Sa kushton një vizë amerikane?
“Nuk është çudi që në Rrugën e Elbasanit të shfaqen ata tipat me dosje të kuqe që të ndihmojnë për të plotësuar formularin në këmbësore dhe ata të tjerët tek kafet ngjitur që teksa pinë një teke konjak vendi të tregojnë që e njohin Donald Lunë”…
Nga Enkel Demi
“Nuk duhet më Shkolla e Magjistraturës, por thjesht një vizë amerikane.”
Kështu mendon një gjyqtar, i cili kërkon të bëjë karrierë brenda sistemit. Nëse je gjykatës, prokuror dhe ia del të marrësh një vizë amerikane je i shpëtuar pak a shumë si çikat në kohët e diktaturës që u hynte në punë vërtetimi i virgjërisë. Tek “Nata me hënë” e Kadaresë, Marjana vihet para një dileme të këtillë.
Donald Lu ka vënë në diskutim pastërtinë e gjithë sistemit me mekanizmin më të thjeshtë të mundshëm që vendi i tij mund ta ushtrojë nga mëngjesi në darkë në një vend të huaj, me dhënien e një vize. Tash, ka gjasë që njerëzit më të lartë të sistemit, ata të një niveli më poshtë dhe kështu me rradhë kanë nevojë për një vizë si buka që hanë. Ndoshta, as që kanë në plan për të marrë udhën deri përtej oqeanit, por ai që e gëzon këtë lejekalim të vyer, mund të flejë i qetë që nuk e zë reforma në drejtësi. Nëse nuk paraqitet, nuk bën kërkesë për ta marrë atë dreq vize, gjithkush ka të drejtë të dyshojë mbi të: “Po ti përse nuk kërkon vizë? Ka një gjë që nuk shkon tek ty, përderisa nuk do një vizë? Ku fle lepuri i vizës tënde të munguar?”
Ndaj pas këtij derti të ri që u shpik nga hiçi që rikthen sërish në modë dyshimet ekzistenciale të Kadaresë, ministri i Drejtësisë, kryetari i Gjykatës së Apelit e kushdo tjetër që i bie daulles mjaft t’u thonë gjyqtarëve e prokurorëve shkoni tek sporteli, plotësoni formularin, paguani dhe taksën amerikane dhe prisni përgjigjen. Kush refuzohet falë me shnet fisit, kush e merr lejekalimin-dëshmi të kërkojë të ngjisë edhe ndonjë shkallë më shumë. Me këtë rast reforma në drejtësi kryhet pa kurrfarë stresi, pa shumë kosto, madje në interes të taksapaguasve amerikanë, pasi aplikimi ka një haraç në dollarë.
Nuk është çudi që në Rrugën e Elbasanit të shfaqen ata tipat me dosje të kuqe që të ndihmojnë për të plotësuar formularin në këmbësore dhe ata të tjerët tek kafet ngjitur që teksa pinë një teke konjak vendi të tregojnë që e njohin Donald Lunë, sepse ai është fqinj me çunin e hallës të shokut të tij të ngushtë, ndaj me 12 mijë dollarë kryhet kjo punë, 7 i jep tani, 5 kur ta marrësh vizën në dorë. Por, edhe tek Rruga e Kavajës me shumë më pak mund të ta qajnë një vizë kallpe.
Dhe ai gjyqtari thoshte:
“Nuk duhet më Shkolla e Magjistraturës, por thjesht një vizë amerikane. A di njeri sa bën?”