Sandër Lleshaj: E mira apo e keqja publike?

Krimet makabre të ditëve të fundit, që kanë marrë jetë njerzish krejt të pafajshëm për motive të pakonceptueshme për një shoqëri moderne, kanë rikthyer përsëri në qendër të diskutimit temën e pasurisë publike.

Që prej ndryshimit të sistemit politik në fillimin e viteve 90-të, pasuria publike u shpall si e keqja publike dhe u bë objekt i sulmeve të orkestruara politikisht. Kjo mynxyrë ka sjellë pasoja të jashtëzakonshme që Shqipëria nuk i kishte përjetuar as në shekujt e gjatë të robërisë otomane apo të pushtimeve të tjera. Falë sulmit barbar mbi pasurinë publike, shoqëria jonë u varfërua, përça dhe u polarizua në mënyrë ekstreme dhe të padrejtë.

Zaptimi i pasurisë publike krijoi pa të drejtë një shtresë të vogël pasanikësh pa merita, dhe la në varfëri pjesën më të madhe të qytetarëve që i qëndruan besnik moralit shoqëror, ligjit dhe të drejtës. Zaptimi i ligjëruar i pasurisë publike solli edhe shumë viktima njerëzore, duke bërë që në pak vjet numri i tyre të tejkalojë madje edhe numrin e viktimave që shkaktoi diktatura komuniste në Shqipëri. Të gjitha këto devijime të rënda u pagëzuan në mënyrë kriminale si „demokraci“ nga ideatorët dhe ekzekutuesit e tyre politikë.

Velipoja, Shëngjini, Durrësi, Vlora apo Ksamili sot vetëm sa na sjellin edhe një herë përpara syve në mënyrë dramatike përmes krimit një problem themelor të vendit dhe të shoqërisë tonë: keqadministrimin e pasurisë kombëtare apo të pasurisë publike. Ato që po na trondisin sot janë vetëm episodet e radhës të një tragjedie që ka nisur në fillim të viteve 90-të.

Sot kemi mbërritur në një situatë paradoksale, kur zaptues të një pjese të pasurisë publike, që kanë ndërtuar pa leje në bregdet për t’u legjitimuar më vonë në mënyrë absurde me ligj, pretendojnë të zgjerojnë pushtimin edhe mbi atë pak sipërfaqe rudimentare rëre që ka mbetur ende si pronë publike dhe me siguri që, sipas këtij precedenti të „suksesshëm“ kriminal, nesër nuk do të ngurrojnë të paraqesin pretendime edhe mbi sipërfaqen ujore të vendit. Kjo situatë, krejtësisht e padrejtë, nuk mund të ketë rezultat tjetër përveç varfërisë, konfliktit, polarizimit, korrupsionit dhe krimit.

A ka dalje nga ky rreth i rrezikshëm vicioz?

Sigurisht që ka përherë një zgjidhje, atëherë kur ka edhe një vullnet për këtë.

Dhe zgjidhja është e thjeshtë. Duhet të ndalohet me ligj çfardo mënyre e tjetërsimit të përkohëshëm apo të përhershëm të pronës publike pa interes publik, pa shpërblim dhe pa konkurrencë.

Prona publike u përket gjithë qytetarëve dhe prej saj askush nuk duhet lejuar të nxjerrë përfitime individuale. Për t’u kthyer tek historia e turpshme e vijës bregetare: përderisa plazhet e vendit janë me ligj pronë publike, edhe përfitimet që gjenerohen nga shfrytëzimi i tyre duhet të shkojnë në arkën publike. Në fakt, sot ato shkojnë në xhepa privatë, duke prodhuar ato që u thanë më sipër.

Absurdi ka pak a shumë këtë pamje: pronari, që janë të gjithë qytetarët e vendit, ngarkon një kontraktor, që është nje operator privat, ose shitësi, për të adminstruar pasurinë e tij që, në këtë rast, është plazhi. Në vend që të ndodh gjëja më normale, pra që pronari të marrë fitimet dhe shitësi të marrë rrogën, këtu ndodh e pa imagjinueshmja. Pronari, pra publiku merr si rregull asgjë, por jo rrallë edhe krimin mbi shpinë, ndërkohë që shitësi merr fitimin e gjeneruar nga prona e huaj!

Cila mund të jetë zgjidhja?

Ka shumë mënyra për të zgjidhur këtë problem, i cili në vendet normale as nuk mund të përfytyrohet si i tillë.

Por ka vetëm një parim mbi të cilin mund të ndërtohen zgjidhjet konkrete.

PËRFITIMET QË GJENEROHEN NGA ADMINISTRIMI I PASURISË PUBLIKE NUK MUND TË SHKOJNË NE XHEPAT E PRIVATËVE, POR VETËM NË BUXHETIN PUBLIK.

Vetëm kur publiku të marrë në dorë administrimin e pasurive të tij, pra kur publiku të bëhet realisht pronar i asetetve të tij, atëherë do të shuhet edhe shpresa e atyre që kërkojnë të uzurpojnë dhe të shfrytëzojnë për interesa private pasurinë publike. Heqja nga qarkullimi e kësaj molle sherri, jo vetëm që do të sigurojë të ardhura aq të domosdoshme për buxhetet publike, por edhe do të reduktojë ndjeshëm potencialin e konfliktit në shoqërinë tonë.

Ndër mënyrat e shumta për të realizuar këtë, mund të ishte edhe dhënia në përdorim e pasurive publike, në rastin konkret e plazheve, kundrejt tarifave shumë herë më të larta dhe patjetër në kushte gare, në mënyrë që biznesin real me plazhet e këtij vendi ta bëjë vetë publiku, ndërkohë që për kontraktuesit të teprojë vetëm një pagë e arsyeshme për punën e kryer apo për shpenzime të tjera të njohura dhe të pranuara nga pronari publik.

Në parim e njejta gjë duhet të ndodhë me të gjithë pasuritë publike si mineralet, hidrokarburet, pyjet, ujrat e shumë të tjera, që fatkeqësisht prej 30 vjetësh vetëm emrin kanë pasuri publike.

Për sa kohë që raporti nuk përmbyset plotësisht, për sa kohë pronari publik mbetet çirak dhe disa individë gëzojnë faktikisht të drejtat e pronarit të pasurisë publike, asgjë e re përpos shkatërrimit mjedisor, prapambetjes ekonomike, korrupsionit dhe krimit nuk mund të pritet.

Nevoja për të vepruar në këtë fushë është urgjente dhe përgjegjësinë për të ndërmarrë hapa të shpejtë, në rast nevoje edhe kushtetues si në shumë praktika të mira ndërkombëtare, e ka Kuvendi i Shqipërisë dhe me tej Qeveria e të gjitha institucionet e tjera qendrore apo vendore.

P.S.
Fotoja është nga një plazh në një vend tjetër perendimor, pa parcela, pronarë, shezlongje, etj..

SHKARKO APP