Rrota dhe ustai

Fejton

Nga Thoma Goga

Atë vit të mbrapshtë gjithë merakun e kisha te Çeçua im atje në stan. Ngjarjet me kaçakë e vrastarë maskaxhinj po shtoheshin. Megjithëse Çeços nuk ia hante qeni shkopin, se me ata zagarë vinte përpara një taborrë më ushtarë. Më çoi fjalë me një kafshar që e kishte mik, se donte ca ilaçe kapslliku. Më kishte kërkuar edhe një radio të vogël dore se ai “vdes” për haberet. Po unë, ngaqë jam i mbytur me punë, e kisha lënë pasdore. Dhe s’ka faj; atje në stanin e tij nuk dëgjon asnjë lajm; vetëm blegërima delesh dhe ulërima ujqërish sillen rrotull. Nuk di asgjë se ç’bëhet në këtë dynja. Ka mundësi që edhe koha ta ketë lënë qëkur ishte kryeministër Çarçani… E në këto vorbullime, mendjen ma prishi televizori që filloi “skenarin e një atentati” të ri:

Ishte tepër e konsumuar. E konsumuar dhe e lodhur. Ustai i saj ishte treguar katil i vërtetë. Ama edhe Ustai nuk kishte shumë faj. Ia donte puna. Populli i kishte dhënë titullin e lartë: "USTA". Po të mos e bënte mirë punën, përgjigjej para SOVRANIT… Prandaj sapo gdhihej, i hipte makinës memece dhe ecte. Ndërsa ajo e shumëlodhura, e shumëkonsumuara Gomë nuk ankohej. Ik e konsumohu më keq. Po kush ia vinte re?! Në faqen anësore dukej vetëm stampa: MADE IN CHINA…

Ngaqë kishte nevojë për pak pushim, Goma vendosi të bënte një “lojë”; u vetëshfry. Në mëngjes Ustai u egërsua si bishë, po nuk e zëvendësoi. Kokëkrisuri u dërgoi urdhër çirakëve dhe i dha një të fryrë me inat. Mori prapë xhadenë. Goma e shkretë ik e konsumohu… Keq e mos më keq. Dhe ajo që pritej ndodhi. Po atë ditë Goma plasi. Makina memece përfundoi në kanal. Ustai në spital… Përfundimi: Fraktura, shembje, gërvishtje…Forcat e policisë u impenjuan seriozisht. Pasi mbërritën me shpejtësi në vendngjarje, arrestuan…Kë, thoni ju? E kë tjetër; Gomën e plasur. Në spital personeli lëvizte si milingonat. Nëpër këmbët e personelit gazetarët donin të magnetizonin fjalët e para të Ustait. Po ai akoma ishte në komë. Nuk përmendej. Vetëtimat e bliceve sikur e zgjuan nga gjumi i thellë. Gjeti forca dhe belbëzoi:

– Ky është një atentat politik dhe ne kemi në dorë skenarin e tij të fëlliqur…

Kaq tha dhe shkoi vidhimë. Ra prapë në komë. Kaq dhe gazetarët bënë detyrën. Radiot, televizionet, gazetat buçisnin për një “atentat politik, për skenarë, për autorë të porositur e të stërvitur nga agjentura të huaja, agjentë të policisë sekrete, për…”. Kurse goma ruhej në organet e hetimit. Asnjë lajm tjetër. Orë pas ore mësohej se shëndeti i Ustait në spital përmirësohej. Zëra, që nuk duan të identifìkohen, thonë se Ustai paska filluar të flasë përçart…. Gjithsesi pa rrezikshmëri. Nga dhoma drejt Parlamentit u nis kërkesa për një seancë plenare kushtuar “atentatit politik”. Kurse në gjykatë u depozitua aktpadia në ngarkim të së pandehurës Gomë…

Me Kodin e ri Penal, Goma e zgjuar kërkoi gjykim të përshpejtuar, që të përfitonte dënim të shkurtuar. Kështu do t'i falej një e treta e dënimit. Palën e Ustait në gjyq e përfaqësonin disa çirakë. Goma nuk kishte ku t'i gjente as paratë për avokat. Për herë të parë Goma mendoi se do të ketë DREJTËSI. Kjo për faktin se në trupin gjykues Goma njohu një GOMIST, që edhe ai me një kurs të përshpejtuar andej nga Plepat e Durrësit, na qe bërë JURIST… "E kush më mirë se një Gomisto – Jurist do ta zbulonte të vërtetën?!" – mendoi Goma. Trupi gjykues me kryetar, ndoshta, ndonjë Juristo – Rrobaqepës, preu pretencën:

– Ky është pa dyshim një atentat politik, sipas një skenari të flliqur. Goma dënohet me shkrirje. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. I jepet e drejtë ankimimi deri te Ustai…

Të gjithë gazetarët iu drejtuan trupit gjykues për intervista. Anëtarët e tij, pasi u konsultuan, ua prenë shkurt edhe gazetarëve: NO COMMENT…

Të nesërmen e këtij gjyqi famoz, do të thoshte fjalën e tij edhe Parlamenti. Në fillim të gjitha grupet parlamentare shprehën keqardhje për atë që ndodhi. I uronin Ustait shërim të shpejt “për të mirë të Sovranit”… Pastaj filluan polemikat. U thanë e ç’nuk u thanë! Aty nga mesnata, kur gjysma e deputetëve dremisnin, u krijua një komision që të analizonte me rrënjë këtë “atentat politiko-agjenturor”… Sigurisht që komisioni tërhoqi edhe mendimin e gomisto – juristëve, si ekspertë të fushës. Paçka se ata nuk i pjerdh njeri. Pasi u bë edhe ekspertiza e Gomës, u konsultuan me Ustain… Në përfundim u hartua kjo komunikatë për shtypin vendas e të huaj. Kamera e mikrofona u drejtuan nga zëdhënësi:

– "Kemi të bëjmë me një atentat të tipit komunist. Është projektue një skenar i flliqur. Është gatue në Kubën e largët të komunistit Fidel Kastro. Është bekue në Moskën e origjinës së komunizmit. Është stampue në Kinën e kuqe. Fakt i padiskutueshëm është vetë Goma. Po, po, mos më trego ti mue….Ajo Gomë vrastare tan' jetën ka kën’ e shkrue "MADE IN CHINA…" e kjo stamp flet për një krim të mirorganizue. Turp, allahile, turp!”.

Çeçua im atje në stan, që një natë fle me mendjen e zagarit, një natë me atë të dashit përçorë, e kishte dëgjuar lajmin dhe më çonte dy gisht letër me kafsharin:

– I dashur byrazer. Mos ma ki merakun se e kam finjë barkun. Ilaçet që më dërgove nuk i përdora fare. “Ilaç” paska qenë radioja. Faleminderit se ja, kur dëgjoj kësi haberesh, më iku si me magji kapslliku… Aha, tashti jam liruar e fle rehat. Ma ha mendja se ju, që i shikoni haberet edhe me figurë, me nder teje, u heq barku ushkurë…Të puthim me mall unë, deshtë, dhentë edhe qentë… Raporton nga stani plot bulmet, Çeço Çobani, dora vetë.

 

SHKARKO APP