Rrënimi me ngut i zotit Knut…
Pamjet virale që bënë xhiron e të gjitha portaleve dhe të rrjeteve sociale në vend, ku ish-reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, qëndronte ulur në bordurë në qendër të Tiranës, janë emblematike dhe i bashkohen në sinkron derexhesë së vërtetë që ka zënë sindikalistin nga Hamburgu.
Nga një europarlamentar që përfaqësonte Gjermaninë, vendin më të fuqishëm në Parlamentin Europian, në vëzhgimin e monitorimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ‘herr’ Knut, është një vartës i Gramoz Ruçit, i emëruar si ‘qokë’ e Taulant Ballës.
Emërimi i tij në Tiranë u sulmua ashpër nga opozita, ngaqë mbajnë mend kohën e çadrës, kur europarlamentari socialdemokrat, as nuk denjoi të takojë kreun e opozitës.
E në fakt, megjithëse opozita natyrisht shikon interesat e saj dhe nuk e ka harruar rastin e 2017-s, aktiviteti i Knut Fleckenstein si reporter për Shqipërinë, ka qenë i njëanshëm.
Sikur nuk mos të ishte një gjerman, personifikimi i njeriut korrekt dhe i pakorruptueshëm, ai tregoi më shumë se njëherë se është më shumë një aleat i PS-së, ku treguar se ushqen një kimi të çuditshme me Taulant Ballën, e pasi nuk u zgjodh eurodeputet në zgjedhjet e fundit, ju “zgjua dashuria” për Gramoz Ruçin.
Mund të thuash pa asnjë rezervë, se Fleckenstein është rasti simetrik i Doris Pack-ut, gjermanes që në fund të viteve ‘90 ishte reportere për Shqipërinë, por mbajti anën e Partisë Demokratike, aleate e së cilit ajo ishte.
E sot, njëanshmëria e ‘herr’ Knut, ka degraduar që të bëjë raporte për Gramoz Ruçin, një nga reliket e politikës së vjetër në Shqipëri, pjesëtar i kastës së fundit të regjimit komunist në vend.
Një situatë tragjikomike, por që natyrisht nuk është as në formatin e një politikani europian, i cili edhe kur mbyll karrierën, eksperiencën e tij e vë në shërbim të qytetarëve, nëpërmjet këshillave apo diskutimit në opinionin publik, që në një farë mënyrë deformon si politikën europiane të cilën e ka përfaqësuar, por edhe atë të vendit të tij Gjermanisë, e cila ka një format prestigjioz dhe serioz të politikës së lartë.
I ardhur me ndihmën e Taulant Ballës, si këshilltar i kryetarit të Kuvendit, me një kontratë jo transparente pagese, gjithsesi statusi i zotit Fleckenstein është i çuditshëm edhe në aspektin praktik, ngaqë një këshilltar duhet të jetë non stop i azhornuar dhe në kontakt me shefin.
Por çfarë kontakti mund të ketë herë Knuti me Gramozin, kur ky i fundit nuk ja pret fare për gjuhët e huaja; nuk di as gjermanisht e as anglisht.
Kështu që sipas gjasave, përveç pagesës së kripur të Fleckensteinit, Kuvendi paguan edhe një përkthyes me kohë të plotë për të shoqëruar gjermanin, jo vetëm në bisedat me Ruçin, por në kafe, restorant, plazh, lëvizjet nëpër Shqipëri, etj.
Pra i bie që qytetarët shqiptarë të paguajnë një faturë të majmë, thjesht për të bërë qokën një politikani që ka mbetur pa punë, ka mbyllur pa lavdi karrierën politike dhe po punon në një post që natyrisht nuk është i domosdoshëm.
Rasti i Herr Knut, apo i Frau Pack në të shkuarën, janë fenomene të trishta që ndikojnë jo vetëm në deformimin e marrëdhënies mes ndërkombëtarëve dhe pushtetarëve të korruptuar shqiptar, por edhe ulin ndjeshëm besimin e qytetarëve tek institucione të rëndësishme siç është BE-ja apo edhe kancelari të tjera prestigjoze.
Ndaj nuk është çudi që nëpër rrjete sociale euroskeptikët janë shtuar progresivisht…