuk ka ndërmend të pranojë kërkesat për qeveri teknike, apo besimi siç thotë LSI, si dhe shtyrjen e zgjedhjeve, zgjidhja mund të vijë vetëm nga jashtë, parashikon Bledar Lumani. “Duhet që ndërkombëtarët të negociojnë për zgjidhjen e kësaj situate, pasi nuk do ishte normale që PS të shkonte vetëm në zgjedhje, ndërkohë që vihet në rrezik edhe procesi i zgjedhjes së presidentit të ri. Ose zgjidhja tjetër do ishte dorëheqja e Ramës dhe shkuarja në zgjedhje, ose një mocion mosbesimi”.

Fatos Hakorja vlerëson se në mënyrë specifike kriza e këtyre ditëve dëmton drejpërdrejtë reformën në drejtësi, e cila shihet si çelësi i ecurisë së mjaft procesve të tjera thelbësore për vendin, si integrimi në BE. “Bojkoti i Kuvendit nga opozita ka bllokuar ngritjen e komisioneve të vetingut dhe zbatimin e këtij ligji që mëton të pastrojë drejtësinë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Thellimi i krizës politike do të shkaktojë dëme të parikuperueshme për vendin dhe do të cënojë më tej besueshmërinë e qytetarëve tek politika, për shkak të pasigurisë që ajo vazhdon të prodhojë në mënyrë ciklike”.

SHKARKO APP