Rreziku i parë i reformës në drejtësi

“Por ndërsa nuk e dimë akoma përse ky nen u shtua në variantin final të ligjit për SPAC, është e qartë ama rrezikun që ai sjell dhe që shkon përtej në fakt diskutimit kushtetues për Lirinë e Shprehjes: atë të konsolidimit të paprekshmërisë dhe omnipotencës së një kaste të re prokurorësh e gjykatësish, të cilët kështu, bëhen jo më thjesht të paprekshëm, por të rrezikshëm”…

Nga Sokol Balla

Një nen në ligjin e ri për Prokurorinë Antikorrupsion SPAC, ngjalli shumë debat dhe reagime nga shumë palë, përfshirë ato afër opozitës dhe jo vetëm. Neni 13 lumturoi mediat pranë PD dhe vetë Selinë Blu, por njëkohësisht shqetësoi segmente të medias së pavarur, përfshirë edhe ata që kanë mbështetur fuqimisht Reformën në Drejtësi.

Të dy këto segmente të shoqërisë, i bashkoi e njëjta gjë: tendenca e rrezikshme e atij neni që potencialisht rrezikonte respektimin kushtetues të lirisë së shprehjes.

Ky nen 13 i këtij projektligji, bashkangjitur me nenin 245 fraksion i të kodit penal, rezultonte në një kërcënim real deri në tre vjet burg, për gazetarët nëse tentonin “influencë të jashtëligjshme” mbi këta prokurorë special.

Natyrisht që kjo lidhje është edhe pak spekulative. Termi i përdorur në nenin 13 është “përmes mediave”. Pra nuk specifikonte nëse përshembull në rastin e sulmit verbal të Sali Berishës ndaj Ina Ramës në 25 janar 2011, kur ai e quajti për shkak të detyrës “lavire bulevardi”, do të procedohej penalisht vetëm ai, apo edhe gazetarët që e transmetuan lajmin. Shqetësimi duket naiv, pasi që në kohët e Kanunit, “lajmprurësi” nuk preket për shkak të lajmit.

Por historia e Shqipërisë në kohëra moderne, ka treguar se demokracia nuk është imune ndaj përpjekjeve për të kufizuar lirinë e shprehjes e persekutuar gazetarët. Meqë përmenda 21 janarin, katër gazetarë atëherë i shpëtoi vetëm ndërhyrja ndërkombëtare nga një hetim parlamentar e me gjasë edhe penal, nga autori i “lavires së bulevardit”.

Pra logjika ta do, se termi “përmes mediave” në nenin 13, i referohet pikërisht gojëëmbëlve si Berisha, që në raste çështjesh hetimore delikate, të mos kenë mundësinë të llapin pa hesap, pa marrë parasysh pasojat penale që kjo mund t’u sjellë. Por ama, ky nen nuk e sqaronte nëse edhe mediat do të penalizoheshin nëse ia transmetonin atij qitjet verbale, apo nëse ato duhet të kufizonin transmetimin e tyre, pasi kjo do të penalizonte edhe ato.

Si një mbështetës i Reformës në Drejtësi në parim, por i Lirisë së Shprehjes nen për nen, unë do isha pro transmetimit të sulmeve verbale të Berishës sesa censurimit të tyre. Unë kam transmetuar sharje, sulme verbale, personale dhe familjare të Sali Berishës edhe ndaj meje. Sepse sa kohë jemi pjesë e jetës publike dhe na atribuohen role të caktuara në shoqëri, që shkojnë përtej pozicioneve tona profesionale, atëherë është e paevitueshme që të sulmohemi edhe si individë, përsa kohë kjo lidhet vetëm me aspektin publik të profesionit tonë. Kështu që sqarimi apo korigjimi teknik apo politik i nenit 13, është një gjë e domosdoshme dhe më vjen mirë që drejtuesit e Komisionit të Reformës, reaguan menjëherë, duke deklaruar ndryshimin e tij.

Jam i sigurt që në kohë të Berishës kjo çështje do të kërkonte si për gjithcka tjetër, një ndërhyrje ekstreme ndërkombëtare.

Por ajo që më shqetëson, është fakti, se në draftin fillestar të ligjit per SPAC, ky nen nuk ekzistonte.

Përfaqësues të lartë politikë të Komisionit të Reformës, më patën pohuar se sistemi do të garantohej nga ndërhyrje politike dhe trafiqet e influencës me ligj dhe me pasoja penale. “Askush, as kryeministri nuk do të guxojë t’u çojë gjykatësve apo prokurorëve një mesazh, apo t’i marrë në telefon, kërcënojë apo ushtrojë presion, pasi do të dënohet me burg”. Një gjë, që e garanton neni 245 fraksion 1 i Kodit Penal, por që do të përforcohej posaçërisht edhe në ligjet e reja.

Por ndërsa nuk e dimë akoma përse ky nen u shtua në variantin final të ligjit për SPAC, është e qartë ama rrezikun që ai sjell dhe që shkon përtej në fakt diskutimit kushtetues për Lirinë e Shprehjes: atë të konsolidimit të paprekshmërisë dhe omnipotencës së një kaste të re prokurorësh e gjykatësish, të cilët kështu, bëhen jo më thjesht të paprekshëm, por të rrezikshëm. Procesi i vettingut në këtë rast, nuk mjafton, pasi këto 25 vjet kanë treguar se ndërkombëtarët, në shkëmbim të stabilitetit, kanë mbyllyr një sy ndaj parimeve demokratike. Dhe që t’i qëndroj të njëjtit shembull: Sjellja e Sali Berishës ato ditë janari 2011, u krahasua nga të huajt, me ato të një burri shteti, ndërkohë që aktet e tij luhateshin mes sfondit kriminal shtetëror deri tek batutat që e bënin atë, më shumë se këdo tjetër, të ngjashëm me një horr Kombinati, Selite apo Bulevardi.

Shqetësimi këtu është se siç është provuar nga e shkuara e hidhur, ky vend ka prodhuar supermenë të sponsorizuar nga perëndimi, të cilët më pas i kanë kthyer armët edhe nga sponsorët e tyre, të cilët më pas më shumë të shqetësuar nga dështimi i investimit të tyre personal sesa nga interesat e këtij vendi, kanë mbyllur një sy duke na shkaktuar kosto të mëdha, të panevojshme dhe shpesh fatkeqësisht, të pariparueshme.

Ne na duhet një sistem tjetër drejtësie. Na duhet që ai të jetë i ashpër dhe imun ndaj ndërhyrjeve, por jo i paprekshëm nga kritikat dhe për më shumë nga abuzimi potencial i pushtetit që do t’i jepet. Rasti i nenit 13 të ligjit për SPAC, tregoi në më pak se 48 orë se shqetësimi paraprak, apo paragjykimi quajeni si të doni, u provua i drejtë.

Shqipëria jeton kohëra të jashtëzakonshme dhe ndaj si të tilla i kemi pranuar edhe Ligjin për De’krimin dhe Reformën në Drejtësi. Por asnjëherë nuk duhet të mbivendosim qëllimin mbi mjetin. Sado e dimë se këto dy akte politike dhe juridike i bëjnë hije rëndshëm garantimit kushtetues të të drejtave të njeriut, i kemi pranuar si masa jo normale që synojnë ta bëjnë Shqipërinë normale. Të lodhur nga supermenët, shqiptarët nuk po kërkojnë që ata të bëjnë rrokadë, të ikin ata politikë, e të zëvendësohen me ata me toga të zeza.

Ne duam që këto dy sisteme të balancojnë reciprokisht njëri tjetrin dhe ky vend të bëhet i drejtë dhe i lumtur.

Por ama në çado rast shqiptarëve nuk mund t’u mbyllësh gojën. As të drejtën për t’u shprehur e kritikuar sistemin shtetëror. Në fund të fundit ai është vettingu final, sa kohë një herë në katër vjet, vota është e tyrja.

Dhe këtë nuk ka reformë që e ndryshon dot. (Javanews)

SHKARKO APP