Sfida jonë, rikthimi i shpresës dhe rikthimi i demokracisë në normalitet

Fjalimi i Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, në ceremoninë e 15-vjetorit të themelimit të partisë

Nga Monika Kryemadhi –

15 vjet më parë lindi Lëvizja Socialiste për Integrim, forca politike që bashkoi rreth kauzës së madhe të ndryshimit dhe integrimit, energji, ëndrra, vullnete dhe përkushtim shembullor. Në historinë politike të pluralizmit, partitë zakonisht u janë bashkuar mazhorancave. LSI, në themelimin e saj, u shkëput nga mazhoranca e pushtetit duke vendosur një standard të ri morali politik, qe e konsideron mirëqeverisjen, më të rëndësishme se pushteti.

Këtë moral politik ka ndjekur LSI, dhe mbi këtë parim është ndërtuar i gjithë aksioni politik i LSI-së. Në këto 15 vite të rrugetimit tonë politik, sfidat me të cilat jemi përballur kanë qënë të shumta e të jashtëzakonshme. Kauzat për të cilat u krijuam dhe kemi luftuar në këto 15 vite, janë akoma reale. Prandaj mbështetja për forcën tonë politike nuk ka shteruar asnjëherë nga njerëzit e thjeshtë, të cilët e duan Shqipërinë anëtare të denjë të Evropës. Ne u rezistuam goditjeve të paprincipta që synonin eliminimin tonë, prej makinacioneve me sistemin zgjedhor, deri tek makineria mediatike e shpifjeve dhe akuzave në shërbim të interesave kryeministrore. Ngadhënjyem sepse jemi me të drejtën, me moralin dhe virtytin, fituam sepse jemi bashkë dhe kemi dashurinë e madhe për vendin dhe të ardhmen e tij. Nuk ka forcë që na ndal në përmbushjen e misionit tonë. Busulla jonë është Integrimi në BE, jeta më e mirë për çdo qytetar, pavarësisht bindjeve të tij politike.

Për ne mbetet parësore Kthimi i besimit tek Shqipëria, si shtëpia jonë e përbashkët. Sot bota politike, intelektuale dhe akademike, nga vendi më i vogël i rruzullit e deri tek më i madhi, po diskuton e debaton një problem të mprehtë, që në Shqiperi, fatkeqesisht për kushtet dhe veçoritë dhe sidomos në këto vitet e regjimit të Rilindjes, nuk është thjesht një problem, por një dramë që po shkatërron këtë vend. Që ka mpirë shoqerinë dhe po i çon djemtë dhe vajzat tona gjithnjë e më shumë larg Shqipërisë. E kam fjalën për thellimin e polarizimit të shoqërisë sone dhe pabarazisë në të. Ky problem i kanalizuar në ideologji të ndryshme,në botë trajtohet si fenomen social dhe politik. Për fat të keq në Shqipëri ky është thjesht dhe vetëm problem një i vetëm dhe ka të bëjë me vjedhjen e pronës publike dhe tenderimin e ekonomisë në duart e pak njerëzve të afërt me pushtetin.Asgjë më shumë se një vjedhje flagrante me një plan të mirëmenduar. Nuk është rastësi, as kapitalizëm e as demokraci, fakti që vendi ka mbetur për një periudhë të gjatë pa gjykata. Nuk është as rastësi kapitalizem dhe as  demokraci ligji për kadastrat: nuk ishte rastësi e as formë e kapitalizmit madje as demokraci ligji për kthimin e devidentit. Ku rimbushen xhepat e atyre qe I kanë plot:

S’mund te quajmë rastësi, kapitalizëm apo demokraci grabitjen e tokës së teatrit me ligj të posaçëm dhe me vota deputetësh pa dinjitet: Në ç’vend të botës ndodh që ligji të burgosë një familjar të papunë që nuk paguan dot faturën e energjisë elektrike dhe nuk guxon të gjykojë ata që në flagrancë janë kapur duke vjedhur, shitur dhe blerë votën? Sot me shumë se kurrë, e ritheksoj se prej regjimit kriminal dhe oligarkik të Rilindjes, ne kemi, nga njëra anë një grusht njerëzish që me tender e pa tender po pasurohen me shpejtësi duke grabitur pasuritë e shqiptarëve të cilët nuk përbejnë më shumë se 1 % të tyre dhe nga ana tjetër, mbi 80 % të shqiptarëve të braktisur, të zhytur në varfëri që luftojnë tu mbijetojnë sfidave të këtij realiteti. Unë nuk ngurroj të them që kemi dhe ne përgjegjësinë tonë, pavarësisht nga disa inciativa të mira që jemi munduar të imponojmë, pasi nuk kemi mundur ti përfaqësojmë ata siç duhet.

Por më 30 qershor shumica e shqiptarëve 85% na dhanë përfaqësimin e tyre. Sepse bojkoti masiv për të votuar si në komunizmin famëkeq, ka rritur tashmë përgjegjësinë e opozitës shqiptare që të gjejë mekanizmat më të mirë për të përfaqësuar shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Atë shumicë që me bojkotin e saj i tha “jo” regjimit kriminal dhe oligark të Edi Ramës. Ne si opozitë e bashkuar ndoshta kemi bërë sa kemi mundur për të denoncuar këtë regjim.

Por edhe unë ashtu si ju, jam e bindur se kjo nuk mjafton. Në kohën kur organizata kriminale dhe oligarkike me emrin Rilindje, ka shkatërruar me plan te mirëfilltë të majtën gjenuine shqiptare me qëllim kryesisht zaptimin dhe futjen në kthetrat e saj të ekonomisë shqiptare dhe kur fatkeqësisht me ane te koncesioneve dhe PPP-ve, kryeministri ynë e ka tenderuar dhe burgosur të ardhmen tonë ekonomike dhe për 15 apo 20 vitet e ardhshme. Në këto kushte ne na duhet të mendojmë për një zgjidhje afatgjatë dhe jo thjesht për të nesërmen. Unë në formimin tim politik jam një “socialiste demokrate”, siç ka plot të tillë edhe ndër ju në sallë e kudo në Shqipëri, edhe pse të braktisur e të zhgënjyer në aspiratën e tyre prej fenomenit abuziv me etiketën “Rilindje”. Si socialiste demokrate, unë jam e bindur se drama e pabarazisë në Shqipëri, as nuk mjekohet, madje as nuk zgjidhet, pa rivendosjen e së majtës së vertetë në shinat e vlerave dhe demokracisë dhe integrimit, të solidaritetit dhe humanizmit. Kushtet në të cilat ndodhemi NA e ngarkojnë Ne këtë përgjegjësi historike. LSI duhet të çlirojë të majtën nga thundra kriminale e shpërdorimit të Rilindjes. Ky është misioni ynë politik dhe historik. Për të cilin do të na vlerësojnë fëmijët tanë dhe historia nesër. Trëndafili i kuq i socialistëve shqiptarë me rrënjët në gjakun e dëshmorëve të lirisë dhe ëndërr Shqipërinë si gjithë Europa që u bë e duhej të ishte edhe sot simbol i politikave sociale, nuk është më.

Ai është zëvendësuar me fiongon e zezë të korrupsionit të PPP-ve dhe degëzën e kanabisit si simbol i qeverisjes dhe krimit të bërë një, që jo vetëm shkatërroi partinë e vlerave dhe kontributeve historike për Shqipërinë, por lëndoi zemrat e qindra mijëra pensionistëve, veteranëve të luftës nacional çlirimtare, duke bërë që të rinjtë dhe te rejat të marrin udhët e mërgimit, dhe që po e çon edhe vendin në një asfiksi totale që vështirë ta marrë veten.

Ndaj ne duhet ta marrim përsipër këtë sfidë …. Unë jam e vëmendshme ndaj çdo alternative ekonomike që shpaloset nga çdo do krah, nga çdo parti e djathtë, e qendrës apo kudo qoftë. Por njëkohësisht jam e bindur dhe e ndërgjegjshme që Shqipëria nuk shpëton nga drama e pabarazisë pa një të majtë të fortë e modern, të hapur e të shëndetshme e mbi të gjitha që të ketë të shenjtë interesat kombëtare dhe shërbimin ndaj qytetarëve. Shumë herë ideologjitë përdoren për t’u marrë votën qytetarëve. Bota ka plot shembuj të tillë, edhe Shqipëria ka mjaftueshëm raste të tilla. Por unë prapë e them me bindje se pa një të majtë të shëndetshme Shqipëria nuk ka as shansin më të vogël të dalë nga kjo humnerë ku e ka çuar grabitja që thellon përditë pabarazinë. Sa më shpejt të ringrihet e majta e munguar dhe e pushtuar, aq më të të pakta do ti ketë ditët ky regjim antipopullor, dhe shumë tepër shpresë do të ketë për të ardhmen. Sa më shpejtë të ringrihet e majta e shëndetshme dhe atdhetare, aq më e fortë do ndjehet dhe e djathta patriotike shqiptare dhe aq me organik, dhe me i dobishëm do jete partneriteti dhe bashkëpunimi opozitar si mision për të bërë punë më të mira për Shqipërinë. Për të përfaqësuar numrin e madh të pensionistëve që fatkeqësisht po rritet me shpejtësi galopante, për të ndalur largimin masiv të rinisë dhe intelektualëve shqiptare.

Si socialistë demokratë ne jemi munduar ta bëjmë këtë dhe më parë, kryesisht me iniciativa parlamentare, por të jemi të sinqertë nuk ja kemi dalë. Ndryshe nga Rilindja edhe kur kemi qeverisur me ta, kemi insistuar për arsim falas, sepse arsimimi i të rinjve në kushte sa më optimale është baza për një shoqëri të shëndetshme. Si opozitë e bashkuar kemi kundërshtuar çdo koncension në kurriz të pasurisë së shqiptarëve. Sepse këto janë parimet tona bazë. Ne kemi mbështetur çdo iniciativë në ndihmë të personave në nevojë, sepse kjo është busulla jonë e orientimit.

Po ku jemi sot? Sot ne nuk jemi në parlament. Sistemi kriminal dhe oligarkik i Edi Ramës nuk e mundëson një debat vlerash siç ndodh në çdo vend demokratik. Ne kemi bërë sa kemi mundur që ta çmontojmë këtë klikë në pushtet, ndaj sot s’mund të pranojmë të jemi fasadë e një qeverisje ku mbizotërojnë dëshirat dhe epshet paranojake të një kryeministri të lidhur kokë e këmbë me krimin. Ne kemi protestuar fuqishëm dhe kemi mundur ti bindim dhe ata shqiptarë skeptikë se çdo formë proteste është një mënyrë për të ti hequr një gurë themelit mafioz të qeverisë Rama. Sot unë i bëj thirrje së pari të gjithë anëtarëve të LSI por edhe gjithë shqiptareve të thjeshtë e të ndershëm që ushqimet e tyre të përditshme mos ti blejnë në qendrat e mëdha tregtare të oligarkëve, por në dyqanet e lagjeve, te komshinjtë e tyre:

Unë i bëj thirrje anëtarëve të LSI së pari por dhe gjithë shqiptarëve që veshjet e tyre mos ti blejnë në qendrat tregtare, po te dyqanet e bizneset e vogla. Të mos përdorin taksitë e korporatave te lidhura me qeveritaret por taksitë që me punojnë me sakrificë e duke paguar taksa të larta për të siguruar bukën për familjen. Të bojkotojmë e të refuzojmë të gjitha mekanizmat që i shërbejnë dhe që ushqejnë pushtetin, e të mbështesim e inkurajojmë të gjithë ata që ju shërbejnë qytetarëve dhe që interesin e tyre e kanë të shenjtë. (?) Të nderuar miq, situata është e paprecedentë. Vendin e ka mbërthyer një krize totale e qeverisjes, ekonomisë dhe shoqërisë. Në kohën kur më shumë se kurrë kërkohet mobilizim social e intelektual, pjellë e Rilindjes është polarizimi i tejskajshëm, nxitja e përçarjes së shoqërisë në “ne” dhe “ata”. Në kohën kur kërkohet mobilizimi i gjithë energjive e kapaciteteve kombëtare për integrimin e vendit, kemi shkatërrimin e administratës publike, dhe injorim të institucioneve të pavarura dhe akademike. Gënjeshtra është kozmetika e përditshme e fytyrës së qeverisë dhe bojës së kryeministrit. Që edhe pse investon miliona para të pista prapë duket se ka nisur t’i mbarojë vaji. Makineria e propagandës ka filluar të kërcasë e nuk mbulon dot më zullumet e pafund që Rilindja ka prodhuar. Sepse shqiptarët nuk janë të verbër, ata shohin dhe kuptojnë. Ata shohin se Rilindja nuk ka më asnjë pikë takimi me asnjë ideologji,e aq më pak me të majtën. Rilindja e Ramës do mbahet mend si tradhtarja më e madhe e së majtës shqiptare. Ajo ka shkelur pa mëshirë vlerat saj themelore: shtetin demokratik e social, mundësitë e barabarta dhe shpërndarjen e drejtë të të mirave. Duke shkatërruar institucionin e votës e të zgjedhjeve demokratike, Rilindja krijoi shtratin e një sistemi autokratik e arrogant, ku sovrani, qytetari i thjeshtë, është i përfaqësuar dhe i pafuqishëm.

Sot vendi është ne një regjim monokratik, ku një njeri i vetëm ka uzurpuar çdo pushtet. Mjafton te lexosh Raportin përfundimtar te OSBE/ODIHR kupton shume mire se ku është Shqipëria sot, Ky raport është shkruar e zezë mbi të bardhë, pavarësisht leximit që i bën çdo parti politike apo individ. Duke ngritur në sistem klientelizmin ekonomik të një grupi të vogël oligarkësh, Rilindja shkatërroi mundësitë për çdo sipërmarrës të ndershëm që të ketë sukses e të prosperoje. Rritja ekonomike është përgjysmuar, dhe investimet publike administrohen vetëm nga grupi i oligarkëve. Këta të fundit janë të vetmit që kanë bilanc pozitiv financiar në Shqipëri. Mundësitë e barabarta u shkatërruan në arsimin e lartë. Mundësitë e barabarta u shkatërruan edhe në shëndetësi, ku mbi 60 % e shërbimit spitalor është në duart e privatit. E ku duhet të paguash shtrenjtë që të marrësh shërbime cilësore e në kohë. Ky është sistemi i rilindjes: po nuk pate para, nuk mund të arsimohesh, nuk mund të kurohesh. Shteti social, thelbi i së majtës, ka rënë. Por shqiptaret, me varfërinë e ulur këmbëkryq në shtëpitë e tyre, kane nevoje për një shtet të fortë. I vetmi që nuk e sheh, nuk e ndjen dhe nuk preket nga kjo situatë është Kryeministri. I cili në fakt është shkaktari kryesor i kësaj katastrofe. Atë nuk e prekin as skandalet e përditshme të rilindasve të tij, as dhunimi i votës, as shkelja e ligjit dhe kushtetutës, as trafiqet e drogës, as largimi i shqiptareve që janë totalisht të pashpresë.

Ndaj sfida jonë vazhdon të mbetet rikthimi i shpresës dhe besimit tek një e majtë e vlerave dhe e principeve qe do të mund ta nxjerrë vendin nga bataku ku e ka zhytur Edi Rama. Unë besoj se ne mund ta bëjmë së bashku këtë. Sepse kemi ecur bashkë në suksese dhe dështime, jemi rrëzuar dhe jemi ngritur por dhe bashkë jemi rritur për të përballuar sfida të reja. Për këtë, të gjithë së bashku duhet të kthejmë demokracinë në normalitet. Të ringremë institucionin e votës dhe t’i japim qytetarit sovranitetin për të zgjedhur. Do të realizojmë atë qe tashme e kemi propozuar, vetingun e politikanëve. Duhet të përfundojmë reformën më të rëndësishme për Shqipërinë, reformën në drejtësi, si nje sistem i pavarur nga politika, dhe jo vegël ne duart e saj, si nje sistem i pavarur nga politika për të ruajtur Shtetin, Kushtetutën, Ligjin, por mbi te gjitha, të drejtat e qytetarit te thjeshtë.

Me një sistem drejtësie të pavarur ne do kemi siguri ekonomike dhe shoqërore do të kemi besimin e investitorëve të huaj të cilët do të investojnë dhe nga kjo vjen krijimi i vendeve të reja të punës të cilat krijojnë mundësi për të rinjtë dhe këto mundësi i japin besimin të rinjve shqiptare të ndërtojnë të ardhmen dhe shtëpinë e tyre në Shqipëri. Ne si parti e te rinjve e kemi mision dhe oblikim këtë gjë. Prandaj Roli i LSI për miratimin e reformës në drejtësi me 140 vota ishte vendimtar edhe 7 ligjet te cilat pa votat e LSI nuk do mund të kalonin, por realiteti tregoj se rilindja qe ne fillim te hartimit te saj ka punuar kundër reformës sepse një reforme në drejtësi e pavarur do të vendoste në bankën e të akuzuarve trafikantet e drogës dhe kriminelet, të cilët janë të lidhur ngushtë me rilindjen dhe qeveritaret e saj. Një sistem drejtësie i pavarur nuk do të lejonte që rruga e arbrit nga 160 milion euro kryeministri i Rilindjes, ia çon në 360 milion euro. Rruga Milot-Balldren nga 102 milionë e faturon 340 milionë euro, Unaza e Re 20 milionë kilometrik dhe këtë kërkon prapë ta vjedhë me firma të falsifikuara ndërkombëtare dhe sërish drejtësia burgos të pamundurit, të papërkrahurin, qytetarin e thjeshtë.

Të çlirojmë ekonominë nga oligarkia, t’i japim frymë biznesit të vogël e të mesëm, t’i kthejmë besimin që të investojnë e punësojnë sa më shumë njerëz. Ne jemi angazhuar dhe do të vazhdojmë t’i qëndrojmë aspiratave tona për ulje taksash dhe dhënie fryme ekonomisë shqiptare. Vendosje e taksës së sheshtë në 10%. TVSH 0 për prodhimet bujqësore. TVSH 6% për produktet e shportës. Heqjen e taksës së TVSH në doganë e shumë propozime të tjera, të cilat ne vazhdojmë t’iu qëndrojmë dhe nuk do të rreshtim për të realizuar angazhimet tona ndaj qytetarëve. Të ristrukturojmë ekonominë, jo si lavatriçe e parave të pista të drogës e trafiqeve, por ta bazojmë atë tek prodhimi dhe shërbimet, në sektorët që kanë avantazh konkurrues dhe që krijojnë punësim të mirëpaguar.

Të realizojmë reformën në arsim, ku të krijojmë mundësi të barabarta reale për çdo të ri dhe të re për një arsim cilësor, të lidhur më tregun e punës dhe që garanton punësim. Të reformojmë shëndetësinë dhe të forcojmë shëndetin publik, duke forcuar spitalet publike, dhe garantuar cilësinë e ilaçeve. Duke imponuar tolerance zero ndaj ndotjes se mjedisit dhe duke garantuar sigurinë ushqimore. Të mbështesim rininë, duke mos kursyer në kthimin e besimit për të jetuar e punuar në Shqipëri. Propozime konkrete për start-up-et, biznesin e drejtuar nga të rinjtë, po i përgatisim dhe do t’i paraqesim së shpejti propozimin tone bashke me faturën financiare që çdo i ri apo e re deri në moshën, 30 vjeç për çdo biznes apo edhe të ardhurat e tyre financiare, që vijnë si rezultat i punës tyre në biznes, administratë, sistem bankar, shëndetësi, bujqësi, apo çdo fushë tjetër tatimi të jetë 0. Ne duhet të hartojmë politika që t’i kushtojmë vëmendje te rinjve dhe të rejave që ti mbështesim për të qëndruar në Shqipëri. Do të ishte nder dhe përfitim i madh për shtetin shqiptar që më mirë të bëj 0 taksat për të rinjtë shqiptare se sa paratë e tyre të harxhohen për udhëtimet e luksit të enturazhit qeveritar.

Plakja e popullsisë dhe largimi i të rinjve janë alarmi ynë i madh dhe ndalimi i këtij trendi duhet konsideruar dhe trajtuar si interes kombëtar.  Prandaj shteti dhe të gjithë mekanizmat e tij, politika pa dallim dhe e bërë bashkë duhet të synojë e realizojë ndërmarrjen e politikave që kanë në themel të tyre solidaritetin dhe dimensionin social, humanizmin dhe shtetin si garant të arsimit e punësimit për të rinjtë, të shëndetësisë si shërbim ndaj qytetarëve dhe jo si përfitim të oligarkëve. Shteti duhet të garantojë gjithashtu politika favorizuese me paketa ndihme për familjet e reja, por edhe për pensionistët, për veteranët dhe për të gjithë ata që I dhanë gjithçka vendit të tyre, e në vend të përkujdesjes e mirënjohjes, kanë gjetur në shtetin e tyre harresën, mosmirënjohjen, poshtërimin.

Për mua si Kryetare e LSI-së dhe për të gjithë në, anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-se, është një moment fatlum dhe rastësi e bukur që 15 vjetori i krijimit të partisë tonë koincidon në 75-vjetorin e Çlirimit të Atdheut, të kësaj ngjarjeje të madhe krenarie, sepse Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe Antifashizmi si vlera e saj universale, jo vetëm i sollën popullit lirinë, por e bënë Shqipërinë kontributore të denjë në koalicionin antifashist botëror, në koalicionin e madhe të vlerave e të sakrificave, mbi të cilat u ngrit Europa e Bashkuar. Ne jemi krenare për historinë tonë, por ndjehemi përherë të detyruar ta nderojmë atë, të nderojmë sakrificat e një populli të tërë dhe gjakun e dëshmoreve të lirisë, që nuk mund të përbalten dhe as të mohoen me harresën e turpshme qeveritare, që në këtë jubile të lavdishëm nuk thotë asnjë fjalë, e as e përmend 75-vjetorin e Çlirimit të Atdheut! Por ne jemi këtu edhe për të mos harruar, jemi këtu për të përkujtuar, jemi të gjithë bashke për të nderuar Luftën Partizane dhe antifashizmin e popullit shqiptar!

Të dashur vëllezër e motra anë e mbanë Shqipërisë e kudo që jeni nëpër botë! 15 vjet nuk janë shume ne historinë e një partie. Por ato na mjaftojnë të bëjmë një bilanc punësh, na mjaftojnë të shohim me realizëm rrugën nëpër të cilën kemi ecur e mbi atë përvojë të reflektojmë. Ekzistenca e LSI-se i dha vlerë e kuptim pluralizmit shqiptar; i dha dimensione dhe horizont të ardhmes së vendit; i dha motiv dhe jetë ëndrrës së të rinjve, e ndaj, ajo edhe sot është forca e ndryshimit dhe e shpresës për Shqipërinë Europiane.

Ne jemi këtu e do të jemi gjithmonë bashkë, në Shqipërinë tonë, për ta bërë ëndrrën realitet! Rroftë Lëvizja Socialiste për Integrim! Rroftë Shqipëria Europiane!

 

SHKARKO APP