Sa lehtë qeveriset shqiptari i nëpërkëmbur sot!

Placeholder Image

Nga Artan Fuga

Ju kam thënë o miq, por ju nuk doni të dëgjoni.

Kjo shoqëri e politike prej vitesh e shkatërroi individin e fortë dhe e la robin e humbur të Allahut përballë Leviathanit.

Qytetarit i hoqi sindikatat dhe la OJF-të për të marrë fonde.

Nënpunës bëri militantin, dajën, xhajën dhe gjyshin e kunatit.

I heqin dhe i vënë në çdo rrotacion. Punë rrotash.

Ekspertë vendosin ata që dinë të lëçisin në sytë e shefit dëshirat e fshehta. Me një fjalë ata e nuk kane turp të thonë budallallëqe në publik.

Studentin e shkëlqyer e lënë pa punë dhe promovojnë çunat e mamit me kollare sa kohë që rrine urtë ose çunat e gocat e militantëve.

Gazetarin e kanë kthyer në altoparlant. Mësoju ti çfarë është investigimi. U thonë: “lëre investigimin, shih investimin”.

Shqiptarin e dërguan rrugëve të Evropit: “Ik thyej qafën idiot! Na lër rehat!

Dhe mos harro na dërgo pare!”

Deputetin e vendosin në listë që të serviloset te partia, jo të thotë: “Përfaqësoj popullin këtu!”

Profesorin e kanë lënë pa asnjë rol, zhytur në turma amorfe, punimet ja vjedhin, e izolojnë nga bota, e trajtojnë si mitingash dhe e paguajnë si mjeran: “Ik shit diploma që nuk i duhen as dreqit!”

Avokatit i thonë: “Bëju sekser!”

I sëmuri shkon në spital me shishe uji me vete.

Njeriu nuk gjen as pronën e gjyshit, as të drejtën.Ta puthësh të drejtën kanunore. “Prisni sa të vije ligji nga Venecia”, thonë sovranistët e çartur.

Shqiptarit 40 përqind i papunë i thonë: “Papunësia jote është strukturore”, pra nga ajo e llojit të fisëm.

Shqiptarja veshur me tuta dhe shqiptari me atlete që vijnë erë ke Gabi kënaqen nga kjo lloj strukture që punëson kozmonauta dhe shoferë raketash nënujore.

Ama, po bëjmë bulevard të ri gjigand, ku do zvarritemi ne, krimbat me duar në xhepa bosh dhe rrëshqasin veturat e tyre që kushtojnë sa njëzet apartamente bosh.

Dinjteti i qytetarit në gjiriz. Aman, ishim në Kampionatin Europian! Çfarë ke mor Xhan?

Lëmsh para porte.

Kemi fan zone ku mund të hash salçiçe në skarë e me erë qoftesh të shohesh në ekran ndeshje ulur në stola dërrase, e më tej luajnë futboll në rërë, hedhur mbi kalldrëm naçut.

Më kujtohet gjyshja kur nuk na donte nëpër këmbë në shtëpi e thoshte: “Ikni luani në rrugë me shokët!”

Sa lehtë qeveriset shqiptari i nëpërkëmbur sot!

SHKARKO APP