Rruga për në Lindje? Shko drejt Perëndimit!

 

Nga Lorenc Vangjeli/  Si do të ndryshojnë shqiptarët nga hapja e dosjeve të ish-sigurimit?

Që të shkonte në Lindjen e pasur, në Indi, Kristofor Kolombi vendosi të lundrojë drejt Perëndimit. E bëri gati pesë shekuj më parë. Dhe që atëherë nuk kanë ndryshuar ca aksioma që lidhen edhe me emrin e tij. Edhe sot pesë shekuj më pas. Në politikë dhe në politikën e vendimmarrjeve të mëdha që trazojnë një shoqëri të tërë, shpesh gjërat janë pabesueshmërisht të thjeshta. Po aq sa dhe Veza e famshme e Kolombit. Shqipëria ka qenë shumë shpesh përpara dilemës se çfarë duhej të bënte me Vezët e saj që ja ngrohte herë budallallëku, herë kriminalizimi, herë makutëria e herë të gjitha këto bashkë, të përfshira në emrin qeverisje shqiptare. Dosjet e ish-sigurimit të shtetit ishin një nga to. Vezë gjarpëri.

Hapja, mbyllja, tjetërsimi, rivlerësimi, përdorimi si mjet shantazhi, si element karriere dhe besimi, frika, besimi e shumëçka tjetër që ka shoqëruar lojën e madhe me dosjet e ish-sigurimit të shtetit, tashmë janë drejt epilogut. Prej gati dy dekadash e gjysmë, kjo ka qenë një nga temat më të debatuara në Shqipëri, nga temat që i ka ndarë shumë fort idetë e debatuesve, të cilat kryesisht thoshin se nëse hapeshin do të bëhej luftë civile në vend. Që një pjesë e popullit do të linçonte me revansh e hakmarrje pjesën tjetër. Ose në krahun krejt të kundërt që pretendonte bashkëfajtorësi të të gjithëve ndaj të gjithëve, njëlloj si vuajtja që ishte e të gjithëve përballë gjithëkujt.

Tani që ligji i miratuar gati një muaj e gjysëm më parë nga Kuvendi i Shqipërisë ka hyrë në fuqi, ja vlen të thuhet se zgjidhja qëndronte vetëm në vullnetin për ta bërë ose jo një akt të tillë. As bota nuk u përmbys dhe as Shqipëria nuk u gdhi duke u zgjuar nga gjumi ndryshe.  Përjashto ca njerëz të cilët nuk i zë gjumi për shkak të së shkuarës. Pagjumë janë ata që ishin persekutorë e diktatorë të vegjël, që si Matrioshka ruse shëmbëllenin me diktatorin e madh në qendër. Sot shumica e tyre ose kanë vdekur, ose kanë arritur në një moshë që mëkatet nuk ja dëshmojnë më të gjallëve, por presin ta lajnë si hesap të fundëm me Perëndinë.

Përjashto gjithashtu një kategori politikanësh që dosjet i kanë përdorur edhe si shkop, edhe si karrotë, për miqtë dhe kundërshtarët e tyre, që mallkonin diktatorin e madh të së kaluarës duke dashuruar me epsh mënyrën e ushtrimit të pushtetit të tij, duke dashur të bëhen si ai dhe duke kërkuar të shndërrohen si ai.

Përjashto dhe një kategori tjetër që është ndoshta më e dhembshmja. Ata që kanë çertifikatat e burgut politik, por që e kanë nisur karrierën e tyre si hajdutë ordinerë apo për krime tërësisht ordinere dhe që, në burg e sipër, ishin shndërruar antikomunistë dhe të burgosur politikë. Apo të ngjashëm me ta që hanin në të njëjtën gavetë supën e hidhur të burgut, por putheshin natën me operativët e sigurimit për t’i bërë gropën me dëshmi fallso shokëve të qelisë.

Kështu vazhdoi kjo histori për gati dy dekada. Hapjen e dosjeve nuk e bënë të djathtët demokratë kur erdhën në pushtet në 1992-shin edhe me kartën e luftës kundër instrumentit të frikshëm të diktaturës komuniste.

Nuk e bënë të majtët mbas 1997-ës, ndonëse kishin të gjitha arsyet ta bënin një gjë të tillë dhe si një provë se ishin të divorcuar nga trashëgimia e rëndë e së shkuarës që në fakt i përkiste të gjithëve.

Nuk e bënë të djathtët as në rikthimin e dytë në pushtet. E vetmja tentativë e tyre ishte sipas mënyrës së vjetër: u morrën me dosjet e hershme që të zgjidhnin hallet e të përditshmes në qeverisjen e tyre.

Të majtët e Aleancës së re, për më pak se dy vjet në pushtet mundën ta kryejnë një akt të tillë. Pa shumë zhurmë. Pa shumë bujë. Pa e vendosur, madje, si palmat e autostradës në vitrinën e suksesit apo pa e trajtuar si shkëlqim fasade. Ky akt me dosjet e ish-sigurimit të shtetit është pothuaj final. Nuk është as më i përsori. As më i paqortueshmi. Ndoshta nuk është as akti i fundit i një drame që ka prekur gjithë shoqërinë shqiptare. Të majtët e rinj në pushtet thjesht morrën një vendim që këtë mall të Lindjes ta bëjnë të dobishëm duke ndjekur shembullin e Perëndimit. Kaq e thjeshtë ishte. Me këtë Vezë të vjetër gjarpri që flinte në arkiva, duhej vepruar si me Vezën e Kolombit, që shpiku rrugën e Lindjes për të përfunduar në Perëndim. Dosjet thjesht duheshin hapur. Perëndimi një gjë të tillë e quan transparencë. Mëkatet në fillim rrëfehen pastaj falen. Të majtët këtë bënë. E bënë për gjithë shoqërinë shqiptare. “Aferim!”, thotë një llaf i vjetër në Lindje. “U treguan Perëndimorë!”

 

SHKARKO APP