Serbia vazhdon destabilizimin e Kosovës sipas skenarit dhe porosive të Moskës*

Dr. Dritan Demiraj
Rrëmbimi i tre policëve të kufirit në krye të detyrës në afërsi të kufirit verior te Kosovës, është vazhdim i planeve destabilizuese në Ballkan me porosi dhe mbeshtetje politike nga Moska e ‘qarramanit’ Vuçiç dhe e partnerëve të tij ne rajon.
Kjo padyshim në vazhdën e taktikave për të larguar nga drejtimi pengesën e tyre të fundit, njërin nga kryeministrat shqiptarë më dinjitoz dhe patriotë të tre dekadave të fundit z. Albin Kurti, me qëllim krijimin e kushteve për bashkësitë me shumicë serbe dhe më pas ndarjen e territorit të Kosovës ne veriun e saj.
Rrëmbimi i forcave policore gjatë kryerjes së detyrës në brendësi të territorit te një vendi demokratik nga një vend fashist si Serbia, e cila drejtohet nga nje president autokrat, i korruptuar me mendësi të shekullit të kaluar dhe vegël e Federatës Ruse në Ballkan, përbën jo vetëm një agresion ndërkombëtar por në të njëjtën kohë edhe krijon kushtet për destabilizimin më tej të situatës në Ballkanin Perëndimor.
Si shtetas shqiptar por në të njëjtën kohë si një nga ish ushtarakët që vendin tim së bashku me kolegët e mi è kemi bërë krenar kudo në botë duke përfaqësuar me profesionalizëm flamurin kombëtar tonë, do të dëshiroja të shikoja dhe dëgjoja per here te pare një reagim të fortë nga drejtuesit e vendit tim, të cilët e kanë detyrim kushtetues të mbrojnë shtetasit shqiptarë brënda dhe jashtë vendit.
Për këtë arsye por jo vetëm, ndihem i turpëruar në maksimum kur mendoj se kush na drejton. Por për më keq sa më lartë, sa herë që dinjiteti i shtetit të ‘pafajshëm’ serb, shtet i cili ka shkaktuar katër luftëra dhe genocid në Ballkan, ushtria, milicia dhe grupet çetnike të së cilës kanë vrarë mijëra pleq, gra, burra dhe fëmijë, kanë përdhunuar mijëra gra e vajza, ‘shtetarët’ tanë paturpesisht vrapojnë t’i dalin ne krah dhe për më keq opozitarët e Kosovës në vend që të mbështesin qeverinë e tyre në këtë situatë kaq kritike, janë sulur si çakej duke e sulmuar padrejtësisht vetëm për të përfituar një karrige dhe për të grabitur çti dalë përpara.
Qasja e politikanëve shqiptarë në mbështetje të ‘qarramanit’ Vuçiç, jo vetëm qe është e papranueshme, por është antikombëtare dhe e dënueshme. Fatkeqësisht kjo ndodh vetëm tek një popull si populli jonë ‘dele’, i cili është dorëzuar përpara varfërisë, talljes, fyerjes, vjedhjes, keq qeverisjes, blerjes së të ardhmes, shpopullimit të rinisë, popullsise dhe lista është pa fund.
Asnjë njësi e xhandarmarisë serbe, as ushtria e Serbisë nuk do të guxonin të ndërmerrnin një veprim të tillë kriminal dhe antikushtetues në rast se faktori politik në Republikën e Shqipërisë nuk do të ishte i përçarë, nuk do të ishte hapur në mbështetje të interesave serbe në Ballkan dhe të ndarjes së Republikes së Kosovës.
E njëjta gjë vlen të theksohet edhe për partitë politike në Kosovë. Partite politike dhe drejtuesit e saj, pikërisht tani kanë mundësi që të tregojnë përpara faktorit ndërkombëtar unifikim kombëtar dhe mbështetje për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Ky është momenti i duhur për të mbështetur presidenten dhe kryeministrin e Kosoves, duke treguar unitet kombëtar dhe dënuar të gjithë së bashku këtë agresion të papranueshëm. Në rast se arrihet ky unitet në të gjitha trojet Shqiptare, të gjithë politikanët tanë të korruptuar nuk do të kenë as guximin as mundësinë të dalin dhe të mbrojnë ministrin e fundit të Milosheviçit.
Presidentja Vjosa Osmani, kryemistri Albin Kurti dhe qeveria e Kosovës me këtë rast duhet të ruajnë gjakftohtësinë, të bashkëpunojnë edhe më ngushtë me komandën e KFOR-it, bashkësinë dhe institucionet ndërkombëtare, ambasadorët e vendeve perëndimore dhe veçanërisht me SHBA-të. Kam bindje të plotë se një ditë SHBA-të dhe DASH do t’i tregojnë vendin Vuçiç-it dhe strukturave të tij kriminale të cilat veprojnë sipas skenarëve destabilizues të Moskës.
Këto ngjarje ndodhin edhe për faj të qasjes së gabuar prej shumë vitesh te komunitetit ndërkombëtar. Mbështetja e vazhdueshme e politikanëve të BE-së dhe SHBA-ve ndaj anti-amerikanit Vuçiç, nuk ka bërë asgjë tjetër veçse e ka bërë atë më trim për të vazhduar axhendën për destabilizimin e Ballkanit ne interes vetëm të Vladimir Putinit.
E kam thënë edhe herë të tjera, mbështetja e liderve autokratë dhe të super të korruptuar në Ballkan nuk i ka sjellë asnjë të mirë popujve të Ballkanit, përkundrazi kjo ka bërë që qytetarët të mos kenë më besim tek institucionet demokratike ndërkombëtare.
Policia e Kosovës nuk ka asnjë arsye të dekurajohet, por përkundrazi ky rrëmbim antikushtetues i banditëve frikacakë serbë me uniformë, duhet ti bëjë edhe më të bashkuar me qëllim vazhdimin e misionit të tyre të shenjtë kushtetues mbrojtjen dhe sigurinë publike të qytetarëve të vendit në të gjithe territorin e tij.
Si përfundim, kam shkruar edhe herë të tjera se nisma si Ballkani i Hapur dhe ekzistenca e pasurive të jashtëzakonshme të pasurive minerale në verit te Kosovës së bashku me liqenin e Ujmanit të cilat janë vlerësuar në 250-300 miliardë Euro, po i lënë pa gjumë mercenarët serbë, bashkëpunëtorët e tyre shqipfolës dhe oligarkët perëndimorë që mesi po presin t’i shfrytëzojnë ato.
Pasuritë kombëtare të Kosovës nuk janë pronë e askujt, aq më tepër e serbëve të cilët i kanë shkaktuar kaq shumë vuajtje popullit tonë në Kosovë. Ato i përkasin dhe duhet të shfrytëzohen vetëm për interes të qytetarëve të saj./Gazeta DIELLI, New York/
*Gazeta Dielli, organ zyrtar i Vatrës, nisi botimin në SHBA më 15 Shkurt 1909.

SHKARKO APP