Rrënjët e konfliktit greko-turk gjenden në Qipro

Nga Enver Bytyçi –
Ishulli i Qipros historikisht ka qenë i lakmuar nga shtete dhe fuqi të mëdha europiane. Pozicioni gjeostrategjik i këtij ishulli ka nxit rivalitete dhe konflikte të vazhdueshme që prej kohës së Aleksandrit të Madh. Por ajo që ndodh sot në Mesdhe e ka zanafillën te ngjarjet e vitit 1964 dhe përpjekjet e presidentit Makarios, i cili luante edhe rolin e patriarkut ortodoks të ishullit, për bashkimin me Greqinë. Nën drejtimin e Makarios në vitin 1974 u bënë përpjekje për të vendosur juntën ushtarake dhe shpallur bashkimin e Qipros me Greqinë. Në këto përpjekje u bashkua gjithashtu Garda Kombëtare Greke. Sa kohë ishte Makarios në pushtet, nga viti 1964 e deri në vitin 1974, kur ishulli u nda, trupat e tij ushtarke, së bashku me ato greke bënë masakra të shumta kundër popullsisë turke, me qëllim që ta detyrojnë atë të pranonte bashkimin e ishullit me Greqinë.

Në këto kushte qeveria e Ankarasë urdhëroi ndërhyrjen e ushtrisë turke dhe me 20 korrik të atij viti veriu i Qipros u pushtua nga kjo ushtri, duke shënuar ndarjen përfundimtare të ishullit. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me rezolutën 353 të saj dënoi përpjekjet për bashkimin e Qipros me Greqinë si dhe ndërhyrjen ushtarake të Ankarasë, duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme të tyre. Prej këtij mmomenti (16 gusht 1974) Qipro ekziston në dokumentet ndërkombëtare si shtet i pandarë dhe trupat e paqes së OKB-së vëzhgojnë ruajtjen e stabilitetit, duke patrulluar gjithashtu në linjën e gjelbërt.

Por në fakt ai është i vetmi ishull i ndarë plotësisht dhe në konflikt permanent. Prej 46 vitesh Qipro jeton ne dy territore, në jugun grek me rreth 800 mijë banorë në 5384 km2 dhe veriun turk prej 300 mijë banorësh në 3355 km2. Në veri ndodhen ende trupat ushtarake të Turqisë. Në vitin 1983 Qiproja e Veriut shpalli Republikën Turke të Qipros së Veriut, por KS i OKB-së me rezolutën 541 e konsideroi këtë akt të papajtueshëm me të drejtën ndërkombëtare.

Edhe në këtë rast komuniteti ndërkombëtar përkëdheli tekat greke në ishull. Por avantazhi më i madh iu dha qipriotëve grekë në vitin 2004, kur sipas planit të sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, në ishull u zhvillua referendumi për bashkimin e tij. Në atë referendum u parashikua që shteti i Qipros të funksiononte si federatë, në jug Republika Greke e Qipros dhe në veri Republika Turke e Qipros. Një shtet federativ qipriot u mbështet edhe nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë e njëkohësisht nga Republika e Turqisë. Për këtë arsye turqit qipriotë votuan pro Federatës së Qipros.

Por për çudi, grekët qipriotë votuan kundër bashkimit dhe krijimit të një federate të përbashkët me turqit qipriotë. Në atë referendum morën pjesë 65 përqind e grekëve dhe votuan kundër bashkimit 76 për qind e tyre. Vota kundër e grekëve qipriotë ishte goditje shumë e madhe për përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e paqes, e megjithatë Europa i mbështeti ata pa kushte, duke ju ofruar (1 maj 2004) anëtarësimin në BE. Prej kësaj kohe e deri më sot përpjekjet për paqe thjesht kanë siguruar një rrugëkalimi për këmbësorët dhe biçikletat nga njëra pjesë te tjetra e ishullit. Toleranca e turqve qipriotë, pavarësisht faktit se ata u masakruan gjatë viteve 1964-1974, është tashmë një dëshmi e pakundërshtueshme, ndërkohë që kokëfortësia e grekëve qipriotë është gjithashtu e pa kontestueshme. Megjithatë “kokëfortët thithën tri nëna”, Qipron, Greqinë dhe Bashkimin Europian, madje dhe një gjysëm nëne tjetër, Rusinë.

Ky lloj diskriminimi ka çuar në situatën e sotme të një konflikti të paparashikueshëm në Mesdhe. Tashmë rajoni, Europa dhe bota janë në ethet e këtij konflikti. Turqia ndjehet e fyer dhe e poshtëruar nga qëndrimet kundër saj dhe përkdheljet që i bëhen Greqisë fqinje. Në këto kushte presidenti Erdogan është në dilemë gjithashtu për aleancat strategjike të tij. Herë anon nga Moska e herë tjetër nga Uashingtoni. Herë nga Europa e herë tjetër nga Pekini. Në njërën anë i kundërvihet Francës dhe nga ana tjetër përpiqet të ruajë komunikimin me aktorë të tjerë europianë. Bën diplomacinë e tij të kontrapetalit si në rastin e Libisë, duke nënshkruar marrëveshjen e kontrollit dhe shfrytëzimit të territorit detar në Mesdhe me qëllim që t’i kundërvihet marrëveshjes së Greqisë me Italinë dhe Egjyptin.

Në këtë diplomaci kontraverse duket se edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka tradhtuar mikun e tij të hershëm, Rexhep Tayp Erdogan. Besueshmëria midis tyre ra në kuotat zero kur qeveria turke me rastin e tërmetit të 26 nëntorit nuk pranoi të japë asnjë cent për qeverinë shqiptare, por vendosi që vetë ajo të ndërtojë 500 apartamente banimi për të dëmtuarit e këtij tërmeti. Prej këtij momenti nuk ka patur më kontakte midis Edi Ramës dhe presidentit turk. Përkundrazi, janë shtuar kontaktet midis Erdogan dhe Ilir Metës. Erdogan, duke justidikuar veprimet e tij për kërkimet e gazit në Mesdhe vazhdimisht përmend faktin se “Greqia është e përkëdhelura e Europës”! Kjo e vërtetë nuk mund të mohohet. Sot Franca është ajo që ka dërguar luftë-anijet e saj në Mesdhe në mbështetje të Greqisë.

Duhet të kujtojmë se ishte Franca ajo që këmbënguli në vitin 1981 për pranimin me çdo kusht të Greqisë në BE, edhe pse ajo sapo kishte dalë nga regjimi i diktaturës ushtarake. Se Franca e mbështetste Greqinë për interesat e saj gjeopolitike e dëshmon fakti që ajo kishte kundërshtuar për të njëjtën arsye anëtarësimin e Britanisë së Madhe në BE. Pra nuk ishin standardet ato që e motivonin Parisin për zgjerimin europian, por ishin interesat e saj gjeopolitike. Duket qartë se Turqia nuk bën pjesë në sferën e këtyre interesave. Ndaj sot jemi para një katastrofe. Eshtë shumë lehtë ta kërkosh fajin të Ankaraja. Por nuk është e drejtë të mos njohësh gabimet që janë bërë në favor të njërës palë dhe kundër palës tjetër.

Aq me teper kur Qiproja dhe Greqia synojne ta kontrollojne hapesiren detare ne Mesdhe e Egje, pa menduar se ne kete hapesire ka edhe shtete te tjera. Diskriminimi është shkaku i të gjitha konflikteve në botë. Nëse për varfërinë popujt fajësojnë kryesisht qeveritë e tyre, për diskriminimin ndërkombëtar ato fajësojnë diskriminuesit realë. Një Turqi e fuqishme, me potenacialin ushtarak më të madhin në Europë, një Turqi me ekonomi të zhvilluar e me një popullsi mbi tetë herë më të madhe sesa të Greqisë, nuk mund të pranojë të vihet nën trysninë greke dhe miqve të saj përkëdhelës.

Qipro është përkëdhelja më e madhe për Greqinë, ndaj dhe në zgjidhjen e gabuar të problemit qipriot gjenden rrënjët e konfliktit të sotëm midis Turqisë dhe Greqisë në Mesdhe. Urojmë që Shqipëria të qëndrojë asnjanëse në këtë konflikt. Por nuk jam i sigurt, nëse Edi Rama e njeh ose jo asnjanësinë! Një njeri konfliktual si ai, një politikan me oreks të pafund për pushtet e pasuri si ai, zor se di të ruajë ekuilibra!

SHKARKO APP