Sëmundja përballet kur të përkëdhelin dorën e sëmurë
Nga Kim Mehmeti
Çdo tragjedi dhe rrezik i përmasave të mëdha, gjinisë njerëzore i shpalosë të vërteta të mëdha dhe i lë pas porosi të mëdha.
Edhe pandemia me të cilën përballemi, përpos të tjerave, e shpalosi të vërtetën se shoqëritë më të zhvilluara të botës, janë ‘plakur’ dhe s’ka si mos ngulfaten spitalet në to në rast të epidemive. Dhe në ato shoqëri është rrënuar ‘institucioni’ më i rëndësishëm mbi të cilin qëndron njerëzimi – familja, dhe në to pleqtë jetojnë me qentë e macet e tyre, e jo me fëmijët që duhet të kujdesen për ta e të cilët, për të jetuar vetëm për vetveten dhe për të mos e ‘shëmtuar’ bukurinë trupore, nuk lindin fëmijë por ‘birësojnë’ majmunë e papagaj.
Pra kjo pandemi, ndër të tjerat, shpërfaqi ‘sëmundjen’ e rëndë të shoqërive ku pleqtë kanë harruar se qentë e macet të qetësojnë kur je i vetëm, por s’mund të të gatuajnë e të kujdesen për ty kur sëmuresh, dhe ku të rinjtë e dhënë pas kënaqësive të kësaj bote, vonë e kuptojnë se vlen vetëm ajo që e harxhon për njerëzit e dashur që ke pranë vetes.
Dhe mbase kjo pandemi do e lë pas vetes edhe porosinë se jo vetëm kur jemi edhe ne të rrezikuar, por gjithmonë, duhet të jemi sa më shumë njerëz e sa më pranë njerëzve, se jo tani, por gjithmonë, duhet ta kujtojmë se ka popuj të cilëve viruset do u dukeshin si të ishin puhizë e buzëmbrëmjes, në krahasim me vdekjen që shohin në sytë e fëmijëve të tyre të uritur, apo të vrarë.
Pa dyshim se kjo pandemi do na e rikujtojë se edhe vdekja, e lë më sëmundja e rëndë, përballet me lehtë kur ke pranë ilaçin më shërues: një dorë të dashur që e ledhaton dorën tënde të sëmurë!