Seks, seksizëm, burri gjerman versus ai shqiptar

Nga Lindita Arapi

Nuk ka halle të tjera Gjermania, që debaton për seksizmin?! E ku debatohet, në një shoqëri ku femrat, le të themi, kafshojnë edhe çelikun, kaq vetëbesim kanë, pas një iluminizmi të gjatë të shoqërisë, krahasuar me femrat në vende të tjera, ku maskilizmi e seksizmi janë në rend të ditës.

E megjithatë pikërisht kjo Gjermani me femra të forta debaton, debaton pas një shkrimi të një politikaneje të re të CDU-së, Jenna Behrends…e cila ngre zërin kundër sekzismit në radhët e partisë së saj, kundër emërtimeve gjoja lodruese, “miushe e ëmbël”, kundër seksizmit si fenomen në shoqëri – një shenjë emancipimi kjo, për një shoqëri që gjen vend në diskursin publik edhe për një temë të tillë, megjithëse nuk e ka problem edhe aq parësor: Seksizmi në politikë, por edhe në jetën e përditshme; loja me komplimentin; kur një kompliment është vetëm kompliment dhe jo i qëllimshëm me ngjyrim seksual e denigrues; a duan vetë femrat të cysin gjuetinë mashkullore me veshjet seksi e dekoltetë e thella, apo veshja e tyre është shenjë e vetëbesimit për trupin e jetën e tyre të lirë?

Seksizmi dhe sensibilizimi

Nga debati i transferuar sidomos në mediat sociale e kupton: Shoqëria gjermane është e ndarë në këtë pikë. Megjithatë sido që të përfundojë, ai ndikon për sensibilizimin si të palës të mashkullore, ashtu edhe asaj femërore për marrëdhënie të qarta, të rregulluara me një kod respekti mes dy gjinive. Aty lexon si zëra meshkujsh që janë kritikë ndaj “luanëve” të gjinisë së tyre, e nuk dinë të sillen ashtu edhe femra kritike ndaj ekzgjarimit femëror, që kap kufijtë e provokimit të qëllimshëm të mashkullit.

“Dikur femrat ia kthenin mashkullit po me të njëjtin nivel batutën banale, ose ia flakërinin ndonjë surratit, sot ato inskenojnë në twitter apo blogje një komedi mediatike, e mediat madje i japin jehonë”, shkruan një komentuese gjermane në rrjetet sociale. Një burrë: “Kujtoja se femrat ishin të emancipuara…” Ndërsa një punonjëse në një sektor ekonomie, ku dominojnë burrat, reagon në komente me vetësiguri: “Isha kompetente dhe nuk ua përtoja shumë burrave, që nuk guxonin më pastaj…më ka ardhur në majë të hundës, nga njëra anë themi “jemi të forta e ia dalim çdo gjëje”  nga ana tjetër “Oh, ne viktimat e shkreta!”

Mund t’i kuptosh të gjitha palët, ca thërrime të vërtete i gjen në çdo koment të arsyeshëm. Nuk u lejohet më femrave të vishen si të duan, të shijojnë fitoren historike të emancipimit të shekullit të kaluar në botën perëndimore? Po burrat gjermanë nuk mund të thonë dot më asnjë një fjalë për hirin e femrës, pa u keqkuptuar? Mos e vrasin ca si shumë mendjen gjermanët, që i futen me themel çdo gjëje? Megjithëse edhe në këtë shoqëri ende nuk janë shuar të gjitha gjurmët e traditës shekullore  që e shihte femrën si objekt dëfrimi për burrin, si rregull kufiri që nuk duhet shkelur, respektohet nga të dyja gjinitë, ndryshe ndizet alarmi, si rregull burrat gjermanë e kthejnë kokën me shpejtësi ere mënjanë, kur ofrohet me hire pjellore një femër e bukur, nga frika e ndonjë rrufeje femërore që do ta ngulte në vend maskaranë që rend pas fustaneve të grave. Frikë apo emancipim që e kanë marrë me qumështin e nënës?

Femra kala që merret?

Nuk dua t’i heq as edhe një presje debatit të këtushëm, si femër madje ndjehem mirë, por kur po ndiqja telefonatat emocionale të dëgjuesve në një emission të posaçëm të radios gjermane WDR-5, më ra në mendje, se kur Gjermania i jep kaq rëndësi kësaj çështjeje, Shqipëria dhe Kosova i bie të shpallnin menjëherë gjendjen e jashtëzakonshme! Madje për një kohë të pacaktuar, deri sa meshkujt e komanduar jo nga arsyeja, por nga testosteroni “të edukoheshin” për të mos u fërshëllyer vajzave në rrugë, për të mos hedhur fjalë, që nuk shenjojnë aspak bukurinë, por denigrimin e femrës në objekt seksi, për të mos iu ngjeshur në të pasme në autobusët e mbushur plot, për të mos i pickuar apo më keq për të mos iu futur duart, në një moment dobësie, sepse helbete…femra është kala që merret e nuk të dhurohet në rrugët shqiptare…

Edhe në Shqipëri e Kosovë ndizen debate për seksizmin e trajtimin e femrës, seksizmin në rrugë e politikë, por këto bëhen “me raste”, pra kur skandale të caktuara për “pushtetarë që ia lypin femrës hapur për një vend pune” bëhen publike dhe opinioni nuk i anashkalon dot më. Pas zjarrit mediatik ato platiten, vëmendja kthehet sërish tek politikanët…dhe tradita e vjetër patriarkale, ajo që i lejon burrit gjithçka, ndërsa femrës, sidomos në zonat rurale, vetëm atë që lejon zemërgjerësia e burrit, vazhdon.

Shfrytëzim brutal në kohë moderne…

Skandali që mediat publikojnë më shpesh është ai i favoreve seksuale për një vend pune: Në vende të varfra si Shqipëria e Kosova me papunësi të lartë, ku sigurimi i ekzistencës është një luftë që fillon nga e para përditë, kush ka në dorë një vend pune ka gjasa të ndihet si një “Zot” i vogël. E ka burra, që pushtetin e keqkuptojnë si mundësi për të bërë realitet tekat e sëmura, si liri për të jetuar deliret, mes tyre edhe përdorimin e postit për të futur në shtrat cilën femër të duan, pse jo …”madje i bëj nder të përzgjedhurës nëse ia ofroj këtë pazar, tjetra pret në radhë”…Kam pasur rastin të dëgjoj një shprehje të tillë…e ky nuk është më seksizëm, ky është shfrytëzim brutal i varfërisë, para të cilit debati për seksizmin në Gjermani, që vë nën lupë edhe komplimentin, të duket një luks në një realiteti të tillë.

Një fenomen të tillë nuk e bën dot zap as ligji, sepse ai është i fshehtë, subtil, ai zhvillohet përditë në zyrat shqiptare, skandalet që dëgjojmë herë pas herë janë vetëm maja e ajsbergut. Duhet një britmë femërore, që të përshkojë fillim e fund si Kosovën ashtu edhe Shqipërinë, një protestë femërore që të shkundë shoqërinë e të reflektohet në media, deri sa të ulë kokën edhe i pacipi i fundit e të përulet para dinjitetit femëror. Jo, femra nuk është lodër në duart e burrit, por shtyllë që mban një familje në këmbë, shpirti i shoqërisë shqiptare!

E sa për paralajmërim, po qe se femrat shqiptare „do të bënin grevë me afat të  pacaktuar“ – si në familje, në shoqëri, në punë – vërtet në Shqipëri e Kosovë do duhej të shpallej gjendja e jashtëzakonshme… DW

SHKARKO APP