Selam Erdogan

 

Nga Ilir Levonja

Për javë të tëra prestigjiozja NewYork Times godiste me editoriale fushatën e Erdoganit. Ose më saktë, ashtu siç edhe po e thërrasin, përpjekjen e tij për tu bërë një Sulltan modern i Anadollit. E bënte këtë me editoriale të shkruar nga grupanalistësh. Grupeditorësh. Rrallë nga një emër i vetëm. Mbrëmë, e gjitha kjo u kurorëzua me një tjetër të tillë. Të drejt për drejtë. Me shifra. Deri në çastin kur dukej qartë se fitorja, Erdoganit nuk vlente. Ajo qe një humbje e ëmbël për shkak të pamundësisë për të qeverisur i vetëm. Shkurt Sulltani, humbi. Madje kësaj faqeje, të dhënave e të tjera, po shoh sot që i referohen edhe webet në Shqipëri. Megjithatë, editorialit të NewYork Times-it, i mungon aty thelbi. Që është mbyllja. Dy radhë të tilla, “The A.K.P. has lost votes, and it’s because of him. People are tired of having their lives dictated by one nutty man. It’s time for change.” Me pak fjalë, Partia A.K.P (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim) humbi votëm vetëm pre tij. Njerëzit janë të lodhur së jetuari në diktatin e një të marri. Eshtë koha për ndryshim.

Cilësimi si i marr, duket si pak. Arsyet fillojnë që nga Stambolli, rrethinat ku ai u rrit. Njerëzit thonë se ai është bërë një makth në jetën tyre. Edhe mburremi, por edhe kemi frikë prej tij. Burri që i tha këto fjalë, është 77 vjeç, i lutet gazetarit të mos i publikojë emrin pasi është i afërm i Presidentit dhe ka premtuar se do votojë për A.K.P-ën.
Gjithsesi, Turqia nga sot ndodhet përpara një prove të fort. Aleancat. A do të mundet A.K.P-ja të bëjë aleancë me ndonjë nga partitë e vogla? Por gjasat janë të vështira. Sidomos kur mendon kurdët. Që mbrëmë arritën një fitore historike me përfaqësimin e tyre në Parlamentin turk. Mirëpo mbanin nëpër duar foton e Oçalanit, liderit dhe armikut të Erdoganit. A do munden nga ana tjetër, partitë opozitare të bashkohen, të qeverisin bashkë dhe me Erdoganin President. Por tashmë me fuqitë e një presidenti të deritanishëm. Jo të Sulltanit, të atij soji që ai e ëndërronte.?
Kjo i përket klasës politike aty. Nga sot e në ditët në vazhdim.
A ka lidhje kjo e gjitha me Shqipërinë tonë? Sigurisht që ka.
Së pari raporti i numrit të partive me zgjedhësit. Në Turqi konkuruan 20 të tilla, përballë numrit 54 milion zgjedhës. Ato që kaluan pragun dhe që do mbushin Parlamentin turk, janë 4.
Sa janë partitë që konkurrojnë në Shqipëri? A është normale shifra aktuale përballë numrit të zgjedhëseve? 61 parti përballë një elektorati zgjedhësish prej 1 milion e ca. Asesi!
Së dyti, pragu elektoral. Në Turqi është 10%. Në Shqipëri tepër i ulët. Por edhe i lartë, nuk bën efekt në minimizimin e numrit të forcave politike. A ia vlejnë aleancat që bëjnë forcat e mëdha tek ne, duke futur në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësues partish që u ngjajnë atyre që shënojnë vetëm emrin diku. Sa për një rrogë. Asesi!
Së treti, përpjekja e popullit turk për balancimin e pushtetit. Në mënyrë të atillë që të shmanget pushteti absolut. A e ka arritur Shqipëria këtë? Zgjedhjet e 21 qershorit janë prova.
Së katërti, reagimi i një populli ndaj një individi që harxhon më shumë energji në glorifikim e pushtetit të tij, se sa në mirëqenien e popullit. Ndaj një individi dominant. Erdogan, 13 vjet në pushtet. Përmes një trekëndëshi shokësh, Erdogan, Gyl, Davutoglu. Qëllimi, të kthente Turqinë në Republikë Presidenciale. Ndaj ndërtoi një pallat me vlerë 370 milion euro. I shpiku botës grupimin Gylen si organizatë terroriste.
Deri këtu Shqipëria nuk ka shkuar. Por ka plot ithtarë që nën emrin e islamit janë bërë pjesë e një xhihadi terrori.
Megjithatë, epidemia liderit absolut i ka dhënë prej kohësh shënjat e para. E njeriut që kërkon të rizgjidhet për të katërtën dhe të pestën herë.
Së pesti, minoriteti kurd atje. Një parti, futet në parlament me 81 deputet.
Në Shqipëri, minoritetet, qoftshin greke apo sllave, përfaqësohen çuditërisht nga 4 deri në 5 parti.
Dhe për më keq akoma, çamët. Ajo pjesë e popullatës shqiptare më e vujtuara, më e përçmuara biles edhe nga vet shqiptarët e dheut amë. Me disa përfaqësues, deri të tillë rrethinash. Të përfaqësuar në Kuvend përmes aleancave, që në rastin e tyre janë fare të padobishme.
_______
Ahmet Davutogluja, mbrëmë vonë. Nga ballkoni i A.K.P.-ës, u premtoi vëllezërve në Shkup, Siri, Irak, Maqedoni etj…, mbajtjen e premtimeve që ai dhe Rexhep Erdogan, u kanë bërë gjatë vizitave të tyre. Në këto vite qeverisje. Kjo rikonfirmoi, atë që përflitej. Strategjinë e shokëve të Anadollit, për rimëkëmbjen e një tjetër Perandorie Otomane. Atë të Sulltanit Erdogan.
Pra ai humbi. Dhe për ironi të ëndrrës së tij. Pikërisht numrin e atyre karrigeve që do mbanin në Parlament, e morën kurdët. Selam Erdogan, demokracia mbruhet me erën e lirisë dhe të drejtat e njeriut.

 

SHKARKO APP