Rotacioni dhe ndryshimi duhet të ecin në të njëjtën korsi
Nga Astrit Patozi –
“RILINDJA” është sistematike dhe nuk zhgënjen asnjëherë, sa herë vjen fjala për korrupsionin. Nga viti në vit, Shqipëria nën drejtimin e saj po ndjek ritmin e zogjve të korbit, të cilët sa më shumë rriten, aq më tepër nxihen.
Jemi 7 vende më poshtë se vjet, sipas raportit vjetor të Transparency International, dhe nuk ka asnjë shenjë që kjo tatëpjetë e frikshme të ndalet.
Kam frikë se tek ne korrupsioni ka nisur të perceptohet, në rastin më të keq, si një gjë normale, që nuk duhet të na bëjë shumë përshtypje. Ndërsa, në rastin më të mirë, po konsiderohet si një kundravajtje e lehtë, ngaqë si krime të rënda po quhen vetëm droga, vrasjet, trafiqet dhe aktivitetet e tjera mafioze.
Ndërkohë që shteti dhe shoqëria ndjehen gati dorëzuar para një bande brejtësish plaçkitës, që vjedhin dhe grabisin gjithçka ka mbetur me vlerë në këtë vend. Sepse kjo epidemi ka prekur të gjitha nivelet e administratës, që nga timonieri global, e deri tek nëpunësi më i ulët i pushtetit lokal, i cili qeveriset i gjithi nga një dorë.
Kjo është një provë tjetër se Shqipëria ka një nevojë të ngutshme për një ndryshim të thellë të politikëbërjes dhe, jo thjesht për rotacion politik. Qeveria e korruptuar dhe e kriminalizuar e Edi Ramës duhet të ikë një orë e më parë nga pushteti, por publiku duhet të ketë të gjitha garancitë se ajo që vjen pas saj nuk do të bëjë të njëjtën gjë.
Vetëm reformat e thella trasnformuese, ku përfshihet edhe sistemi zgjedhor, që ushqen dhe mban në këmbë kryetarokracinë, mund të krijonte bindje tek shoqëria shqiptare se rotacioni dhe ndryshimi janë duke ecur në të njëjtën korsi dhe me të njëjtin ritëm.