Rrëfimi i një vrasësi

 

Ishte në pikën më të ulët të jetës së tij kur u rrëmbye me forcë nga familja e tij dhe pasi u torturua dhe drogua për ditë të tëra me drogëra të forta, vendosi të bëhej një “sicario”, vrasës me pagesë për kartelet meksikane të drogës.

Është historia e trishte e Israel Hinosa, personit që për katër vjet vrau në emër të bosave të tij.

Ai është rrëfyer për punën e tij në një intervistë për Daily Mail.

Nuk mund t’i besoj gjërat e tmerrshme që kam bërë. Dhe jam akoma më i habitur që jam ende gjallë”, thotë Hinosa.

Çdo njeri për të cilin kam punuar ka vdekur ose është prapa hekurave tani”, shton ai.

Ai rrëfen botën e errët të karteleve meksikanë duke thënë se ata gjejnë njerëzit më të dobët për të rekrutuar.

“Rekrutojnë njerëz si unë që janë trokë, ose kanë probleme me drogërat, alkoolin dhe bixhozin. I nxjerrin nga telashet ku janë për t’i shndërruar në vrasës të pamëshirshëm të paguar disa dhjetëra dollarë. Vrasjen e parë e kam bërë për 30 dollarë”, thotë Hinosa.

Bazuar në rrëfimet e disa ish-vrasësve po realizohet edhe filmi “Sicario” ku protagoniste është aktorja Emily Blunt.

“Nuk ka lavdi në vdekjen. Si të vrasësh apo të të vrasin është e njëjta gjë. Një gjë shumë e shëmtuar”, rrëfen Hinosa.

Në 2010 Hinosa u deportua në Meksikë.

Ai ishtë një ndër qindra persona të deportuar nga SHBA-ja ku kishin kryer të paktën një krim.

Ai qendroi në një fshat pranë kufirit me SHBA-në me gruan dhe dy fëmijët e tij.

“Kartelet e dinë se njerëzit e deportuar janë më të dëshpëruarit dhe janë gati të bëjnë gjithçka. Ata të studiojnë sa gjejnë pikën tënde të dobët dhe aty godasin”, thotë ish-vrasësi.

Më tej Hinalosa rrëfen si u rekrutua nga karteli i madh Sinaloa, kreu i të cilit ishte El Cahpo Guzman, trafikanti i famshëm që u arratis nga një burg i sigurisë së lartë pak muaj më parë dhe është në kërkim ndërkombëtar.

“Janë pesë mijë si unë, vrasës me pagesë, sicario. Të paktën 20 mijë njerëz kanë vdekur nga duart tonë”, thotë Hinosa.

Pasi u rekrutua nga karteli i drogës ai u nda me forcë nga familja.

“Pas gjashtë muajsh mora vesh që gruaja ime jetonte me një burrë tjetër. Injektoja heroinë çdo ditë në trupin tim pasi nuk duroja dot faktin që humba familjen time dhe vrasjet që po bëja”, rrëfen ai.

Puna e përditshme e Israel Hinosës ishte mbledhja e parave nga borxhlinjtë e karteleve, me dëshirën e tyre apo jo.

Nëse situata dilte jashtë kontrollit, atëherë ishte e nevojshme marrja e masave ekstreme.

Hinosa ka rrëfyer edhe për fuqizimin e femrës më të fuqishme të kartelit Sinaloa, “El China”, e cila u arrestua pak javë më parë pasi u tradhëtua nga partneri i saj.

“El Chino, partneri i saj është tani njeriu më i fuqishëm në Meksikë. Ai një ushtri të tërë nën komandën e tij”, thotë Hinosa.

Pasi u gjend në ditën e tij më të zezë dhe i varur totalisht nga droga, Hinosa para një viti vendosi të largohej nga karteli.

“Nuk është e lehtë të largohesh, por e mora këtë vendim. Pasi ndenja disa kohë në një qendër rehabilitimi nga drogërat tani ndjehem i pastër. Nuk dua t’i rikthehem më asaj rruge megjithëse ende më ushtrojnë presion që të kthehem. Nuk e dua më atë jetë, më mirë të vdes”, thotë Hinosa. /Përshtati në shqip Amarildo Lumani. TEMA

SHKARKO APP