Salafizmi në Shqipëri
Sipas shifrave zyrtare të Shqipërisë 114 persona iu bashkuan IS gjatë periudhës 2012- 2014. Rreth 40 prej tyre tanimë janë kthyer, 20 janë vrarë dhe 7 janë plagosur. A mund të gjallërohet salafizmi në Shqipëri?
Sa të ketë jetë Meleq Kuqo, do të mbajë mend deri në hollësitë më të vogla sesi e mori lajmin që djali i tij, Doriani, u vra në Siri si xhihadist. Bisedoj me Meleqin, që është diku tek të 60-at në një kafene pranë shtëpisë së tij, në fshatin Rrëmenj, 15 km larg Pogradecit. Fshati ka rreth 200-250 shtëpi, pak tokë, një xhami dhe fare pranë saj një kishë. Dikur banorët e tij ishin vetëm të krishterë. Kur ata emigruan jashtë apo ikën në Korçë myslimanët e zonave malore të Pogradecit zbritën, blenë shtëpitë e të krishterëve dhe u vendosen në Rrëmenj. Sot fshati ka vetëm myslimanë. Por një herë në vit, kur kisha e vjetër e Rrëmenjit hapet për festën e Shën Theodhorit atje shkojnë edhe myslimanët. Asnjë episod urrejtjeje nuk ka ndodhur kurrë mes tyre. Këto m’i thotë Meleqi ndërsa presim që kamarieri të na sjellë kafenë. Duket qartë sa vështirë e ka të flasë për të birin e vrarë, zëri i dridhet kur nis të më tregojë.
“Doriani studioi për gjuhë dhe letërsi angleze në Tiranë. E donte shkollën. Ne nuk kishim mundësi ta çonim në universitet në Tiranë. Atëhere morëm një kredi tek ProCredit Bank, që ai të mbaronte degën që donte, Gjuhë – Letërsi Angleze dhe masterin. U kthye në fshat, punoi ca kohë në Pogradec, nuk gjeti punë të vazhdueshme si mësues a përkthyes. Iku në Greqi por edhe atje gjeti punë sezonale. Skamje e madhe, sherr në familje, duheshin paguar këstet e kredisë çdo muaj, tani më ka ardhur shkresa që të vë shtëpinë në hipotekë për llogari të Bankës. Këtë shtëpi kemi – pasuri, tokë s’kemi. Gruaja është e sëmurë, unë bëj taksistin në verë kur vijnë turistë në Pogradec.
Doriani në fillim të vitit 2014 na tha se do të shkonte në Austri për të punuar 3 muaj dhe do të kthehej. Por nuk u kthye. Na tha se kishte gjetur punë. Një herë në muaj na merrte në telefon. Por Austria ishte gënjeshtër. Kur unë dhe e ëma i thamë se do të shkonim ta shihnim në Austri… atëhere na tha të vërtetën. Nuk kishte qënë asnjë ditë në Austri, kishte shkuar që në fillim në Siri, ishte bërë xhihadist, ishte martuar me një vajzë myslimane nga Kavaja edhe ajo e ikur si ai. Iu luta të kthehej në Shqipëri por më tha se ishte e pamundur. Më tha: “erdha me dëshirë, tani jam nën urdhër dhe kërcënimin e armës”. Megjithatë kishim shpresa se do të kthehej, flisnim në SKYPE, donim të lidheshim me familjen e nuses në Kavajë, por ai na tha që familja e kishte mohuar vajzën, e kishte bërë hasha. Më 18 gusht të vitit të kaluar, në orën 19.27 minuta, një shok i tij, nga fshati fqinj Zagorçan, që kishin ikur bashkë në Siri, më mori në telefon dhe më tha që Doriani ishte vrarë. Iu luta të bënte çmos të sillte trupin e tim biri.. më tha që kjo është e pamundur”.
Xhihadistët nga Shqipëria viktima të faktorëve ekonomiko-socialë
Jeta e Dorianit, e rrëfyer nga i ati, duket si një film me metrazh të shkurtët, i ndërprerë në një ditë gushti, vitin e kaluar. Meleqin e mundojnë ditë e natë pyetje, përgjigjen e të cilave nuk e gjen dot: pse djali i tij u bë xhihadist, kush e nxiti, kush e rekrutoi, me kë bashkëpunoi? Kur e pyes nëse i biri kishte treguar ndonjë shenjë ekstremizmi fetar ai thotë:
“Doriani ishte zemërbutë, nuk vriste dot as edhe një milingonë. Nuk dinte se çfarë ishte arma, atje në Siri do ta ketë prekur për herë të parë me dorë, atje e kanë mësuar të qëllojë dhe vrasë të pafajshëm. Ishte i mbyllur, nuk kishte shoqëri të gjerë. I pëlqenin gjuhët e huaja, kishte filluar të mësonte arabisht me hoxhën e fshatit, shkonte vetëm një herë në javë në xhami, çdo te premte. Askujt nuk ia merrte mendja që ai do të ikte në Siri dhe do bëhej xhihadist. Dyshoj se ia prishi mendjen një hoxhë që vinte të premteve nga Maqedonia.. ai pas faljes në xhaminë e fshatit, të premteve, i takonte veç e veç të rinjtë. Ai do ta ketë rekrutuar djalin tim dhe të tjerë nga fshatrat fqinjë, se ata ikin si grup gjoja për në Austri. Ah, sikur do dija.. do ta kisha vrarë me dorën time, do t’i thoja burgut hapu, ja, për këtë ujë që pijmë!”, thotë Meleqi.
Pogradeci dhe fshatrat e tij të varfëra si Rrëmenji, Zagorçani, Leshnica janë ndër zonat ku nga viti 2012-2014 pati të grupe të rinjsh që shkuan në Siri dhe iu bashkuan ISIS dhe u bënë pjesë e luftëtarëve të huaj në Siri. Sipas shifrave zyrtare nga institucionet shtetërore të Shqipërisë, 114 persona iu bashkuan ISIS gjatë periudhës së përmendur më lart. Rreth 40 prej tyre tanimë janë kthyer, 20 janë vrarë dhe 7 janë plagosur. Pjesa më e madhe e qytetarëve nga Shqipëria që u përfshinë në aktivitete terroriste në Siri u përkasin komuniteteve myslimane të Pogradecit, Elbasanit, Librazhdit, Bulqizës, Cërrikut, Burrelit, Kukësit dhe Dibrës.
Roland Hoxha, me profesion dentist, besimtar mysliman praktikon ritet në xhaminë qëndrore në Pogradec. E takoj pas faljes së mesditës në këtë xhami. A ka njohur vallë ai dikë nga të rinjtë pogradecarë e që shkuan në Siri?
“Disa i kam njohur, disa personalisht, i kam patur pacientë. Shumica e tyre kanë qënë me arsim nëntëvjeçar, disa me shkolle të mesme dhe shumë pak me shkollë të lartë. Kanë qënë shumë të varfër , janë rritur në familje që mezi shtynin muajin, ishin pré e lehtë për t’u mashtruar kur dikush u premtonte para dhe mirëqënie, ishin besimtarë të rinj, kishin vetëm nja 2 vjet që ndiqnin ritet, nuk kishin pjekuri fetare”, thotë Roland Hoxha.
Të dhëna zyrtare tregojnë që shqiptarët që u bënë xhihadistë apo luftëtarë të huaj në periudhën 2012- 2014 banonin në zona të thella. Skamja dhe papunësia, e shoqëruar me mungesën e atëhershme të shtetit efektiv prodhoi mungesën e perspektivës së jetës, gjë që lehtësoi mjaft rekrutimin e tyre nga fondacione radikale islamike dhe klerikë myslimanë ekstremistë vendas apo të huaj. Por ka pasur edhe faktore te tjerë, si dalja jashte kontrollit e disa xhamive dhe interneti.
“Ndër 20 xhamitë që ka Pogradeci ka patur disa që dolën nga kontrolli i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Ka shumë të ngjarë që hoxhallarët në këtyo xhami të predikonin ekstremizmin e dhunshëm fetar dhe të rekrutonin të rinjtë. Rasti më domethënes është ai i hoxhës në xhaminë e fshatit Leshnicë, i cili iu bashkiua edhe vetë ISIS. Të rinjtë myslimanë të papunë kalonin shumë kohë në internet kafe, komunikonin në FB dhe u mashtruan nga komunikimi ne internet me persona virtyualë që i bënin të besonin se “të jesh xhihadist do të thotë të ndihmosh vëllezërit myslimanë në nevojë”. Ikja në Siri nga fshatrat e Pogreadecit filloi aty nga viti 2012, kush ikte gënjente familjen duke thënë se po shkonte për azil ekonomik në Gjermani, Austri, Francë etj.
Të gjithë janë viktima të rrethanave ekonomiko- sociale, mungesës së kontrollit në ato vite të xhamive ku hoxhallaret keqpërdornin fenë për të përligjur ekstremizmin e dhunshëm dhe pjesëmarrjen e të rinjve në konfliktet luftarake në Siri dhe Irak”, thotë Roland Hoxha.
Salafizmi s’ka asgjë të përbashkët me traditën e fesë myslimane në Shqipëri
Shkolla juridike islame që nxit ekstremizmin e dhunshëm fetar dhe mungesën e intolerancën fetare edhe me myslimanët që nuk e pranojnë atë njihet si salafizmi dhe ndjekësit e saj si salafistë. Në traditën shekullore të një islami tolerant në Shqipëri, që ka bashkëjetuar në paqe me komunitetet e tjera fetare, salafizmi duket se gjeti të çara dhe terren të depërtojë. Ylli Gurra, anëtar i Kryesisë në Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, klerik mysliman i mirënjohur, myfti në Tiranë tregon për DW shkaqet që mundësuan hyrjen e salafizmit në Shqipëri
“Depërtimi i salafizmit në Shqipëri dhe i rrymave ekstremiste ndodhi menjëherë pas përmbysjes së regjimit të kaluar në vitin 1990. Periudha e tranzicionit nga diktatura në demokraci nuk ishte vetëm politike, ekonomike dhe sociale por edhe fetare. Shumica e klerikëve myslimanë kishin vdekur, nuk kishte shkolla, nuk kishte mësues të fesë myslimane, nuk kishte burime njerezore, nuk kishte infrastrukturë. Kjo situatë solli depërtimin në Shqipëri të organizatave dhe fondacioneve fetare nga Arabia Saudite, që rezultuan në listen e zeze të SHBA, pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001. Këto fondacione investuan në shkolla, objekte, burime njerëzore. Kjo situatë zgjati një dekade nga 1991-2001, kur 11 shtatori prodhoi një reaksion ndërkombetar, kur organizatat e përfshira në listën e zezë të SHBA u deportuan nga Shqipëria”, tregon kleriku mysliman, Ylli Gurra.
Por ndërkohë fryma radikale në raport me vetë fenë myslimane dhe me fetë e tjera nuk ishte më e panjohur në Shqipëri.
“Kanë qënë faktorët ekonomikë socialë, mos informimi i sakt fetar, mosgjetja e vevetes, krijimi i getove brenda shoqërisë, kultivimi i idesë tek të rinjtë myslimanë se të jesh ekstremist “do të thotë të jesh më afër Zotit”, që sollën shfaqje të salafizmit në Shqipëri. Kjo ndodhi në kushtet e mungesës së vëmendjes së shtetit dhe të organeve të sigurisë. Për herë të parë në traditën e shkëlqyer të bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri, ku jetojnë në harmoni – myslimanë, ortodoksë, katolikë dhe bektashi – pati urrejtje, përplasje të dhunshme, konflikte fizike, pati dhunim të kishave ortodokse në Elbasan dhe në Korçë. Të gjitha si pasojë e mbjelljes së kësaj fryme sidomos mes të rinjve që vinin nga një bagazh fetar zero. Aktualisht në Shqipëri nuk ka një salafizën të vërtete, nuk ka një injektim të mirëfilltë ekstremist fetar. Ka thjesht disa hoxhallarë që janë përpjekur të injektojnë këtë linjë tek myslimanët e Shqipërisë, linjë që deri në vitin 2001 dukej shumë tërheqëse për shkak të mbështetjes financiare që sillte me vete”, thotë myftiu Ylli Gurra..
A mund të gjallërohet salafizmi në Shqipëri?
Ylli Gurra tregon se prej dy vitesh nuk ka asnjë qytetar nga Shqipëria që t’i jetë bashkuar ISIS. Objektet e kultit të fesë myslimane janë nën kontrollin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Çdo xhami ka kryesinë e saj me besimtarë që raporton rregullisht mbi përmbajtjen dhe mesazhet që japin klerikët kur mbajnë ligjëratat para lutjeve.
“I kemi kaluar në skaner gjithe klerikët myslimanë. Treinojmë hoxhallarët për komunikimin me publikun. Por gjallërimi i salafizmit mund të ndodhe nëse Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nuk kontrollon xhamitë dhe nuk vepron kur ka nevojë si edhe nga indiferenca e organeve të sigurisë për të mos reaguar në vendin dhe kohën e duhur”, thotë anëtari i kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipëris, Ylli Gurra.
Por aktualisht gjasat për këtë janë limituar së tepërmi duke shkuar, afër “0”, shton ai. Ai sjell në kujtesë pjesëmarrjen e përfaqësuesve të gjithë komuniteteteve fetare të Shqipërisë në Marshimin e Paqes në Paris, më 11 Janar 2015, në nderim të viktimave të sulmit terrorist të Charlie Hebdo. Ai marshim eshte nje ngjarje e paharruar simbolike edhe për Ylli Gurrë që mori vetë pjesë në të: “Pjesëmarrja e klerikeve myslimane në Marshimin e Paqes në Paris është treguesi më domethënës që kemi lënë pas periudhën e luftëtarëve të huaj apo xhihadistëve nga Shqipëria. Harmonia fetare është një vlerë bazë e shoqërisë shqiptare. Myslimanizmi radikal nuk ka asgjë të përbashkët me traditën e fesë myslimane në Shqipëri. Modeli ynë i vetëm është Europa. Realiteti arab nuk ka asgjë të përbashkët me shoqërine multi-fetare të Shqipërisë.”