Roli i Papës si ndërmjetësues

Udhëtimi i Papës në Kubë dhe në SHBA zhvillohet tërësisht në shenjë të çtensionimit të marrëdhënieve midis dy ish-armiqve të betuar. Roli ndërmjetësues i Papa Françeskut ende nuk mund të ketë përfunduar.

Kuba i uron mirëseardhjen Atit të Shenjtë

Ishte një surprizë e madhe, kur presidenti i SHBA-së Barack Obama dhe presidenti i Kubës Raúl Castro në mes të dhjetorit njëkohësisht në fjalimet televizive deklaruan një proces afrimi për normalizimin e marërdhënieve midis dy shteteve. Fundit të "luftës së ftohtë" në Karaibe i kishin paraprirë 18 muaj bisedime të fshehta. Papa Françesku, i cili këtë fundjavë udhëton fillimisht në Kubë e më pas në SHBA, ka luajtur një rol kyç në këtë lojë diplomatike.

Qëkurse SHBA në janar 1961 ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Kubën çdo president i SHBA-së ka zhvilluar bisedime me Havanën – shpesh përmes kanalesh të fshehta apo përmes ndërmjetësuesve. Por në to rrallëherë janë arritur përparime thelbësore. E përderisa SHBA-ja pas fundit të Bashkimit Sovjetik nuk ishte e gatshme të shfuqizonte bllokadën e saj ndaj Kubës, konflikti mbeti i ngrirë edhe për një kohë të gjatë pas rënies së Murit të Berlinit.

Bisedime të fshehta

Me marrjen e postit presidenti i SHBA-së Obama theksoi gatishmërinë e tij për një fillim të ri në marrëdhëniet me Kubën. Por përveç disa ndryshimeve kozmetike ai nuk ndërmori hapa seriozë gjatë mandatit të tij të parë. Përkundrazi atij iu desh të shohë, se si raportet e SHBA-së me Amerikën Latine për shkak të çështjes së Kubës po përkeqësoheshin vazhdimisht.

Në dhjetor 2012, pak javë pas rizgjedhjes, Obama ngarkoi më në fund dy bashkëpunëtorë të ngushtë, që të vendosnin një kanal komunikimi me qeverinë kubaneze. Ajo pranoi dhe në qershor 2013 nisën në fshehtësi të madhe bisedimet në kryeqytetin kanadez Otava.

Në fillim synohej kryesisht lirimi i punonjësit të USAID Alan Gross. Ky ishte arrestuar në dhjetor 2009 në Havanë dhe ishte dënuar me 15 vjet heqje lirie për spiunazh. Kuba si kompensim insistoi për lirimin e "Cuban Five", pesë agjentëve kubanezë, të cilët më 2001 në një proces plot parregullsi u gjykuan me dënime drakonike. Obama refuzon një shkëmbim direkt të të burgosurve, ai konsideron këtë të parealizueshme politikisht. Bisedimet mbetën në qorrsokak në 2013.

Papa hyn në lojë

Ndërkohë deputetë të ndryshëm ndër ta edhe senatorët demokratë Patrick Leahy dhe Dick Durbin, që nuk dinin gjë për bisedimet e fshehta, ushtruan presion ndaj Obamës, që ky të angazhohej më fort për lirimin e Gross. Në një takim në Shtëpinë e Bardhë në fund të 2013 Durbin propozon, që t'i kërkohet Papa Françeskut të ndërmjetësojë. Vatikani në mënyrë të përsëritur është shprehur për shfuqizimin e bllokadës së SHBA-së ndaj Kubës e kësisoj gëzon kredibilitet në Havanë. Gjithashtu qeveria kubaneze e njeh Kishën Katolike në ishull si partnere bisedimesh.

Senator Leahy si shkruan një letër kryepeshkopit të Havanës, kardinalit Jaime Ortega, me të cilin ai ishte takuar gjatë udhëtimeve të mëpardhme në Kubë, dhe ai i shkruan një letër tjetër edhe kardinalit Sean Patrick O'Malley nga Bostoni, duke i kërkuar që t'ia parashtrojë këtë çështje Papës.

Kur Obama në mars 2014 vizitoi Vatikanin bisedimet u vunë sërish në lëvizje. Ortega zbuloi më vonë në një intervistë disa fjalë, që kishin shkëmbyer Papa me Obamën. "Papa i tha aij [Obamës, shën. i red. .] një fjali me domethënie të madhe: 'Që [afrimi, shën. i red.] është vetëm i mirë për popullin kubanez, që ka vuajtur kaq shumë, por edhe për qeverinë tuaj dhe për ju vet, për politikën e vendit tuaj kundrejt Amerikës Latine. Amerika Latine është në unanimitet për refuzimin e bllokadës. Politika e vendit tuaj kalon përmes Amerikës Latine. Nëse nuk ka zgjidhje, ju do të mbeteni i distancuar prej Amerikës Latine.'"

Një letër motivuese

Në verë Papa shkruan letra në besim drejtuar Obamës dhe Raúl Castros, përmes të cilave u lutet të dy presidentëve "çështjet humanitare t'i zgjidhin në interesin e përbashkët, duke përfshirë edhe situatën e të burgosurve të caktuar, për të nisur një etapë të re të marrëdhënieve." Pas një prezantimi në Universitetin Georgetown, që shërben si histori kamuflimi, arrihet deri tek takimi i fshehtë i Ortegas me Obamën në Shtëpinë e Bardhë, ku ai i dorëzon atij letrën.

"Për aq sa më kujtohet mua ne asnjëherë nuk kemi marrë letër nga Papa përveçse në këtë rast", citojnë të dy autorët Peter Kornbluh dhe William LeoGrande në një artikull në revistën e SHBA-së "MotherJones" një nëpunës të lartë të SHBA-së. "E kjo, besoj unë, ka sjellë më shumë hov e dinamikë, për të vazhduar më tej."

Marrëveshje në Vatikan

Në fund të tetorit Papa fton ndërmjetësuesit e të dyja palëve në Romë, ku ai sqaron detajet e fundit dhe më në fund kopsit marrëveshjen mes SHBA-së dhe Kubës. Papa shprehet i gatshëm, që të jetë garana për marrëveshjen.

Më 17 dhjetor më së fundi Patrick Leahy dhe Jeff Flake, një senator republikan nga Arizona, fluturojnë për në Havanë, për të marrë Gross, të cilin qeveria kubaneze e kishte liruar për arsye humanitare. Pak javë më vonë lirohen në këmbim të agjentit të CIA-s Rolando Sarraf tre nga Cuban Five të mbetur në burg dhe Obama e Castro dalin në publik.

Pak javë më vonë nisin bisedimet direkte për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo nuk mund të arrihet pa i dhënë fund politikës së bllokadës së SHBA-së kundër Kubës, kështu ka bërë të qartë vazhdimisht qeveria kubaneze. Shfuqizimi i bllokadës është në duart e Kongresit të SHBA-së. Nëse Papa Françesku, i cili është i pari Papë, që do të flasë para Kongresit të SHBA-së, do ta vazhdojë rolin e tij ndërmjetësues, kjo është një ndër çështjet më interesante të këtij udhëtimi./DW

SHKARKO APP