Sa “punojnë” deputetët?

Bazuar në legjislacionin shqiptar (8 orë / ditë) qytetarët e rregullt taksapagues, midis datave 1 janar – 30 korrik 2016 kanë punuar 1704 orë pune. Po deputetët? Fiks 10 herë më pak, vetëm 174 orë pune! Nëse supozojmë se seancat plenare nuk janë punë gjatë gjithë kohës (p.sh, séance e datës 21 korrik zgjati 14 orë por de facto për deputetët pati vetëm 2-3 orë punë,..

Nga Afrim Krasniqi

Janë të zgjedhurit tanë, marrin vendime për ne, për qytetarët dhe për shtetin, kanë trajtimin më të lartë në hierarkinë publike të pagesave dhe secili beson se përfaqëson elektoratin, partinë dhe vendin! Rreth një e treta e tyre shkon rregullisht në komisione parlamentare (të të cilat shumica shkojnë vetëm për të shënuar emrin për shkak të shpërblimit financiar të lartë), por vendi kryesor i politikës është séance plenare, – enjte paradite, kur deputetët mblidhen në sallë dhe kur mediat japin live gjithçka që aty ndodh!

Një delegacion parlamentar gjerman që vizitoi Kuvendin tonë në pranverë shprehu habinë sesi parlamenti shqiptar, një nga vendet me probleme të mëdha dhe ende të pazgjidhura, ka aq pak punë saqë mblidhet vetëm një herë në javë, ditën e enjte. Ata sollën modelet e disa vendeve të tjera ish komuniste, tashmë të integruara në BE, kur parlamentet kanë aktivitet 3-4 herë më shumë, apo edhe modelin gjerman, ku seancat parlamentare marrin ditë të tëra, në varësi nga tematika dhe prioriteti politik e publik. Në Shqipëri jo, – ne kemi traditën tonë. Të hënën e të martën mblidhen komisionet, të mërkurën mblidhet qeveria, të enjten mblidhet parlamenti, të premten komentojmë çfarë ndodhi të enjten dhe për fundjavë debatojmë se çfarë do të diskutojmë të hënën ose të enjten e ardhshme!

Rrallë shohim statistikat, por ia vlen ti shohim! Ja disa të tilla. Bazuar në legjislacionin shqiptar (8 orë / ditë) qytetarët e rregullt taksapagues, midis datave 1 janar – 30 korrik 2016 kanë punuar 1704 orë pune. Po deputetët? Fiks 10 herë më pak, vetëm 174 orë pune! Nëse supozojmë se seancat plenare nuk janë punë gjatë gjithë kohës (p.sh, séance e datës 21 korrik zgjati 14 orë por de facto për deputetët pati vetëm 2-3 orë punë, pjesa tjetër ishte biseda në kafene, mbledhje partie, intervista në studio apo çlodhje në restorante). Gjithsesi, tabela tregon se deputetët kanë kaluar 174 orë pune në séanca plenare, ku rekord për mbledhjen më të shkurtër e merr 18 janari, pra dita e parë e punës për 2016, dhe mbledhjet më të gjata i kanë ndryshimet kushtetuese të 21 korrikut, si dhe séanca plenare e 18 shkurtit.

Natyrisht deputetët kanë alibinë e tyre, – janë në zonën elektorale, janë në takime me qytetarë, janë në mbledhje të tjera partiake, etj. OK, por ato janë aktivitete, disa prej të cilave nuk kanë përse paguhen me taksat tona, për shembull mbledhjet partiake apo aktivitetet partiake nëpër rrethe. Ideja e zonës elektorale nuk ka sens, përderisa zonën ua ka caktuar partia politike, jo elektorati (deputetët zgjidhen në rang qarku dhe jo zone, ndaj asnjë nuk ka një zonë tek e cila pretendon se është zgjedhur dhe është 100% përfaqësues). Për më tepër, nëse analizojmë të dhënat e diskutimeve parlamentare, sa prej tyre marrin dhe nuk marrin pjesë (do jetë publike ditët e ardhshme), rezulton se një pjesë e konsiderueshme e deputetëve nuk flet, nuk aktivizohet, nuk ka aktivitet real parlamentar, ndaj edhe abuzon moralisht dhe politikisht me paratë publike, me besimin publik dhe me integritetin e procesit demokratik.

*Të gjitha të dhënat, janë pjesë e angazhimit të Institutit të Studimeve Politike www.isp.com.al dhe databasewww.politike.al për monitorimin dhe transparencën e institucionit të Parlamentit në Shqipëri.

SHKARKO APP