“Senatorët” e fyer të PS, Koço Kokëdhima dhe Ilir Meta
Konferenca e shtypit e Kokëdhimës në përplasje me Lu dhe fitorja e pabesueshme dhe e papritur e Trump, ka krijuar një klimë të re, në kërkim të ekuilibrave të reja politike në Shqipëri, krejt në difavor të Ramës
Nga Artur Zheji
Tanimë është një realitet që po përforcohet. Kryeministri shkoi në Neë York dhe u morr aty vetëm me ekspozitën e pikturës së vet dhe nuk mundi të bëjë politikë.
Nuk e priti askush që ja vlente. Miqtë ishin të zënë me bilancet e humbjes, ndërsa fitimtarët e zgjedhjeve amerikane, nuk e kanë kryeministrin shqiptar në axhendë.
Kjo situatë e turbulluar në politikën e jashtëme të Ramës, personazh i vockël anti-Trump në Ballkan, ka rigjallëruar Opozitën brenda PS dhe në rradhë të parë janë në krye të “betejës” së tyre, për të fituar terren, të ashtuquajturit “senatorë”. Të cilët e ndjejnë mirë e bukur dobësimin politik të Kryetarit të tyre dhe kanë filluar të gumëzhinjë si bletët, në takime intensive.
Tanimë ka 3 Pole të Majta, ku ata mund të drejtohen, për tu rigrupuar, për të fituar “Parajsën e Humbur” në PS.
LSI dhe Ilir Meta, Ben Blushi dhe partia e tij, “Libra”, si edhe Koço Kokëdhima, më i gatshëm dhe më në formë se kurrë për të marrë në duar, “Çoroditjen” e situatës së tanishme.
Së pari “senatorët”, që i kanë mbijetuar spastrimeve të Ramës, në procesin e tjetërsimit të kontrollit të PS, e dinë fare mirë se në listat e deputetëve të vitit 2017, ata mund të mos jenë fare dhe se këtë mandat të sotëm, mund ta kenë mandatin e tyre të fundit.
Ata vëzhguan të turbulluar, por në heshtje dhe pasivë se si u ndëshkua me një të rënë të lapsit Koço Kokëdhima.
Ata përcollën në heshtje funerali, përzënien dhe largimin e pahijshëm, që ju bë Ben Blushit, duke i cuar në fshehtësi vetëm ca sms të trembura ngushëlluese, duke vëzhguar plot buzëqeshje të shtirura ndaj kryetarit të plotfuqishëm të partisë së tyre.
Ata flirtojnë nga mëngjesi deri në darkë me Ilir Metën, duke i cuar fjalë, sms, apo në takime të shkurtra zyrave, me atë personalisht apo me deputetët e tij.
Po Meta, përtej mirësjelljes, gjindet mirë i rehatuar në shtëpinë e vet politike dhe me mbi 250.000 vota të qëndrueshme, në açountin e tij elektoral. Ndërsa Blushi, me një pjesë të tyre është thellësisht hatërmbetur, për vetminë që ata i dhanë si shpërblim të rrebelimit të tij, ndaj demokracisë së rrezikuar në PS dhe ndaj karjerës së tij të mbyllur nga Rama.
Duket se, pamvarësisht mërive të vjetra, të reja dhe hatërmbetjeve, ata po orientohen në mënyrë të barazlarguar, nga Meta dhe Kokëdhima, i cili, po shndrrohet në një Pol reference, të Disidencës së organizuar dhe të strukturuar në PS.
Efekti Trump, në këtë fazë një efekt më tepër psikologjik, që u ka dhënë hov shpresave të tyre politike, sepse tanimë, me ardhjen e shpejtë në pushtet të administratës Trump, mbështetja e pakufizuar që kryeministri dhe kryetari i partisë së tyre, ka marrë këto kohë nga ambasadori Lu, nuk do të jetë më e para. Ose të paktën, kryetari i tyre, nuk do të mundë ta përdorë, miqësinë dhe simpatinë e ambasadorit simpatik Lu, Për Shqipërinë dhe kryeministrin e saj, si një provë të mbështetjes së pakufizuar amerikane të qeverisjes së tij.
Konferenca e shtypit e Kokëdhimës në përplasje me Lu dhe fitorja e pabesueshme dhe e papritur e Trump, ka krijuar një klimë të re, në kërkim të ekuilibrave të reja politike në Shqipëri, krejt në difavor të Ramës.
Dhe duket se liderin brenda PS ata e kanë gati te Kokëdhima, arkitektin e aleancave dhe ngritjes së Ramës, në këto 10 vitet e fundit. Mik i kahershëm dhe i qëndrueshëm i Metës. Me aftësi organizative dhe në gjëndje të gëzueshme financiare.
Përpos kësaj Kokëdhima, është nga ata “senatorë” të majtë, që gëzon një mbështetje personale elektorale në Jug të Shqipërisë dhe që në periudhën e lumtur qeverisëse të dy viteve të para të qeverisë Rama, ka bërë jo pak emërime të rëndësishme, në disa pika kyçe të territorit.
Ndërkohë, pritet që Kokëdhima të japë disa prova të reja dhe më bindëse, për pozicionet e tija ndaj Ramës, që tu vërtetojë skeptikëve se nuk do ti fshijë më lotët e Ramës në supin e tij, nëse kryeministri kalon në një pendesë taktike ndaj tij.
Me pak fjalë, kur dukej në kulmin e paarritshëm të pushtetit të tij, që do të kurorëzohej me fitoren e zonjës Hillary, Rama sot është në vështirësi të thella, rrethuar nga “Yesëmenë apo Yesëomen”, të cilët janë të këndshëm në situata të bukura pushteti dhe vrapues të shpejtë në situata të vështira.
Dhe pra sot, shumë më shumë se dje, rihapet një pamje e re në fushë-betejën politike shqiptare, e cila është gati për një “up-date”, pothuajse nga e para. /360grade.al