Sekreti i madhështisë së Nënë Terezës
Nga Eric Metaxas, Fox News
Vitin e kaluar isha në Shkup, kryeqytetin e asaj që nga disa quhet Republika e Maqedonisë dhe nga disa të tjerë FYROM (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë). Isha atje me ftesë të East-West Ministries of Dallas për t’iu folur udhëheqësve parlamentarë të vendit për jetën e njërit prej heronjve të mi, William Wilberforce.
Një ditë gjatë vizitës sime, teksa po ecja në qendër të qytetit, u befasova që u gjenda në një vend që identifikohet si vendi i lindjes i një tjetër prej heronjve të mi, Nënë Terezës. Thuajse e kisha harruar se ajo kishte lindur në Shkup, por ja që u gjenda pikërisht atje ku ajo kishte ardhur në jetë. Vetë shtëpia u shkatërrua gjatë tërmetit të madh në Shkup në vitin 1963, por dimensionet e kësaj shtëpie shkojnë shumë përtej mureve të saj. Qe jashtëzakonisht shtëpi e vogël. Duke qëndruar atje mendoja se si ka mundësi që një bebe që lind në një shtëpi aq të vogël të mund të bëhet një shenjtore që të frymëzojë me miliona njerëz anembanë botës.
Sigurisht, ajo më ka frymëzuar edhe mua. Kur u ftova të flisja te National Prayer Breakfast në Washington, D.C., më 2012, më shkoi menjëherë mendja te Nënë Tereza, fjalimi i së cilës në të njëjtin vend më 1994 duket se është i vetmi që shumë njerëz e mbajnë mend ende. Teksa shkruaja fjalimin tim, po shihja fjalimin e saj online.
Nënë Tereza qe aq e shkurtër, saqë në video fytyra e saj mbulohej kryesisht nga mikrofoni, por autoriteti moral dhe shenjtëria e kësaj gruaje shtatshkurtër është mbresëlënëse edhe kur shihet nëpërmjet dritares së vogël në videot e Youtube.
Kur ajo foli për abortin, duke i thënë presidentit Bill Clinton që të “ndalej vrasja” e këtyre fëmijëve, që t’ia jepni ato-asaj, kjo më frymëzoi të flas për marrjen e jetës së panisur në fjalimin tim. Ishte gjëja e fundit që do të bëja, duke u ndjerë kaq i pabarabartë me nderin e lartë të të ndjekurit të hapave të kësaj gruaje të jashtëzakonshme të Zotit.
Ajo donte ta shfaqte dashurinë e Krishtit në çdo gjë që bënte – duke ndihmuar fëmijët e kequshqyer dhe gratë që po vdisnin në pisllëk. Për të, të gjitha këto ishin thjesht “Jezusi me pamjen e Tij të shpërfytyruar”.
Në kohërat moderne, të pakët janë ata që kanë pasur të njëjtin impakt si Nënë Tereza. Emri i saj përfaqësonte dhe vazhdon të përfaqësojë shenjtëri dhe dhembshuri për shumë njerëz anembanë botës. Katolikët, protestantët, myslimanët, hinduistët, dhe ateistët, që të gjithë e respektonin dhe e donin atë. Ajo jetonte jashtë urdhëresave të Krishtit: duaje Zotin dhe duaje fqinjin tënd po aq sa veten. Dhe ajo i ktheu disa prej njerëzve më të varfër në botë në fqinjët më të afërt.
Përpara disa vitesh, pasagjerët në një fluturim të “Pan Am” u mahnitën nga një njoftim i ndihmëspilotit. Ai iu tha atyre se kishin një të ftuar speciale në bord: Nënë Terezën e Kalkutës, themeluesen e Misionarëve të Bamirësisë, fituesen e Çmimit Nobel për Paqen, dhe miken e të gjithëve, që nga viktimat e goditura nga lebra e deri te Papa Gjon Pali II.
Ndihmëspiloti hoqi kapelen. Ai tha se, nëse ata donin që të kontribuonin në punën e Nënë Terezës me të varfrit, duhet të vendosnin para në kapelen e tij. Kështu që ai nisi të shkojë nga cepi në cep i avionit dhe kur u kthye kishte mbledhur mbi 6 mijë dollarë, të cilët ia dha murgeshës shtatshkurtër dhe të moshuar.
Parimisht, Nënë Tereza blinte gjithnjë bileta të klasit ekonomik, por gjithnjë e çonin te klasi i parë. Stjuardesat – te cilat e konsideronin si privilegj t’i shërbenin asaj – e shoqëronin jashtë avionit drejt zonës VIP të aeroportit dhe i mbanin valixhet. Ishte një nder vetëm të qenit pranë saj. Ajo ishte një thesar i brishtë që duhej mbajtur me kujdes.
Ish-shefi im Chuck Colson, i cili themeloi Prison Fellowship dhe BreakPoint, e adhuronte së tepërmi Nënë Terezën. Në fakt, ai kishte korrespondencë me të dhe mbante një pllakë mbi tryezën e tij me një thënie të saj: “Besnikëri, jo sukses”. Kur e pyetën presidentin Ronald Reagan se çfarë i tha Nënë Terezës në Shtëpinë e Bardhë më 1986-n, ai tha se vetëm e kishte dëgjuar; kryebashkiaku i Nju Jorkut Ed Koch tha se ishte i pamundur t’i thoshe ‘jo’ asaj kur kërkonte diçka. Nënë Tereza mendonte se nuk ishte aq e rëndësishme sa të mos kryente pastrimin e tualeteve në Indinë ku jetonte dhe nuk i pëlqente aspak të shpenzonte para për biletat e avionit, aq sa një herë i shkroi një kompanie se ishte e gatshme që të punonte si stjuardesë në këmbim të udhëtimit falas.
Nënë Tereza kishte një anë të plotfuqishme të personalitetit të saj. Një herë, kur ajo u ftua për të dëgjuar Meshën në Vatikan me mikun e saj Papën Gjon Pali II, ajo vendosi që të merrte me vete një prift që të takohej me të. Por Vatikani nuk e kishte ftuar priftin, dhe të paraqitesh pa ftesë për t’u takuar me papën në apartamentet e tij është si të paraqitesh i paftuar në Shtëpinë e Bardhë për një bisedë të shkurtër me presidentin. Një gjë e tillë thjesht nuk mund të bëhet. Në fakt, dikush edhe mund të arrestohet për një gjë të tillë, apo edhe më keq akoma. Por Nënë Tereza ia doli gjithsesi mbanë, duke e kaluar priftin e sikletosur ndërmjet kontrolleve të inatosura të sigurisë, drejt e në “sanctum sanctorum”-in e dhomës së ndenjes së papës.
Impakti i saj qe aq i madh, saqë një bisedë disaminutëshe me Nënë Terezën mund t’ia ndryshonte rrënjësisht jetën.
Nënë Tereza iu kërkonte vazhdimisht ndihmë të huajve nëpër rrugë – si për shembull, për të transportuar kuti të rënda drejt qendrës së saj për të ndihmuar të varfrit. Të huajt zakonisht binin dakord dhe kur e merrnin vesh se kë po ndihmonin, ata ngazëlleheshin.
Si ia arriti Nënë Tereza t’i donte fqinjët e saj dhe si arrinte t’i donte aq shumë? Ndoshta vizioni i saj mund të përmblidhet në fjalët e Mateut: 25:34–40, të cilën ajo e citonte shpesh:
“Pastaj, mbreti do t’u thotë atyre në të djathtë: ‘Ejani, ju që u bekuat nga Ati im, trashëgoni mbretërinë e përgatitur për ju që nga themelimi i botës. Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë. Isha i huaj dhe ju më mirëpritët, isha i zhveshur dhe më veshët. U sëmura dhe u kujdesët për mua. Isha në burg dhe ju erdhët tek unë”.
Më pas, të drejtët do t’i përgjigjen: ‘Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë, a të etur, dhe të dhamë për të pirë?! Kur të pamë të huaj dhe të mirëpritëm, a të zhveshur, dhe të veshëm?! Kur të pamë të sëmurë apo në burg dhe erdhëm te ti?! Mbreti do t’u përgjigjet: ‘Vërtet po ju them: nëse e keni bërë këtë për një nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, e keni bërë edhe për mua.”
Nënë Tereza thoshte se shihte Jezusin në çdo burrë, grua, apo fëmijë që takonte dhe ajo i trajtonte ata si të ishin Ai. Ajo mendonte se problemi më i madh në Tokë ishte mungesa e dashurisë; dhe nëse mundej, pavarësisht stërmundimit të saj, nëse mund t’i dhuronte një buzëqeshje dikujt, ajo ia jepte.
Për të gjitha këto, ajo konsiderohej gjerësisht si shenjtore gjatë jetës së saj, goxha më përpara sesa Vatikani ta bënte zyrtarisht.