Rreziku i gjykimit të islamistëve
“Mes argumenteve të akuzës mund të gjesh edhe shprehje si; “Shtetarët tanë janë këlyshë të perëndimit”. Dhe këto nuk janë elementë të shkëputur. Ato përbëjnë një fill logjik dhe një vijë mendimi që rreket të provojë se këta ekstremistë i kanë hak vitet e burgut që kërkohen. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi? A mund të dënohen ata për bindjen dhe për mendimet e tyre?“…
Nga Andi Bushati/Kërkesa e prokurorisë për të dënuar me 152 vjet burg 9 të akuzuarit për rekrutimin e luftëtarëve të xhihadit të linte një shije të keqe. Po ti hedhësh një vështrim të shpejtë krahasues proceseve më të bujshme, gjykatat shqiptare nuk kanë dënuar në këto përmasa, as masakra vdekjeprurëse si ajo e Gërdecit, apo krime spektakolare politike, që nga 2 prilli i ’91 e deri tek 21 janari i dy dekadave me pas. Jo vetëm ky konstatim, por edhe argumentet e përdoruara në pretencën e prokurorisë të bëjnë të besosh se masat janë të ekzagjeruara; Se imamët e vetëshpallur po dënohen përpos akteve të tyre edhe për bindjet e tyre; Se më shumë sesa drejtësia, ndaj tyre po ndiqet politika e të bërit shembull.
Mjafton të lexosh materialin mbi 80 faqësh të prokurorisë ku kërkohen dënime me nga 20 dhe 15 vjet burg për të akuzuarit, për të krijuar këto dyshime. Pa pasur mundësi për të gjykuar nëse ata kishin vërtet një grup të organizuar për rekrutimin e ushtarëve të ISIS, nëse ata, të gjithë, thjeshtë frymëzonin apo edhe mundësonin vullnetarët e xhihadit (këto vendime do ti marrë gjykata), në pretencën e prokurorisë, në gjuhën e përdorur, vë re pa vështirësi, një gjykim të pastër politik dhe ideologjik.
Natyrisht 9 të akuzuarit, ashtu siç del nga dëshmitë, nga vetë pohimet e tyre dhe nga përgjimet të cilave i janë nënshtruar, nuk janë engjëj. Ata nuk e duan rendin tonë demokratik, ata e urrejnë SHBA-në, ata presin që “birin” e masonëve Edi Rama, ashtu sikurse Sali Berishën, po njësoj si Bushin, Obamën apo Putinin do të vijë dita dhe do ti dënojë allahu. Ata presin gjithashtu që këtë shoqëri të padrejtë, të korruptuar dhe të qelbur ta zëvendësojnë një ditë me shtetin e sherihatit, të cilin do ta bëjë të mundur edhe në Shqipëri përhapja e frymës së ISIS. Po, po, janë të njëjtët që në proces nuk pranonin avokatë se i mbronte allahu, që e kërcënonin gjykatësen se një ditë do të vinte ora e drejtësisë, që i thoshin në fytyrë kreut të Komunitetit Musliman, Skënder Bruçaj, se ishte i shitur tek çifutët dhe perendimorët.
Është e qartë se ata e urrejnë organizimin demokratik të shoqërisë, se i përçmojnë vlerat e perëndimit, se i quajnë “qafirë” të gjithë ata që nuk kanë besimin e tyre. Këtë as nuk e fshehin dhe as nuk e mohojnë. Madje, nga ana tjetër, kanë bërë ç’është e mundur që botëkuptimin e tyre ta bëjnë publik përmes vizibilitetit që u ka dhënë procesi, të cilin e kanë shfrytëzuar edhe për të mallkuar romanin e Ben Blushit edhe për të përshëndetur sulmet vrastare në Francë. Pra, ata, edhe këtë ngjarje, e kanë përdorur pa komplekse në favor të kauzës së tyre. Një betejë në sipërfaqe juridike ata janë munduar ta kthejnë me të gjitha mjetet në një përballje thelbësisht politike.
Ky është kurthi që ata kanë ngritur dhe me sa duket në këtë kurth kanë rënë edhe institucionet tona demokratike. Me arsye absurde policia shpesh i ka nxjerrë mbështetësit e tyre nga salla e procesit. Me arsye absurde trupi gjykues, ka vendosur mbi veten zyrën e komunikimit të gjykatës, duke mos lejuar filmimin e seancave (një çështje kjo që ka mbërritur deri në Këshillin e lartë të drejtësisë). Me arsye absurde mediat në mënyrë të denjë për një regjim totalitar, e kanë pasqyruar këtë proces vetëm nga këndvështrimi i njërës anë. Me sa duket, në këtë kurth, ka rënë së fundi edhe prokuroria, e cila në pretencën ku kërkon 152 vite burgim, duket se është e gatshme ti akuzojë të 9 imamët edhe për bindjet e tyre.
Në materialin e saj të gjatë gjenden argumente të cilat përpiqen ti fajësojnë të akuzuarit, për arsye se ata e quajnë luftën në Siri të drejtë, se ta predikojnë që NATO dhe ShBA shtrojnë darka kur vriten muslimanët, se ata tregojnë anekdoda se si besimtari i fesë së tyre fitoi mbi komunistin, pasi zoti e dënoi Stalinin. Mes argumenteve të akuzës mund të gjesh edhe të tilla si predikimi i njërit prej imamëve se “Perëndimi po i futet të gjithëve në shtëpi”. Dhe për këtë prokuroria komenton: “Flet për Amerikën duke kritikuar qëndrimin e saj”.
Mes argumenteve të akuzës mund të gjesh edhe shprehje si; “Shtetarët tanë janë këlyshë të perëndimit”. Dhe këto nuk janë elementë të shkëputur. Ato përbëjnë një fill logjik dhe një vijë mendimi që rreket të provojë se këta ekstremistë i kanë hak vitet e burgut që kërkohen. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi? A mund të dënohen ata për bindjen dhe për mendimet e tyre?
A mund tu shtohen vite burgu ngaqë urrejnë Berishën dhe Ramën, ngaqë e quajnë demokracinë të padenjë dhe Amerikën qafire? A duhen shndërruar në shembuj të dënueshmërisë, ngaqë shohin xhihadin si zgjidhje të një bote globale, dhe adhurojnë martirët e rënë në Siri? A duhen ndëshkuar më shumë se i quajnë politikanët tanë këlyshë të shitur tek perëndimi, njësoj si kreun e komunitetit Musliman? A duhen linçuar sepse në vend të kushtetutës sonë ëndërrojnë vendosjen e sherihatit? Në fund të fundit, a i duhet bërë padrejtësi se janë të ndryshëm dhe mendojnë në mënyrë të kundërt me ne?
Të gjitha këto pyetje shtrohen pasi lexon pretencën e egër të prokurorisë dhe sjelljen e mjedisit shqiptar ndaj procesit të 9 imamëve islamikë. Por të gjitha ato së bashku konvergojnë tek një pyetje edhe me e madhe: a jemi ne të gatshëm, a janë institucionet tona të afta, a është mjedisi ynë aq i emancipuar, sa të jetë i drejtë me ata që janë vetëshpallur si “armiqtë e tij”?
Ajo që ka dëshmuar deri më tani ky proces është një “Jo” të prerë. Të akuzuarit e tij rrezikohen të dënohen më shumë sesa mund ta meritonin, jo për aktet, por për bindjet e tyre. Në vend që të trajtohen si qytetarë të zakonshëm ata po trajtohen si të persekutuar. Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku. Sepse duke u treguar më katolikë se papa, akuzatorët po bëjnë në fakt lojën e tyre. Po bien në kurthin e ngritur enkas. Sepse duke i dënuar ata ashpërsisht, nuk po bëjnë gjë tjetër vetëm se po shpallin fitoren e tyre, qëllimin e tyre në këtë proces: që ti tregojnë ndjekësve të vet fanatikë, se jetojnë në një republikë arbitrare, të qelbur dhe të padrejtë.
Sepse duke e zhbalancuar për ta peshoren e drejtësisë, vetëm sa merr peshë teza që ata propagandojnë, se ky sistem duhet përmbysur, qoftë dhe me armët e xhihadit.
Lapsi.al