Rumania fillon gjykimin e ish shefit të internimit komunist

Një gjykatë në Bukuresht filloi gjyqin e Alexandru Visinescu, një ish komandant burgu në kohën e komunizmit i cili akuzohet për vrasje në rrethana rënduese në rastet e vdekjes së së paku 12 të burgosurve politikë .

Ky është gjyqi i parë i një komandanti të epokës komuniste në Rumani.

Prokurorët thonë se Visinescu, i cili tashmë është 89 vjeç, pati kryer rrahje të të burgosurve, i kishte mohuar atyre ndihmë mjekësore dhe i kishte ekspozuar ndaj të ftohtit. Shumë të burgosur politikë, përfshirë një ish diplomat dhe një kryetar partie gjetën vdekjen në këtë mënyrë.

Mes viteve 1956 dhe 1963, Visinescu drejtoi burgun famëkeq Ramnicu Sarat ku udhëheqësit e periudhës parakomuniste të Rumanisë si dhe elita intelektuale qe burgosur.

Më shumë se 50 vjet kanë kaluar që nga vdekjet e të burgosurve, por sipas ligjit të Rumanisë, nuk ka parashkrim për përndjekjen e krimeve serioze.

E veja e njërit prej të burgosurve, Gjeneralit Ion Eremia, e cila pati vdekur më 2003, i ka kërkuar gjykatës 100 mijë euro dëmshpërblim për dëme morale dhe financiare. Eremia qe dënuar me 14 vjet burg për shkrimin e një romani satirik mbi udhëheqësin Sovjektik Jozef Stalin.

Valentin Cristea, i mbijetuari i fundit i burgut Ramnicu Sarat thotë se gjyqi është i rëndësishëm, por ka ardhur shumë vonë. “Është një ngjarje që unë nuk e përballoj dot ta shoh… Unë nuk njoh asgjë, nuk mbaj mend asgjë,” tha Cristea për median vendëse

Por aktivistët e të drejtave të njeriut shpresojnë që gjyqi i Visinescut të jetë i pari prej shumë gjyqeve të tyre dhe prokurorët po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së akuzave për 35 ish zyrtarë komunistë.

Dy drejtorë të tjerë të burgjeve të epokës komuniste, Ioan Ficior dhe Florian Cormos, akuzohen gjithashtu se i kanë shkaktuar vdekjen të burgosurve dhe për torturimin e të burgosurve politikë. Që të dy mohojnë akuzat.

Rumuni i fundit i dënuar për gjenocid qe ish diktatori komunist Nicolae Ceausescu i cili u gjykua dhe ekzekutua me nxitim më 1989.

Pas shumë dekadash mohimi, Rumania më në fund ka filluar të ndëshkojë krimet e kohës së Komunizmit. Në prill, Instituti i Rumanisë për Hetimin e Krimeve të Komunizmit, IIÇMER, publikoi një listë me 35 njerëz të dyshuar për arrestimin dhe torturimin e disidentëve gjatë kohës së Komunizmit.

Detaje tronditëse kanë dalë në dritë mbi torturat që i shkaktonin rojet të burgosurve politikë nëpër kampet e punës.

Vlerësohet se rreth 120 mijë nga 617 mijë të burgosur politikë vdiqën nëpër kampet e punës të njohura si gulagë. Shumica qenë politikanë, priftërinj, shkrimtarë dhe diplomatë por kishte edhe shumë fshatarë.

Komiteti hetues është përqendruar në krimet politike të kryera gjatë viteve 1950 deri më 1964, kur në Rumani u shpall një amnisti e përgjithshme.

SHKARKO APP