Rreziku i ISIS në Ballkan

Lëvizjet ekstremiste dhe terroriste, të cilat bazohen në interpretimet dhe keqinterpretimet fetare, kryesisht islame, mund të nxjerrin dhe shfrytëzojnë motivet ballkanike, përfshirë këtu edhe Kosovën, për të krijuar grupe terroriste, vlerësojnë njohësit e aspekteve dhe zhvillimeve të sigurisë në Kosovë.

Burim Ramadani, ish deputet i Kuvendit të Kosovës, duke folur mbi rrezikun nga ekstremizmi i dhunshëm, radikalizmi dhe terrorizmi, thotë për Radion Evropa e Lirë se motivet ndëretnike, me ideologji ekstremiste islamiste dhe me metoda kriminaliteti, të cilat janë të pranishme në Ballkan, përfshirë këtu Kosovën, ka rrezik se mund të shfrytëzohen nga grupi militant Shteti Islamik.

“ISIS-i ose organizatat tjera që funksionojnë nën ombrellën e ISIS-it, mund të nxjerrin dhe respektivisht edhe t’i shfrytëzojnë motivet ballkanike, që do të krijonte një, kushtimisht ta quajmë, ISIS Ballanik. Ballkani është i ndarë përbrenda, tensionet ndëretnike, tensionet politike dhe konfliktet ndërshtetërore janë të hapura. Ky është rreziku kryesor për Ballkanin”,theksoi Ramadani.

Lidhur me këtë, ai shtoi se elementi i dytë që mund të shfrytëzohet nga ideologët, strategët dhe misionarët e organizatat terroriste islamiste, është fakti se shtetet në Ballkanin Perëndimor janë të brishta, me qeverisjet që kanë elemente autokratike, me mos konsolidim të demokracisë, me mungesë të zhvillimit ekonomik dhe me nivel të ulët arsimor.

Mendim të ngjashëm, ka edhe Nuredin Ibishi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se ekziston rreziku nga grupi militant Shteti Islamik, se mund të shfrytëzojë gjendjen e tashme të shteteve ballkanike, e sidomos të Kosovë, e cila është në konsolidim e sipër.

“Mendoj që mund ta shfrytëzojë këtë edhe rreth disa aspekteve statusore që janë në zhvillim e sipër në krijimin e institucioneve rreth shtet-formimit. Mendoj që ata mund të infiltrohen dhe të krijojnë një sistem”, theksoi Ibishi.

Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi luftën kundër terrorizmit në botë gjatë vitit 2014, Kosova është vlerësuar si një vend me kërcënim në rritje nga ekstremizmi islamik.

Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar një ligj, me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja.

Ndërkaq, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se janë duke punuar për krjimin e “Strategjisë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.

Edon Myftari, i cili po e drejton Grupin Punues që merret me këtë strategji, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se tash e disa muaj është duke u punuar në këtë strategji, për të cilën janë duke u marrë edhe mendimet e të gjithë faktorëve relevant, ashtu sikurse edhe për planin e veprimit që ka aktivitete konkrete në segmente të ndryshme të strategjisë.

“Qëllimi i kësaj strategjie është që të ketë një gjithë-përfshirje të spektrit, qoftë të institucioneve shtetërore, komunitetit fetar në Kosovë, organizatave të ndryshme joqeveritare, medieve dhe shumë aktorëve tjerë që mund të kenë një rol kontribuues në zbatim, në momentin kur të miratohet strategjia”.

“Tash jemi në fazën e finalizimit të kësaj strategjie. Do të thosha që brenda dy javësh, që nga sot, do të miratohet në qeveri, pasi që të shqyrtohet në Këshillin për Siguri të Kosovës”.

Myftari ka shtuar se terrorizmi, tashmë është bërë problem me përmasa globale dhe ai ka prekur edhe Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën.

Pjesëmarrja e një numri të shtetasve të Kosovës në luftërat në Siri dhe Irak, sipas tij, ka reflektuar rrezikun potencial nga ky fenomen.

“Masat që po merren përmes kësaj strategjie dhe përmes iniciativave të ndryshme që po bëhen, qoftë nga institucionet e zbatimit të ligjit, por edhe institucionet tjera, organizatat joqeveritare, komuniteti fetar – që ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në vetëdijesimin e masës apo popullatës, për sa i përket asaj se çfarë lejohet apo nuk lejohet me fe-, vetëdijesimi i gjeneratave të reja përmes shkollave dhe ligjëratave të ndryshme”.

“Të gjitha këto janë aktivitete që ndërlidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me objektivat e vetë strategjisë. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe tërthorazi, ndikojnë që ekstremizmi të luftohet dhe adresohet që në zanafillën e saj”,theksoi Myftari.

Por, Ramadani vlerëson se finalizimi i kësaj strategjie po vonon dhe sipas tij, për hartimin e tij nuk ka pasur përfshirje të gjithë faktorëve relevant. Sipas tij, mungesa e strategjisë tashmë ka kaluar në nivel të shqetësimit të madh.

“Institucionet e Kosovës nuk duhet të humbin kohë dhe nuk duhet ta marrin me shaka nevojën dhe domosdoshmërinë për ndërtimin dhe miratimin e kësaj strategjie. Është kërkesë e koalicionit global kundër terrorizmit dhe është kërkesë e domosdoshme brenda Kosovës dhe në rajon”.

Deri më tash, rreth 150 – 200 pjesmarrës nga Kosova në luftëra të huaja, dyshohet të kenë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah grupit militant Shteti Islamik dhe Frontit al-Nusrah. Nga këta, rreth 20 raportohet të jenë vrarë, sipas të dhënave nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

 

SHKARKO APP