“Sekreti shtetëror…”
Fejton
Nga Thoma Goga
Tashti po vij nga mbledhja e shoqatës së persekutuarëve politikë. Pse nuk e dini që jam i presekutuar, mo? Do ta rrëfej unë një më një:
Para demokracisë e kisha për nder që isha berber. Po berber i dalluar dhe “i lidhur me masat”. Kështu i donte partia të rinjtë. Në dyqanin e vogël mblidheshin dhe shokët e mi e bënim qyfyre. Diskutonim kur kishte aksione, festivale, ndeshje, plenume, kongrese …Nuk linim sportistë, artistë e personalitet pa zënë me gojë. Ky këtu, ai atje, e bamsi – bumsi…Nuk e di se si, se qysh e tek, po një ditë më arrestuan. Më morën briskun e më vunë ato byzylyqet… A, thashë, po kjo hata nga më erdhi, o t’u bëfsha! Le që, të vjen nga s’e pret…
Akuza ishte ca e rëndë: “Për nxjerrje të sekretit shtetëror”. Dre, thashë, çne unë me sekretin shtetëror?! Një copë berber. As zyrtar, as funksionar…Pas ca ditësh erdhi gjyqi. Jo, shkova unë në gjyq. Kryetari pyeti nëse e njihja akuzën, apo jo…
– Nuk e njoh, se gratë nuk qethen te unë…Nuk e kam parë ndonjëherë, pse të gënjej …
– Lëri dënglat! Akuzohesh se ke nxjerr sekretin shtetëror, – tha ai.
– Amani, ma thoni kur e kam nxjerr.
– Hiqesh sikur nuk e di, ë…Në dyqanin tënd ke thënë se shoku Tajar do bëhet sekretar i parë.
– Shumë mirë, kjo nuk është sekret; shoku Tajar u bë sekretar i parë.
– Ti ke thënë se shoku David do bëhet kryetar i komitetit ekzekutiv.
– Edhe kjo nuk është sekret. Është në krye të komitetit? Është!
– Dhe në berberanë është gjetur një letër e hapur.
– Dre, kushedi kush e ka hapur…,- ia prita.
– Mos bëj sikur s’di gjë, i pandehur. Është fjala për një broshurë që lexon “tepër sekret”.
– Nuk e di. Po dhe “letër e hapur” dhe “tepër sekret” sikur nuk shkon… A po, më kujtohet, atë e harroi shoku Taqi, pasi i hoqa një brisk…
– Kush është shoku Taqi?
– Kunati i shokut Raqi.
– Po shoku Raqi?
– Xhabanak, më fal baxhanak, me shokun Llaqi.
– Po e di ti, more i pandehur, se ato janë të ndaluara të lexohen nga të gjithë?
– E ku di gjë unë a derëzi, berber hesapi…E ku kisha nge unë të lexoja ato?! Le që unë, një copë letër dua gjysëm dite ta mbaroj…Pastaj, pse i harrojnë pa mbyllur letrat e hapura?!
Në atë çast një person që rrinte në rreshtin e parë të sallës, këtej nga ana e popullit, kërceu si pleshti në jorgan.
– Shoku kryegjyqtar, – tha burri i rreshtit të parë.- Të mos i japim ngjyra estrade.
Të them të drejtën, nuk m’u durua. Atë burrin që foli nuk e kisha parë asnjëherë. As e kisha qethur, as e kisha rruar. Apo nuk fliste gjithë pordhë… Ia ktheva në vend xhevapin.
– Ti, ore qeros, ngaqë ha shumë ke mbetur tullac…Me kryetarin e gjyqit flas vetë …
– Pusho, i pandehur, – ma priti kryetari i gjyqit, -Ai është shoku prokuror.
– Më fal, byrazer. Më plaçin sytë, të mora për ndonjë sehirxhi gjyqesh.
– Vazhdojmë me akuzën. Ke thënë se shoku Aranit do bëhet anëtar i komitetit qendror?
– Aman, o i nderuar kryegjyqtar, aman se më vdiqët. Po edhe kjo nuk hyn në sekret shtetëror. Shoku Aranit edhe tani që flasim është anëtar i Komitetit qendror. Ku është sekreti këtu?
– Mirë i pandehur, – tha kryetari i gjyqit, – vazhdojmë më tej. Ti ke thënë se shoku Lush do të bëhet anëtar i byrosë politike.
– Me shokun Lush, e kemi dhjerë, me nder jush…Po edhe ne berberët, njerëz jemi, bëjmë gabime. E pranoj, e pranoj se te shoku Lush jemi nxituar, – fola unë. – Dhe s’kemi aq faj, gjithë atë punë…
– Djalosh, ç’hyn nxitimi këtu?
– E dini pse jemi nxituar? Hakshe, hakshe anëtarët e byrosë politike nuk i kishim ne në ngarkim. Ishin në kompetencë të këpucarëve…”
Ja, kjo ishte meseleja. E ç’ta zgjas, mo vllezër! Berberët kanë një shprehje: “E rruajta, s’e rruajta brisku imi është…”. Po unë do them: e nxora s’e nxora sekretin, ma futën një vit burg. Në vend të briskut më vunë byzylyqet…
Kur dola nga “riedukimi”, që thoni ju, vendin e berberit ma kishin zënë. Si kulak nuk e meritoja më “briskun e partisë” e më degdisën bari me dhi. Jam rehat se “shef” kam Çeço Çobanin, që këtë mesele e dinte mirë.
– Do të tregoj një sekret, – i thashë një ditë , – po m’u beto se nuk i thua njeriu.
Dhe unë e besova kur zuri be kokën e dashit manar dhe të Balos zagar.
– Të vetmin sekret po ta them ty, o Çeço Çobani. Ca nga dëshmitarët e atij gjyqi janë sot figura në politikë. O pika, pika nga politika…
Ama edhe Çeçua e mbajti llafin! Këtë mesele na e paska shkruar në kujtimet e tij. Nuk besoni, mo? Po lexoni faqen 55… Burrë me mend “shefi” im. Kot nuk e ka vënë në këtë faqe…