Salvini dhe Shqipëria
Nga Carloalberto Rossi
Pas një periudhe të turbulluar, mes sharjeve dhe akuzave, më në fund u arrit marrëveshja mes partive politike në Itali: një qeveri e formuar nga Lëvizja 5 Yjet dhe Lega Nord do të qeverisë Italinë. Qeveria e kryesuar nga Xhuzepe Konte u betua dhe është në pritje të votëbesimit pralamentar, vota të cilat i ka, sikurse ka mbështetjen e aleatëve të jashtëm.
Por kjo qeveri gjendet përballë shumë personazhe të Republikës së Parë që nuk arrijnë ta pranojnë shkatërrimin zgjedhor të partive tradicionale dhe në veçanti të së majtës gjithnjë e më shumë të mbyllur tek vetja, përherë e më shumë në shërbim të kapitalieve financiare, dhe përherë e më shumë e paaftë për të dëgjuar nevojat e vërteta të elektoratit.
Njësoj si me mbështetësit e Hillari Klintonit në Amerikë, edhe mbështetësit italianë të pushtetit tradicional vazhdojnë të parashikojnë fatkeqësi ekonomike, përfshirje të rusëve, rënie të bursës, dhe ndoshta shpejt do të lëshojnë alarmin për një pushtim nga karkalecat dhe përhapjen e pesticideve, por e vërteta është se edhe bursa edhe tregu financiar, në vend që të bien siç parashikojnë kritikët, po festojnë qeverinë e sapoformuar me ringritje të bursave.
Sigurisht që qeveria e re nuk i ka shpëtuar kritikave, duke qënë se ajo ka lindur nga një marrëveshje pas zgjedhore ndërmjet dy partive shumë të ndryshme mes tyre nga propozimet politike të bëra përpara zgjedhjeve dhe për më tepër dukshëm pa përvojë në qeverisje dhe njohje të makinës adminsitrative të shtetit.
Por një tipar që e karakterizon këtë qeveri—që Berlusconi e ka quajtur në mënyrë ironike me termin Hirkokervus, kafshës mitike gjysëm dhi dhe gjysëm dre që Aristoteli e përdorte si shembull për të treguar se edhe nëse një gjë e ka një emër nuk do të thtoë që ajo ekziston në të vërtet—dhe ky është është vullneti i sinqertë për të ndryshuar makinën e ndryshkur të Republikës Italiane, në favor të qytetarëve të thjeshtë, të cilët nuk u ndjenë më të mbrojtur dhe të përfaqësuar nga partitë politike tradicionale.
Akuzat e populizmit janë të konsumuara, sepse pa populll nuk ka demokraci dhe elitat e të majtës në pushtet nuk arritën më të bindnin masën elektorale se ato janë të paracaktuara, si me një të drejtë të dhënë nga Zoti, për të drejtuar vendin. Fytyra të reja dhe të panjohura janë vënë në drejtimin e vendit —dukshëm të privuara nga ajo karizmë, që e ka ndihmuar shpesh klasën e vjetër politike t’i mbijetonte gabimeve të veta—por pështirosja dhe pakënaqësia për të tashmen dhe të shkuarën e afërt e bëjnë shumë më pak të frikshme të ardhmen.
Por pyetja që na intereson ne është: çfarë efekti do të këtë ndryshimi italian mbi gjendjen e Shqipërisë?
Në një analizë të përmbledhur, përgjigja duhet kërkuar në tre aspekte: punësim, marrëdhëniet atlantike dhe rendin publik.
Punësimi dhe zhvillimi ekonomik janë cështjet që do të vënë në provë minsitrin Di Maio të Lëvizjes 5 yjet. Dihet se ai nuk ka përvojë në punën ministeriale, por as në punën praktikë, e aq më pak në çështet e zhillimit ekonomik. Por në politikë nuk është përvoja në punë ajo që garanton suksesin dhe në ekonomi shpesh të ndihmojnë më shumë ciklet e favorshme ekonomike se sa mbështetja e thellë politike.
Sigurisht, lulëzimi i ekonomisë italiane do të ndihmonte shumë edhe ekonominë shqiptare, e cila është plotësuese dhe nënfurnizuese e fortë e ekonomisë italiane në sekorin e industrisë së lehtë. Por rreziku i një qeverie populiste që lufton dukurinë e delokalizimit të biznesit së bashku me politikat aktuale të pabesa të këmbimit valutor në Shqipëri, mund të sjellë një ulje të vazhdueshme të eksporteve italiane në veçanti në sektorin e përpunimit me lëndë të aprë porositësi (fason) dhe të shërbimeve që realizohen përmes qendrave telefonike.
Marrëdhëniet atlantike janë një fushë në të cilën qeveria e re populiste, aq shumë e mbështetur nga Steve Bannon, guruja e të djathtës ekstreme dhe ish-këshilltar i Presidentit Trump, mund të marrin drejtim të paparashikuar dhe të trondisin ekuilibrat e konsoliduar, si në nivelin e marrëdhënieve të brendshmë të Evropës ashtu edhe në nivelin e marrëdhënieve me Ballkanin.
Në veçanti për Shqipërinë, kohët më të mira kanë qënë gjithmonë ato kur italianët dhe amerikanët përputheshin në politikat e tyre mbi rajonin, veçanërisht kur italianëve u delegoheshin detyrat operative për t’u zbatuar në Shqipëri. Kjo stinë, në fakt, mund të rishfaqet dhe ta zhvendësoë sërish aksin e arsyetimit shqiptar nga Berlini në Romë, pa kaluar nga Stambolli—çfarë do ta zhvendoste udhëheqjen e tanishme shqiptare e cila është tashmë e konsumuar dhe e mbytur në arrogëncën e të menduarit se është aq shumë e rëndësishme politikisht në nivelin kontinental sa mendon se do të marrë të gjitha përfitimet e zgjerimit evropian duke dhënë në shkëmbim vetëm fjalë dhe pohime në ajër.
E reja që më shumë se të tjerat rrezikon të ketë ndikim të rëndësishme në realitetin shqiptar është pikërisht siguria publike, pra, Matteo Salvini, Zëvëndëkryeministër dhe Ministër i Punëve të Brendshme dhe aksioneri kryesor që kontrollon qeverinë—ndërkohë në postin e Ministrit të Jashtëm është një profesor gati i panjohur, shumë i pëlqyer nga elita, por pa parti politike, i cili nuk duket se do jetë në gjendje të kushtëzojë aksionin diplomatik të qeverisë italiane drejt Shqipërisë, nëse ai do t’i nënshtrohej logjikës së legistëve.
Shumë shqiptarë, si në Shqipëri edhe në Itali, i kujtojnë me frikë shumë skena deri në kufijtë e racizmit të Lega Nord-it në versionin e saj fillestare, dhe po vëzhgojnë me vëmendje drejtimin e ri të Salvinit, me pohimet, shpesh me tone të prera, për kampet e romëve, për emigrantët e paligjshëm, për të drejtën për t’u vetëmbrojtur, për nevojën për të dëbuar emigrantët e paligjshëm, dhe deklarimet për të rikthyer me të vërtetë sigurinë publike.
Kjo duket se tremb shumë persona, por duket më shumë si një alibi e atyre në Shqipëri që kanë ndërgjegjen e pisët, se sa një frikë e justifikuar e shumë shqiptarëve emigrantë të rregullt në Itali.
Rreth 200 mijë shqiptarët me pasaportë italiane, dhe 400 mijë të tjerët me leje qendrimi, në të vërtetë nuk kanë asgjë për t’u trembur, por ekziston një rrezik sado i vogël që zyrat të cilat bëjnë ripërtëritjen e lejeve të qendrimit t’i interpretojnë shumë ngushtë këto deklarata në rastet e emigrantëve shqiptarë të papunë në Itali.
Por ky do të ishte më shumë një rrezik burokratik se sa një rrezik politik, sepse Lega e Salvinit dhe me të edhe Ministria e Brendshme e Salvinit, me siguri nuk do të fillojnë një kryqëzatë kundër shqiptarëve apo ndonjë komuniteti të huaj, por do të kërkojnë vetëm të rrisin perceptimin e sugurisë tek e gjithë popullsia e Italisë, veçanërisht në qendrat e vogla të banuara, duke kërkuar të largojnë subjektet e paqëndrueshme, të paregjistruarit, dhe rrjedhimisht të pabesueshëm për qëllimet e politikave të sigurisë.
Premtimi i Salvinit dhe i Di Maios nuk është ai i përzënies së të huajve. Basti i tyre i vërtetë është që, të paktën një herë të vetme, të arrijnë të bëjnë dallimin ndërmjet atij që është integruar dhe atij që do vetëm të përfitojë nga mirësia e përgjithshme italiane.
Ata që mund të kenë me të vërtetë probleme janë pikërisht ata mijëra shqiptarë që shfrytëzojnë Shengenin për t’u kacavjerrë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, shpesh të përfshirë në aktivitete kriminale. Për ta, gjithmonë nëse policia dhe Ministria e Brendshme do të funksionojë siç duhet, do të fillojnë kohë të vështira.
Thuajse të njëjtin përkeqësim të përgjithshëm ndoshta mund të ndeshin edhe të gjithë subjektet e skeduar si pjesë e botës kriminale shqiptare, duke përfshirë edhe ato të lidhur ngushtë me politikën shqiptare, të cilët mund të penalizohen gjatë udhëtimeve të tyre të shpeshta në Itali, ose më në fund do të përndiqen në mënyrë efikase nga operacionet e policive dhe drejtësive të huaja.
Me siguri do të ndryshojë, gjithashtu, toni zyrtar i bashkëpunimit ndërkufitar të policisë, dhe një dekor shumë më i madh institucional do t’i detyrojë aktorët, si shqiptarë dhe italianë, për një bashkëpunim më efikas dhe më të madh dhe me prioritet përqendrimin tek arritja e rezultateve konkrete.
Matteo Salvini tani është lëshuar në arenën politike kombëtare si një udhëheqës i ri i vendit dhe ai nuk mund t’ja lejojë vetes të përzihet në baltën italo-shqiptare të krijuar deri tani nga “turizmi institucional”.
Në përmbledhje, “festa” italo-shqiptare, sikurse është luajtur deri tani, duhet të mbarojë, jo vetëm sepse kanë ndryshuar instrumentistët, por sepse kanë mbaruar me kohë pijet e banketit dhe populli sovran, më në fund, ka kërkuar llogarinë.